14.01.2021

Letër diasporës, Gazetaexpress, Botasot, Revista Drini, flasshqip, perqasje, fjala

Isa Mustafa ka thënë hapur se ata që nuk jetojnë në Kosovë, nuk duhet të votojnë. Domethënë atyre që dërgojnë qindra miliona euro në vit, duhet t’u ndalohet ndikimi në politikën e Kosovës. Në anën tjetër, kur një vend i huaj i jep disa milionë ndihma, këta i zvarriten pas me gjuhën jashtë.

Mustafa duke qenë i sigurt se diaspora përjashtohet nga zgjedhjet, apo tkurret tmerrësisht shumë numri i votuesve, ndihet i

sigurt në fitore dhe ka guxim të ftojë votuesit për ta votuar LDK-në, edhe atë, duke u bërë të qartë me arrogancë dhe me mungesë mirënjohjeje, se ata mund të vendosin vetëm për deputet, por se kush krijon Qeverinë dhe si krijohet ajo, me kë, votuesi nuk ka të drejtë as të pretendojë, as të zemërohet, sepse Mustafa është ai që e di se çfarë i duhet popullit, çfarë jo.


Dhe, meqenëse Mustafës dhe partive tjera u konvenon përjashtimi i mërgimtarëve, atëherë KQZ deklaron se votuesit jashtë atdheut do të telefonohen. Nëse nuk përgjigjen tri herë, i anulohet e drejta e votës, domethënë në një farë mënyre u hiqet nënshtetësia.


Kujt i hiqet? Atyre që e ushqyen dje Kosovën dhe që e bëjnë edhe sot! Jo vetëm kjo, por ishin mërgimtarët ata që e mbajtën edhe UÇK-në, ishin edhe mërgimtarët që luftuan, ishin ata që financua fondin „Vendlindja thërret“ dhe fondin prej 3 % që e arkëtonte Isa Mustafa dhe që nuk ka sjellë kurrë fakte, domethënë që nuk ka publikuar kurrë hyrjet-daljet dhe përdorimin e atyre qindra milionave. Një njeri i drejtë publikon të gjitha dokumentet pa ia kërkuar, për të pamundësuar dyshimet për keqpërdorim, mirëpo, LDK e Mustafës, nuk është asgjë tjetër pos PDK me maskë!


Nuk është çudi kur Serbia i përjashton shqiptarët nga zgjedhjet, por kur i përjashton Kosova, atëherë shihet se kriminaliteti i organizuar po trishtohet dhe po përdor armën e fundit për të ruajtur rezultatet e deritanishme, për të penguar ardhjen e brezit të ri në pushtet: Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit.


Të esëllohemi pak, edhe pse era e alkoolit turinjve hajnave nuk largohet aq shpejt: jashtë Kosovës jetojnë diku 700.000 qytetarë. Nëse diku 400.000 janë të moshës për votim, atëherë KQZ deri më 12.02. 2021 ka 23 ditë kohë për t’i kontaktuar ata. Nëse një telefonatë verifikimi zgjatë pesë - gjashtë minuta, atëherë një punëtor, mund të kontaktojë për një orë 10 veta. Për tetë orë, 80 vet pa shkuar në banjë. Meqenëse nëpunësit e administratës njihen në botë si shumë të zellshëm, të themi se në Kosovë i kontaktojnë diku 40 veta.


Nga 13 janari, e mërkurë, deri në 12 shkurt, e premte, janë 23 ditë pune. Për t’i marrë  në telefon 400.000 veta, duhet të flitet me 17.390 veta brenda një dite. Për të arritur këtë duhet diku 500 punëtorë që telefonojnë mesatarisht dyzet deri në 50 veta në ditë. Po nëse janë mbi 500.000 veta të moshës madhore dhe të interesuar për votim, e nëse janë 600.000? Të mos harrojmë se vetëm 10 vitet e fundit janë larguar nga Kosova mbi 200.000 veta kryesisht për punë, d.m.th. të moshës madhore.


Nëse telefonon vetëm një njeri, atëherë më shumë se 1000 - 1500 veta nuk mund të kontaktohen!


Sa i kushtojnë ato telefonata arkës së shtetit? Pse abuzohet me lekët e shtetit dhe pse verifikimi nuk bëhet me email? Dhe, a ka ligje të cilat përligjin thirrjen telefonike dhe nëse njeriu thirret në Gjermani, pse mos të thirret tjetri në Brojën e Thaçit, Prapashticën e Mustafës, apo Muçivërc? Pse në këto vendbanime përjashtohet mundësia e mashtrimit?


Pse ky që jeton jashtë qenka kriminel potencial, por jo ky që jeton në Gllogjanin e Haradinajt, në Rahovecin e Hotit, apo në Gjylekar? Pse në këto ngulitje jetojnë vetëm njerëz të moralshëm dhe fisnikë? Pse diaspora qenka kriminele? Çfarë fakte posedon KQZ për mërgimtarët si mashtrues, sa fakte ka për politikanët që jetojnë në Kosovë? Ku i merrni këto paragjykime dhe kush ju frymëzon të urreni pjesën e popullit tuaj? Apo thënë me një proverb gjerman: “Pse kafshoni dorën që ju ushqen?“


Pse mendoni se ju keni të drejtë ta vidhni shtetin, të kërkoni lekë e investime nga diaspora, të parashikoni ministri të diasporës dhe mërgimtarët t’ua parandalojnë një kryengritje nga varfëria dhe uria?  Edhe një herë, pse mendoni se politikanët duhet të bëhen milionerë duke vjedhur, por mashtrues, manipulues dhe kriminelë, i konsideroni ata që janë jashtë dhe që nuk shkelin ligjet e Kosovës, por vetëm ndihmojnë? 


Edhe sikur të ishin vetëm një milion euro, e jo mbi 800 milionë, sa janë, ata i dhurojnë. E mundur se edhe ndërtojnë shtëpi, por materiali blihet në Kosovë dhe punojnë qytetarët e Kosovës, prandaj nevojitet falënderim, mirënjohje dhe jo gjykimi, jo paragjykimi, sepse paratë që dërgohen nuk mblidhe rrugës, por investohet jeta dhe shëndeti për t’i fituar ato, edhe atë, duke vuajtur për atë atdhe që e shtritë përdhe dhe gati ia nxorët shpirtin. Madje ne edhe duke u skuqur kur i përmendet emri vendit, për imazhin që ia shkatërruat duke u paguar nga Kosova! 


Në fakt shumë veta nuk kanë nevojë vetëm për lekë, por edhe për ndriçim, për vetëdijesim, sepse pafytyrësia nuk po merr fund! Askund në botë nuk votohet hajni në politik dy herë, as kuadri i pushtuesit! Ju ende nuk po kuptoni detyrën e votës: ajo punëson dhe shpunëson. Shpunëso me votë sepse ti je shef i tij dhe i vendit të punës që ti e mundëson! 


Ja në çfarë gjendje keni ardhur:


LDK gjoja po lufton ardhjen e komunistëve në pushtet, me komunistin e Krahinës Socialiste në krye të partisë!

Mustafa të thotë voto, por qysh tani të anulon mundësinë për caktuar drejtimin me votën tënde. Tani kërkon drejtësi për aktivistët e vrarë të LDK-së dhe nuk bëri gjë kur qe tri vjet Kryeministër!

PDK të premton drejtësi, pa u shkëputur dhe pa u distancuar nga shtrembësia e vet.

Haradinaj kërkon shpërblim për humbjen e Çakorrit!

Hoti të kërkon vota pse dëshmoi mungesë dinjiteti dhe integriteti dhe me votat e zonjës Osmani, u bë Kryeministër! Këtij i kujtohet se ekziston Lugina tash para zgjedhjeve, por jo kur ishte në tryezë të bisedimeve!


Ja, janë këto vetëm disa arsye nga dhjetëra tjera, që dëshmojnë se duhet dija dhe ndihma elektorale e diasporës. Ata nuk i shpërblejnë pafytyrësitë e tilla. Ata dënojnë me votë!


Nëse Mustafa me Pronton i heq qytetarit të drejtën për t’u brengosur për ardhmërinë e vendit, atëherë le t’i heqë edhe nënshtetësinë ose, le t’i shpall irredentistë dhe armiq të Kosovës, sepse ashtu si serbet e Serbisë, që nuk kanë të drejtë vote në Kosovë, nuk do të kenë as irridentistët! 


E diasporës? Mos pranoni përjashtimin nga atdheu! Mos pranoni të konsideroheni serb të Serbisë. Kthehuni këtë herë se ju kushton më pak, sesa financimi vjetor që bëni, që nuk do të marrë kurrë fund me politikanët e deritanishëm. Kosova ka nevojë për shtetin social. Ju nuk dërgoni vetëm familjeve, ju paguani edhe në doganë për të hyrë në Kosovë! Haraç!


Ne pas çlirimit mendonim të kthehemi! E çfarë ndodhi? Ata po dëbojnë jashtë me mjerim mu edhe si në kohën e Millosheviqt dhe Rrahman Morinës! Ata duhet të përjashtohen nga skena politike, edhe atë, me votë!


Vota e tanishme është aq e rëndësishme, sa dje financimi i fondit „Vendlindja thërret“ dhe 3% që ia dërgonit në bankë mërgimtarit Isa Mustafa. Një fitore e madhe e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, do ta shpëtonte nga uzurpimi edhe partinë e Rugovës dhe rikthente në skenë politike.


Vepro në atë mënyrë që me 14 Shkurt, në Ditën e Dashurisë, të fitojë dashuria edhe drejtësia, jo ata që të mashtrojnë tash e 20 vjet.


.......................................

Libra nga Lis Bukuroca

Keine Kommentare: