22.02.2020

Zoti dhe kleri, Gazetaexpress

Kjo është koha jote! 
Kjo është jeta jote! 
Nuk je lindur për të besuar, por për të ndryshuar dhe përmirësuar jetën!
Nuk ke ardhur në këtë botë për të realizuar ëndrrat e huaja, por tuat!
Nuk je lindur me dy këmbë për të ecur si kafsha duke keqpërdorur duart, por për të ecur vertikalisht, si njeri.
Mund të jetosh sipas dëshirave tua, apo sipas pritshmërive të të tjerëve. 
Në kohën tënde ke vetëm dy mundësi: të jesh i lumtur pse shërbeve si skllav ëmbëlak, ose i zhgënjyerve, i dëshpëruar, i penduar pse humbe të vetmen mundësi që pate për të qenë vetvetja!
Jeta mund t‘ia falet dikujt, por vdekja, ajo na mbetet vetëm neve si përvojë!

Pa rebelim s’fitohet liria dhe barazia, as në shtëpi, as jashtë!
Pa liri dhe drejtësi nuk ka përparim.
Pa barazi gjinore nuk ka nëna të dijshme.
Pa nëna të dijshme, nuk ka shoqëri të emancipuar, as shtet të së drejtës.

Religjioni nevojitet për t’i ngushëlluar të dobëtit dhe për t’u dhënë guxim të frikësuarve.
Pashpresa e parajsës mund të organizojë ata dhe të vrasin të lumturit.
Rrena e „shenjtë“ për paqe të rrejshme!
Rrenat e shenjta kërkojnë nënshtrim, depersonalizim dhe gaditshmëri për ta flijuar jetën dhe „ndihmuar“ zotin për ta ndryshuar botën sipas rrenës vetjake, sepse ai nuk paska fuqi ta bëjë vetë. 
Sepse nuk besojnë se ai është i gjithëfuqishëm.

Ose ekziston zoti, ose kleri. 
Së bashku jo!
Njëri përjashton tjetrin.
Zoti përjashton klerin si nevojë, kleri përjashton zotin si fakt dhe si mundësi.
Nevoja e tij për profetë e klerikë, përjashton aftësinë dhe talentin e tij. 
Kultivimin e injorancës nga kleri, përjashton fuqinë dhe urtësinë e zotit.
Fuqia e tij mohohet në tërësi kur çdo njeri mund të punojë në emër të tij.
Kleri fiton pse beson!
Besimi është profesion!
Predikimi është mashtrim dhe premtim pa mundësi për t‘u dëshmuar!
Të vetmin mashtrim që nuk e dënon Kodi Penal.
Sepse nuk dëshiron të bëhet vrasës si kleri kur zapton pushtetin!

I varfëri paguan për të besuar. 
Edhe për t’u varrosur nga ai që paguhet për të besuar.

Meqenëse në emër të zotit mund të bëhet çdo gjë, 
pa përjashtim çdo gjë, 
të predikohet vrasja si e shenjtë, 
të vriten apo dhunohen edhe fëmijët, 
atëherë ato vepra klerikale dëshmojnë se zoti nuk ekziston, por se ekziston faktikisht vetëm kleri.
Zoti është vetëm personazh i përrallave të njeriut; 100.000 religjione ka shpikur njeriu deri tani sipas antropologut Antony F. C. Wallace.
Zoti është figurë fiktive.
Si Zeusi, Jupiteri, Bindi, Amore, Marsi… që sot nuk ekzistojnë,
por për mohimin e tyre dje, njeriu vritej.

Meqenëse është e mundur të luajë njeriu zotin, atëherë zoti i tyre nuk sheh!
Në fakt, ai nuk sheh, sepse nuk është!
Meqenëse nuk sheh amoralitetet e klerikëve, ai nuk është zot, por mit.
Miti dëshmon vetëm mitin, jo zotin.
Zoti që ekziston nuk ka nevojë të dëshmohet, si nuk ka nevojë të dëshmohet  dielli.
Ai dje u paska folur analfabetëve, sot nuk u flet gjenive!
Sepse nuk ishte dje!
Sepse nuk është as sot!

Zoti shumë i madh, nuk mund të vrasë njeriun shumë të vogël.
Si ne që nuk i vrasim buburrecat!
Zoti do të priste në krahë krijesën e tij që gabon,
si ne fëmijët tanë,
jo ta hedhë në zjarr,
si ai i religjioneve!

Kur kuptohet se ekziston vetëm kleri, fitohet liria.
Fillimi i njohjes dhe vetënjohjes!
Fillim i kuptuarit të manipulimit!
E vërteta jote, është banalitet në Kinë, apo Indi. Mu si e vërteta e tyre, për ty.

Të kuptuarit se kleri jeton me dy a tri orë punë javë, shpjegon pasionin e tyre të zjarrtë për mashtrim dhe frikësim.
Se kleri lufton dijen, dëshmon analfabetizmi kolektiv mijëvjeçar. 
Ai u mor me kolonializmin e trurit!

Se injoranca humb betejën, e dëshmon kushtetuta sot.
Se zoti i religjioneve është i padijshëm, e dëshmon lejimi i shitblerjes së skllevërve.
Nëse nuk je në gjendje të kritikosh gabimet e Atit, Shtetit dhe Zotit, nuk je rritur!
Nuk do të jesh liria, por frika!
Je nënshtrimi, jo guximi!
Jo fakti, por shtirja, dhe rrena!

Zoti është metaforë dhe pretekst i klerit nga përfiton predikuesi i miteve.
Dogmat nuk dëshmojnë zotin, por ekzistencën e dogmës.
Mbrojtja e zotit nga njeriu, vërteton mosekzistencë dhe pafuqinë e zotit!
I gjithëfuqishmi dhe i gjithëdijshmi, nuk mund të mbrohet nga i përkohshmi dhe i shumëpakdijshmi.
Zoti që ka nevojë për ndihmë nga njeriu, nuk është zot. 
Zoti nuk ka nevojë për t‘u shprehur nëpërmjet njeriut. 
Ai di të shkruajë vetë!
Ekzistenca dëshmon vetë ekzistencën.

Kleri dëshmon vetëm mosekzistencën e zotit!
Se zoti nuk ekziston, dëshmon liria absolute për të folur në emër të tij çdo krijesë humanoide, që posedon gjuhë.
Në emër të Enver Hoxhës, nuk kishte guxim të fliste askush. 
Arsyeja? 
Enver Hoxha ekzistonte!
Faktet dëshmojnë ekzistencën e faktit!
Kleri ekziston!
Ekzistenca e klerit dëshmon ekzistencën e interesit dhe profesionit, jo të zotit.
Se kleri ekziston, e dëshmon prapambeturia mijëvjeçare.
Se terri, obskurantizmi ishte fakt, e dëshmon drita e sotshme.
Klerikë të ndryshëm, për dogma e legjenda të ndryshme.

Kur vritet në emër të zotit, 
dëshmohet mosekzistenca e tij, 
sepse vritet qenia e tij, 
prej një qenie tjetër,
e cila mendon se ajo qenie, është krijuar gabimisht nga zoti.

Imagjinata dëshmon ekzistencën e imagjinatës.
Zoti i religjioneve dhe si i religjioneve, nuk ekziston!
Zoti i gjithëdijshëm nuk kërkon ndihmë për të shkruar libra.
Ai shkruan vetë.
Ai nuk ekziston sepse nuk mund të dëshmojë vetveten.
Ekzistenca e tij është biznes, jo mundësi. Jo fakt!

Rrena arsyeton rrenën.
Rrena ekziston! Ajo mohon qartësinë dhe faktin.
Kur rrena zhbën faktin, rrena shndërrohet përkohësisht në fakt.
Faktet zhbëjnë rrenën, por shumica e refuzon. Nga frika!
Fakti dëshmon të kundërtën e rrenës.
Rrena dëshmon pushtetin e saj mbi faktin.
Si shekujt e kaluar!
Jeta në rrenë dhe me rrena, krijon përshtypje të rrejshme rehatie.
Prandaj kleri ekziston, por jo zoti. 
Për të shitur iluzione dhe inkasuar lekë.

Zoti i gjithëfuqishëm i religjioneve është i gjithëdobët, 
sepse nuk mund të shpëtojë asnjë foshnje nga uria, 
as një njeri, 
nga tre miliona veta sa vdesin në vit në planetin Tokë.

Sikur të ishte i mirë religjioni, pushtuesi nuk do ta impononte me dhunë,
nuk do ta falte kurrë,
do ta mbante vetëm për vete,
të pushtuarit do t’ia ndalonte,
si arsimin!

Lufto legjendat, jo me armë si ata, 
me përgënjeshtrime,
ndriçoje njeriun, me arsim,
ose shpërfilli si zoti,
mijëra fraksionet e tyre!

Legjendat e huaja shkatërrojnë kulturën tënde. 
Ato i kanë rrënjët në mosdijen dhe mosnjohjen absolute: të guruve, shamanëve, profetëve të vetëshpallur, rabinëve, priftërinjve, imamëve dhe popave… 

Zoti nuk fal e nuk merr jetën!
Ai që e fal, nuk mund ta marrë!
Prindi nuk vret fëmijën e vet, as zoti s’do t’i merrte shpirtin të vetit.
Njeriu ekziston pa zotin, zoti jo pa njeriun.
Zoti nuk do të varej nga njeriu.
Njeriu ndien nevojë për baba-dimër.
Njeriu ka nevojë për drejtësi, jo për mbikëqyrje dhe ndëshkime.
Drejtësia nuk është e mundur, sepse klerikët hanë pa punuar dhe shtrembërojnë realitetin deri në theqafje: duke u paguar për mashtrim!

Sikur të ekzistonte zoti, nuk do të ekzistonte nevoja për klerin. 
Njeriu thjesht do të lindej me besim fetar, si lindet me nevoja themelore: uri, etje, epsh, nevojë për gjumë, ajër, dritë, terr etj…
Derisa të ekzistojë kleri, do të vdiset për epërsinë e njërës përrallë mbi tjetrën.

E pra, pse nuk ekziston zoti i monoteizmit, apo zotat e politeizmit në Lindjen e Largët? 

Sepse ekziston kleri! Sepse zoti përjetohet si shef i një firme, të cilën nuk e administron dhe ku mund të punësohet kush dëshiron, pa pyetur bosin!
Sikur të ekzistonte zoti, nuk do të ekzistonte mundësia për të thënë se ai nuk ekziston, siç nuk mund të thuhet se nuk ekziston drita.

Interesi i zotit, sikur të ekzistonte siç thonë religjionet, është praktikisht aq i madh për ne, sa i njeriut për jetën dhe veprat e mikrobeve! 
Kjo dëshmohet me padrejtësinë në Tokë, ku fiton gjithmonë më i forti, e jo më i drejti, si në mal, ashtu edhe jashtë tij!
Mos Harro:
Nuk je lindur për të besuar, por për të menduar, mësuar dhe përmirësuar jetën!
Nuk ke ardhur në këtë botë për të realizuar ëndrrat e huaja, por tuat!
Shanse tjera pas kësaj jete nuk do të kesh.
Natyra nuk prodhon kopje, por vetëm origjinale!
Nuk jetohet disa herë, por vetëm një herë!
Njeriu ka vetëm një jetë dhe vetëm një varrim!
Përpiqu të lësh gjurmë të ekzistencës pas vete!
I nënshtruari nuk është vetvetja!
Ai është mashë!
Ai nuk ekziston si fakt,
por vetëm si hije e klerit!

Keine Kommentare: