16.08.2021

Nëse jo drejtësi për të gjithë, atëherë mjerim për të gjithë, Bota sot, drini.us, flasshqip.com

Talebanët nuk u kthyen si ngadhënjimtarë pse patën ushtri të madhe dhe armatim të rëndë me avionë, tanke dhe raketa, por pse populli ishte i zhgënjyer me padrejtësitë e mëdha të klasës së re politike.


Talebanët nuk patën nevojë të luftojnë me pushkë, sepse shteti i hajdutëve shembej brenda vetvetes, sapo i afroheshin ata një qyteti: armata dhe policia mbeteshin pa komandë, sepse hajdutët e politikës, që kishin vjedhur shtetin, arratiseshin! 


Mijëra shqiptarë nga Kosova kanë pasaporta serbe dhe mjaftë prej tyre, do t’i gëzoheshin kthimit të Serbisë! Ndoshta edhe nga zhgënjimi. Perëndimi nuk ia doli t’i mësojë politikanëve afganët të duan shtetin, si nuk ia doli as në Kosovë, megjithatë i vështroi si pasuroheshin padrejtësisht si në Afganistan, ashtu edhe në Kosovë!


Ata ende nuk kanë kuptuar, si është e mundur një klasë politike, (jo një e dy, por gati të gjithë) që do atdheun, ta dëmtojë shtetin e vet?! Pikërisht ajo është e mundur dhe është parim në një shoqëri fetare-patriarkale. Shteti aty përjetohet nga burrat si pengues i lirisë së pakufizuar të meshkujve!  Ose më saktë: shteti demokratik, u ndalon burrave, çfarë u lejon zoti i i besuar i Epokës së Gurit.


Nëse sistemi i ri nuk është më i drejtë se i vjetri, atëherë populli përshëndet kthimin e të vjetrit, ku injoranca dhe mjerimi, do të shpërndaheshin deri diku në mënyrë të barabartë: si për njeriun e rëndomtë, ashtu edhe për oligarkun e ri!


Populli i paarsimuar, apo i arsimuar keq dënon edhe vetveten, vetëm për të përjetuar dënimin e oligarkëve, që i kanë vjedhur shtetin dhe tokat!


Perëndimi duhet të kuptojë një fakt: shoqëritë patriarkale-fetare urrejnë demokracinë, lirinë e shprehjes, Liritë dhe të Drejtat e Njeriut. Aty klerikët radikalë predikojnë kundër barazisë gjinore, siç e patën bërë dikur edhe në Perëndim. 


Aty nuk mund të synohet barazia para ligjit, sepse njëri është shumë i pasur, tjetri është shumë i varfër, njëri është burrë, tjetra grua, por epërsia mbi njëri-tjetrin, sipas mendësisë, fitohet me lekë, me forcë, ose me organe gjenitale.


Në shoqëri të tilla ndërtohen shkallë të klasave: burrat ndihen pronarë të grave, i madhi i të voglit, i forti i të dobëtit kurse i pasuri ndihet pronar i të varfrit! Pa këto shtresa, pa këto kasta, burrat nuk ndihen të realizuar në jetë. Për t’u bërë sipëror, ata duhet ta zvogëlojnë dhe dominojnë dikë, zakonisht i nënshtrojnë anëtarët e familjes së vet. 


Burrat kanë frikë nga vetëdijesimi i grave, sepse e humbin pushtetin dhe pronësinë mbi to! Aty imami quan haram fotografinë gjersa në xhep mban celularin e ‚qafirt’ me të cilin bën fotografi vetë! Ti predikon ditën shtetin ligjor, imami predikon natën rrënimin e tij: duke i trishtuar burrat nga barazia e grave!


Perëndimi duhet të kuptojë edhe një fakt: demokracia nuk mund të eksportohet si vaksinat, makinat, avionët, celularët, kompjuterët e teknologjitë tjera. Demokracia nuk mund të imponohet , sepse ajo është arsim i barabartë i njerëzve, jo i burrave , është vetëdijesim, iluminizëm, proces, qytetërim dhe kulturë! 


Popujt duhet të zgjedhin vetë rrugën e vet: të jenë në këtë jetë prodhues, apo konsumues! Aktivë apo pasivë! Ndërtues apo dremitës. Besimtarë apo studiues!


----------------------------------------



Keine Kommentare: