Sikur të kishte këshilltarë të urtë, jo vetëm formalisht sa për të punësuar ndonjë të afërm, siç e kanë zakon politikanët shqiptarë, nuk do të kishte shkruar: "Askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës“, por:
"Unë Hashim Thaçi, kryetar i Republikës së Kosovës, dikur drejtor politik i Shtabit të UÇK-së, kam luftuar për të çliruar atdheun tim, ashtu siç e bënë edhe popujt sllavë para neve: sllovenët, kroatët dhe boshnjakët. Neve na ndihmuan SHBA, Anglia, Gjermania, Italia, Franca dhe shumë vende tjera perëndimore si anëtare të NATO-së, sepse ishin të bindura se lufta jonë ishte e drejtë.
Popujt që janë vëllezër në mes vete, nuk deshën të jetojnë nën diktaturën e Millosheviqit. Natyrisht, as ne jo, si josllav dhe si i vetmi komb autokton në ish-Jugosllavi. Bashkëjetesën me Serbinë nuk e deshën as dy kombet tjera sllave, maqedonasit dhe malazezët!
Dëshira ime ka qenë të çlirohet edhe Lugina, e cila nuk ka as të drejta elementare dhe me gati 40.000 banorë, nuk ka spital, sepse është komunë shqiptare brenda Serbisë, pa dëshirën e saj!
(Fakt që nënvizon diskriminimin, sepse nuk ka komunë në Europë me aq shumë banorë, pa spital në vitin 2020)
Serbia ka copëtuar kombin shqiptar në katër copa: nuk ka asnjë familje shqiptare në ish Jugosllavi, e cila nuk është e prekur nga ajo: ndonjë ka të vrarë, ndonjë ka të burgosur, apo të dëbuar. Shumë herë edhe të gjitha ato tragjedi gjenden brenda një familjeje. Serbisë i qe lejuar vrasja, dëbimi dhe terrorizimi i shqiptarëve për më shumë se një shekull. Edhe diaspora shqiptare është fakt i diskriminimit dhe dëbimit të shqiptarëve.
Sikur pasardhësve të Hitlerit t'u jepej mundësia, edhe ata do të akuzonin hebrenjtë për krime lufte! Ashtu si akuzohem sot unë!
Shteti serb ka përvojë të madhe në sajime dhe shpikje të tilla. Shitjen e organeve e ka organizuar dhe kryer Qeveria serbe. Ajo ka atë mundësi dhe atë infrastrukturë. Kjo është arsyeja pse ka sekuestruar mbi 1.300 kufoma, (të shqiptarëve të ekzekutuar në Serbi), në mesin e tyre edhe të fëmijëve. Edhe një herë: shteti serb ka sekuestruar mbetjet e të vdekurve dhe tash e 20 vjet nuk i kthen. As Vuçiqi, shefi i propagandës në Qeverinë e Millosheviqit. Si Paul Joseph Goebbels në Qeverinë e Hitlerit.
Për më shumë se 100.000 shtëpi të djegura nuk është dënuar askush dhe nuk është paguar dëmshpërblim.
Nga oficerët, ushtarët dhe paramilitarët serbë, janë dhunuar 20.000 gra, në mesin e tyre edhe vajza të mitura. Nuk ka të dënuar!
Janë vrarë 13.500 veta, në mesin e tyre fëmijë, gra, pleq dhe plaka. Nuk ka të dënuar, apo numri është tejet i vogël për barbarinë e shkaktuar.
U dëbua mbi 50% e popullsisë dhe u vodh çdo gjë që mund të shkulej, apo të merrej me vete. Edhe arkivi edhe makineria nëpër fabrika.
Unë do të luftoja përsëri nëse kërcënohet atdheu im.
Presedani që po krijohet me Kosovën, do të ndikojë që popujt e shtypur dhe skllavëruar, të mos kenë guxim të ngrihen për t'u çliruar. Atyre u dërgohet një mesazh i qartë: duroni skllavërinë, përndryshe ju shpallim kriminelë!
Unë sot ndihem si një hebre, që do të hidhet në gjykatë, për të përkëdhelur sedrën e fashistëve: sedrën e Paul Joseph Goebbelsit!
Ne nuk kemi luftuar në Serbi, ne kemi luftuar në Kosovë! Ne nuk nuk kemi pushtuar vendbanime serbe, ne ëndrronim vetëm çlirimin nga pushtimi serb!“
(Deklarata e kryetarit do të lexohet në krejt botën; do të citohet nëpër media dhe prandaj duhen seriozitet, jo se ky mund të ndikojnë në aktakuzë, por se i shpjegon botës për realitetin shqiptar, për barbarinë e shtetit serb dhe ndikon në krijimin e empatisë. Ky mendim-rekomandim vlen vetëm për kohën e luftës, jo për krime eventuale në kohën e paqes!
Mendimi "askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës“, bën njerëzit të tallen dhe të sjellin kokën nga habia. Ajo është parullë komuniste, si ato të Enver Hoxhës: krekosje pa mbulesë! Thua se jemi fuqi atomike, botërore!)
Libra nga Lis Bukuroca
Ngjyrat e dashurisë te lulu, roman vetëm për lexues të moshës madhore
Die Asylbewerber, komedi gjermanisht
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen