13.06.2020

Autokratët, Gazetaexpress

E vërteta gjithmonë ka probleme kur i afrohet partive politike, sepse në zyrat e tyre, shpërfytyrohet ajo: aty shqyrtohet, përpunohet dhe kristalizohet një tjetër e vërtetë, edhe kur është në dëm të shoqërisë (rrëzimi i Qeverisë gjatë pandemisë, protesta e djeshme), por me rëndësi të jetë në harmoni të plotë me interesat e autokratit, që udhëheq partinë dhe që mund të ndihet i rrezikuar.  

E vërteta futet në zyrat e autokratëve si e pafajshme, si e vërtetë e përfunduar, si e drejtë dhe naive, por kur del jashtë, shfaqet si dilemë e madhe. Arsyeja? Aty i përshtatet interesave të një njeriu dhe pastaj militantët partiakë, e besojnë deformimin, e shpërndajnë rrenën dhe e përligjin atë nëpër portale dhe media sociale.

Militanti është njeri enigmatik dhe problematik. Nuk dihet a fiton, a ka fituar dhe shpreh mirënjohjen, apo pret shpërblim për angazhimin e madh në shpërndarjen e propagandës, apo të kërcënimeve.  Ndoshta duke u ndier pjesëtar i një grupi, ai beson se edhe vet ka vlerë të madhe dhe do të jetë  njëri nga kontribuuesit e fitores eventuale. Ndoshta vetë nuk ka me çka të mburret dhe prandaj i nevojitet një krenari e jashtme, e gatshme, të cilin ai e përvetëson dhe e konsideron të veten, duke e lavdëruar veten për kontributin, që ka dhënë, që po jep dhe që do të japë në formë të propagandës. 

Militantët nuk dallohen nga ekstremistët fetarë. Edhe ata, si besimtarët radikalë, udhëheqësin e konsiderojnë të pagabueshëm. Nëse lideri i tyre dështon, fajet i ka gjithmonë dikush tjetër. Si ekstremizmi fetar, edhe ai politikë, është i dëmshëm për demokracinë, sepse manipulon njeriun dhe në të gjitha mënyrat, përpiqet t’ia imponojë një të vërtetë partiake, por jo të lejojë anëtarin e vet të mendojë me mendjen e vet. Kjo është arsyeja pse edhe autokratët e korruptuar dhe të pasuruar padrejtësisht, rivotohen. 

Ata një pjesë të votuesve e kanë korruptuar, e kanë blerë, një pjesë e kanë manipuluar dhe këto dy gjymtyrë i garantojnë mbijetesën edhe kriminelëve në politikë. Prandaj ata as nuk skuqen kur bien në kundërshtim me mendimet e veta! Sepse ata mendimet i ndryshojnë, si laviret klientët! Ata ngrysen me një qëndrim, gdhihen me kundërshtim të vetvetes!

Ashtu si kleriku që mburret me njerëz, që nuk vejnë në dyshim autoritetin e tij dhe të vërteta e tij,  edhe politikani autokrat (ne i kemi të gjithë autokratë, pa përjashtim) parapëlqen njerëzit, që tregojnë gaditshmëri të zvarritjes: që binden, që nuk shtrojnë shumë pyetje dhe që nuk vejnë në dyshim sjellje, qëndrime apo konkluzione, që mund të cenojnë interesin dhe epërsinë e liderit, si e Fidel Castros, „Líder Máximo.„ Autokratët tanë quajnë veten demokratë, por në shpirt  janë diktatorë. Nuk mund t’i ikin edukimit dhe moralit enverist, komunist. Më poshtë do të përmendet një shembull eklatant, edhe pse ajo etikë  shquhet nëpër shumë debate dhe analiza, ku vërehet se sistemi ka ndryshuar, por jo politikanët sjelljen dhe të gjykuarit!

Demokracia ka rregulla morale dhe politikani rrëzohet për një gabim, në demokracinë tribale, edhe kur vjedhin miliona, rivotohen. Populli nuk përkap shtetin si ngrehinë, si domosdoshmëri të veten. Ai i parapëlqen normat e veta fisnore. Ai revoltohet nëse i preket një metër oborr ose arë, por jo kur i zvogëlohet shteti për mijëra metra katrorë. Autokratët e dinë këtë shumë mirë dhe e shfrytëzojnë maksimalisht dhe paturpësisht atë naivitet tribal!

Në partinë, apo në shtetin, që udhëhiqet nga një autokrat, interesi publik është në rend të tretë, në të dytin është ai i shtetit dhe në të parin, interesi i autokratit. Ai qëndron mbi ligjin dhe nuk ka gjykatë, që mund të gjykojë atë, sepse ata janë vegla të tij. Interesin e vet e shpjegon ai si interes të shtetit dhe të popullit, pastaj militantët kujdesen për ta shpërndarë atë si të vërtetë absolute. (Populli votoi Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin, por qeveriset nga Hoti, të cilin nuk e kishte parë as në ëndërr.  Albin Kurti me vetëdije dhe qëllimisht humbi pushtetin, ndërkaq Vjosa Osmanin, e ekskomunikuan antirugovistët!)

Militanti gëzohet si vogëlush naiv: ai mburret dhe shpërndan fotografinë e liderit, mendimet e tij, ndërsa dyfytyrësinë e tij e shpërfill ose e arsyeton si normale, por dyfytyrësinë e kundërshtarit e zmadhon dhe e sulmon si mungesë dinjiteti dhe integriteti.

Partitë që nuk lejojnë lirinë e të menduarit ndryshe, nisin rrënimin sapo të largohet lideri i profetizuar. Kjo është arsyeja pse Arbër Xhaferi nuk ka pasues dinjitoz, e as Rugova, por nuk do të kenë as Thaçi dhe as Kurti. Arsyeja? Autokratët shqiptarë përjashtojnë njerëzit, që dinë të mendojnë vetë, sepse adhurojnë ata që falënderojnë, që duartrokasin dhe që nënshtrohen vullnetarisht. (Mustafa ia dorëzoi Hotit fitoren e Osmanit dhe nesër ia dorëzon edhe partinë, sepse është në natyrën e Veglës, të zgjedhë pas vete Veglën! Me Mustafën LDK përgjysmoi votuesit e vet, me Hotin, do t’i përgjysmojë edhe një herë) 

Rrëshqitjen nga partia demokratike, në klan fisnor, e ilustron kryesia e  LDK-së, e cila çdo mendim të Mustafës, e aprovon mu si Komitetet Qendrore të partive komuniste! Një herë ai Komitet vendos të mos krijojë koalicion me disa parti. Me ato premtime fitoi vota, tani vendos të bëjë koalicion pikërisht me ato klane, që para zgjedhjeve i pat refuzuar si grupe mafioze! Kryesia nuk duhet të mendojë. Ajo vetëm duhet të aprovojë! Për të mendon Mustafa dhe ai është kujdesur të largojë pasuesit e Rugovës nga Kryesia, apo i ka shndërruar në pakicë.

Shembull tjetër ilustrues është qëndrimi i disa anëtarëve të Kryesisë së LDK-së ndaj Vjosa Osmanit dhe presioni dramatik, që i bëhet për t’u larguar nga partia. Trysnia nuk bëhet  vetëm nga fraksioni i Thaçit brenda LDK-së, por atyre u vjen në ndihmë edhe kryetari i shtetit personalisht duke u marrë me shpifje dhe duke akuzuar fëmijët për veprat e prindërve kur ndoshta ata as nuk ishin lindur. Kjo është logjikë ekstremiste enveriste! Kjo është shkolla komuniste kur synohet shkatërrimi i imazhit të një familjeje. Me atë akuzë publike dënohet edhe fëmija për gabimet e prindit! Si në Gullagët e Enverit, si në ato të Stalinit.  

Kryetari i Kosovës, i cili në zyrë pati një agjent të shërbimit sekret serb, merret me denoncime publike! Amoraliteti nuk ka brirë!

Pse e bën këtë kryetari, apo pse bie ai aq poshtë dhe të merret me shpifje ? Ai ka frikë! A ka frikë se Vjosa Osmani mund të marrë në dorë LDK-në dhe aty do t’i fundoset ëndrra e fundit për t’u zgjedhur edhe një herë kryetar. Deklaratat e tij se nuk dëshiron të kandidohet, janë dëshmi se po përgatit terrenin për t’u kandiduar edhe një herë, prandaj e „mbron“ LDK-në nga një nënkryetare e saj.

Mustafa i gëzohet shpifjeve të Thaçit. Ai hesht dhe pranon me kënaqësi ndihmën. Si edhe Komiteti Qendror i LDK-së. Me Hotin dhe Mustafën Thaçi do të bëhej kryetar përsëri, sepse që të dy janë mercenarë që e kanë zaptuar partinë e Rugovës, të cilën Vjosa Osmani dhe disa të rinj përpiqen ta shpëtojnë nga kthetrat e tyre. Partisë së Rugovës me Mustafën dhe Hotin i kanë mbetur vetëm tri shkronjat e dikurshme, por si parti private e Mustafës, i ka shërbyer kryesisht karrierës së Thaçit.

Nuk është çudi kur kryetari Thaçi akuzon familjen e Vjosës, ai në fakt atë mendim ka edhe për krejt LDK-në, edhe për Rugovën. Mjafton të kujtohet poshtërimin, që i ka bërë në librin e tij në anglisht, edhe pse liderët e botës kishin dhe kanë mendim pozitiv për Ibrahim Rugovën.

Votues i vetëdijshëm është ai votues, që ndëshkon abuzuesit në politikë. Ky votues stabilizon demokracinë, të tjerët ndërtojnë autokracinë, pasojat e së cilës, do t’i paguajnë fëmijët e tyre.


Libra nga Lis Bukuroca

Ata që jetojnë në Gjermani mund t'i porosisin disa libra edhe te thalia.de  ose në 340 libraritë e saj në Gjermani, Austri dhe Zvicër.  

Gjenden edhe te libraria më e madhe në SHBA  Barnes and nobles dhe mund të porositet, përveç online, në 630 libraritë e tyre.  Shikoni ju lutem se ku ju konvenon çmimi më tepër. Unë mund të vendos vetëm për çmimin te lulu, jo te botuesit tjerë.

Kuptimi i jetës  te amazon *, Kuptimi  jetës te lulu **, Letër burrave (I )te amazon

Letër burrave (I) te lulu, Letër burrave (II) te amazon, Letër burrave (II) te lulu

Ngjyrat e dashurisë te amazon, roman vetëm për lexues të moshës madhore, Ngjyrat e dashurisë te lulu, roman vetëm për lexues të moshës madhore, Shtatë parimet e dashurisëHijedritat e jetësDie Asylbewerber, komedi gjermanisht


* Te amazon tash e tutje mund të porositen edhe nga Australia.

** Te lulu mund të porositen nga 150 vende të botës. Shikoni çmimin se ku ju konvenon më shumë.

Keine Kommentare: