02.09.2020

Dija dhe shpërblimi

Një inxhinier u thirr për të ndrequr një kompjuter shumë të madh dhe jashtëzakonisht kompleks; një kompjuter me vlerë prej 12 milion dollarësh.
I ulur para ekranit, ai shtypi disa taste, tundi kokën, mërmëriti diçka me vete dhe e fiku.
Pastaj nxori nga xhepi një kaçavidë të vogël dhe e rrotulloi përgjysmë një vidhë të vockël.
Disa çaste më vonë,  e ndezi përsëri kompjuterin dhe e pa se ai funksiononte në mënyrë të përsosur.
Presidenti i kompanisë mbeti i kënaqur me punën dhe vendosi të paguante faturën aty për aty.
- Sa ju detyrohem?,- pyeti ai.
- Një mijë dollarë! Shpresoj se nuk ju bezdis…
- Një mijë dollarë!? Një mijë dollarë për disa minuta punë!? Një mijë dollarë, thjesht për të  shtrënguar një vidhë të vogël!!! Unë e di që kompjuteri im kushton 12 milionë dollarë, por një mijë dollarë është një shumë tepër e madhe! Unë do ta paguaj vetëm nëse më dërgoni një faturë të detajuar, që arsyeton në mënyrë të përkryer këtë shifër.
Inxhinieri pohoi me kokë dhe u largua.
Të nesërmen në mëngjes, presidenti mori faturën, e lexoi me kujdes, tundi kokën dhe e pagoi menjëherë. Në faturë shkruante:

Shërbimet e ofruara:
  • Shtrëngimi i një vidhe: Dollarë: 1
  • Dija se cila vidhë duhet të shtrëngohet: Dollarë 999
  • Gjithsejtë: 1.000 dollarë
Nga italishtja Lis Bukuroca

Mesazhi:
Për ta fituar atë dije, atë kompetencë, duhet vite shkollë dhe studime, prandaj shpesh nuk paguhet koha, por zotësia dhe rezultati, mirëpo aty ndikon edhe vlera e pajisjes. Për një makinë normale çmimi i rindreqjes është më i vogël, se sa për një Mercedes apo Ferrari!

Pra, ata që duan të fitojnë për pak kohë shumë, duhet të dinë më shumë se pjesa dërmuese e njerëzve. Për të arritur atë aftësi, nuk nevojitet vetëm studimi, apo pasioni, por edhe përvoja! Një inxhinier tjetër ndoshta do ta kishte kërkuar vidhën e saktë 7-8 orë dhe kjo kohë e humbur, do të shfaqej pastaj në faturë!

Libra fizikë nga Lis Bukuroca te amazon
Ribotime, plotësime dhe redaktime si libra elektronikë

Keine Kommentare: