10.01.2021

Aktdëshmi (II) Shtatë parimet e dashurisë*

ti e zgjodhe nusen, e more për vete 

kur u ktheve nga puna, i trishtuar mbete

punoje larg shtëpisë, në fund të javës kthimi 

me hapa të shpejtë, shkëlqeje nga gëzimi 


hyre në shtëpi, me trëndafila në dorë

nuk e gjete askund, t’u bë zemra borë


prindërit të dhanë lajmin, nusen ta kemi lëshuar

s‘ishte për profesor, s‘të kishte merituar


„jetën ta kemi falë, na vendosmi për ty

ajo e ka pasë, ajo punë asht kry


nuk të duhet ajo, vetë je me fakultet 

na duhet një amvisë, shërben e nuk flet„

ti dole i përlotur, pa thënë asnjë fjalë

mbete ca i shtangur, të ra uji valë


zbrite në bodrum, me një litar të gjatë

e hodhe mbi tra, para se të bëhej natë

more një karrige, lidhe lart një nyjë

me një rreth për qafën, ku koka mund të hyjë


shqelmove karrigen, sytë t’u zgurdulluan 

luhateshe në ajër, thua se me prindërit luan 


prisje pezull, për të të zbritur poshtë dikush 
pushoi dhe luhatja, e nuk shfaqej askush


trishtimin të dhuruan, pikëllimin u dhurove 

pse s‘lëshove prindërit, pse të dashurën tmerrove

s‘meritonte dënimin, dashuria jote e madhe 

s’arrite të kuptosh, se gaboje kësaj radhe 


u nise i vetmuar, ike tutje drejt reve

pse atyre prindërve, jetën ua ktheve 


ajo ishte e jotja, ti ishe i rritur

ishte dhuratë, ti s’e kishe porositur


dhurata s’kërkohet, ajo nuk i kthehet kujt

as prindërve e miqve, e as tjetërkujt 


para litarit në tra, jeta ofron dhjetëra mundësi 

pse s‘u mendove ca, pse ike me përulësi


mendove se prindërit, me kolovajzë të luhatnin

apo prisje në grahmën e fundit, ata ty të kapnin 


kur vure litarin në fyt, a imagjinove duart e tyre ngritur

shqelmo karrigen vogëlush, shqelmoje, jemi duke pritur


prandaj e godite pa hamendje, i qetë dhe i pa pendesë

e la nusen në ankth, u zhduke ti si vesë


a tha vetë me vete, merreni, ja ku e keni

si pronarë të jetës sime, dashuri ju nuk ndjeni

pse nuk mendove, të ikje në Prishtinë

aty ku punoje, të jetoje tutje dashurinë

pse nuk more me mend, së paku këtë mundësi

apo e besoje edhe ti, jeta s’të takonte ty


apo nga tronditja, ti humbe çdo aftësi

t’u bë e pamundur, të vendosje me urtësi


shokët e tu qanë, nuk kuptonin aktin

mbetën shtang pranë varrit, ata s’pranonin faktin

ndoshta vështron nga qielli, ndoshta duke qarë

je tani i penduar, apo ndihesh fitimtar


sido që të jetë, gabimi i prindërve mund të korrigjohej

dhe vendimi yt, sot nuk do të mallkohej


më shumë frikë nga prindërit, se nga vdekja kishe pasur

ti bashkëshortes tënde, zemrën ia ke plasur


si ka vazhduar jetën nusja jote, s’mund të imagjinohet

e çmendur ose me trauma, kjo mund të besohet


të njihnim si të urtë, s’priste askush atë marrëzi 

s’e meritonte nusja jote, s’e meritonte atë tradhti

braktise jetën, e braktise si frikacak

por edhe prindërit parakë, të kishin njohur pak


s‘di ç‘të them tjetër, akti s’ishte thjesht një gafë

pas pikëllim të madh la, more nusen e re dhe veten në qafë


sa prindër kanë shkatërruar, shkatërrojnë edhe sot

duke i bërë fëmijët si vetja, që nesër gjëllijnë kot


për lirinë e jetës, në shtëpi e jashtë, duhet luftuar

për të mos pyetur veten nesër, vallë pse ke jetuar


pse ke lejuar, të jetosh jetën e dikujt tjetër

e pate mundësinë, ta bëje tënden kryevepër

atyre mund t’u falet, kanë frikë nga liria

s’e kishin përjetuar kurrë, u mungoi mundësia

ata në një natë, qenë hedhur në krevat

ajo me fustan të bardhë, ai me kostum e kravatë


mirëmbrëma nuse, zhvishu menjëherë cullak

ta mëson burri, seksin për merak


por ti që po lexon këto vargje, krijo familje vetëm me dashuri

e kundërta e saj, quhet vetëm robëri

bëhu autor i jetës, sipas aftësive që ke

kjo është bota jote, kokën pas mos kthe


*Tragjedia është e vërtetë dhe ka ndodhur në Kumanovë...

Nga përmbledhja me poezi Shtatë parimet e dashurisë

Keine Kommentare: