Ne qajmë kur ndiejmë heshtjen e saj të fundit!
Lindje në njëjës, pikëllimin në shumës.
Çdo jetë e ka përfundimin dramatik, sepse në fakt jeta është një shfaqje me përfundim tragjik!
Çdo jetë!
Megjithatë çjetimi nuk është dënim.
Vdekja është shpërblim dhe mbarim.
Ajo është çlajmërim nga prania plot dhembje.
Ajo është nisja. Udhëtimi. Çlirimi. Kthimi.
Nana ime ishte vetëm njëra nga ato shumë nëna, të cilat e përjetuan ashpër peshën e patriarkalizmit: peshën e burrit, peshën e padrejtësisë, peshën e diskriminimit, peshën e lirisë së anuluar dhe peshën e "fajit" pse ishte lindur me gjini „jo-fisnike“, të gabuar dhe shumë lehtë të penalizueshme!
Nëna ime qe një Nanë, që të ligën e refuzonte me dashuri, me durim dhe nuk dinte të hakmerret! As nuk deshi kurrë ta mësojë atë. Sikur të mos kishte jetuar në një shoqëri mashkullore, do të kishte qenë një personalitet i madh i kulturës apo i shkencës! Jetoi te ne dhe vdiq në anonimitet të imponuar me dhunë!
Nëse e shohim botën me sytë e grave, bijave dhe motrave tona, do ta shohim shpesh një botë të zymtë, të ngushtë, xheloze, inferiore, me komplekse, një botë të padrejtë dhe të përlotur: një botë në vaj! Një botë shpesh në ankth, që të merr frymën. Një botë të zhgënjyer. Një botë e zbehtë, e pashpirt: një botë të trisht dhe zemra të thyera; zemra të trishtuara plot drithërima, si gjethet në një degë të brishtë!
Për fat të keq, jo rrallë, edhe sot!
Në kohën e vet, në kulmin e famës, Hegeli konsiderohej profesor i profesorëve, Nënë Tereza mund të konsiderohet Nënë e Nënave, kurse nëna ime mund të quhet Nanë e Nanave të heshtuna, që padrejtësinë e luftojnë vetëm me vepra dashurie: pa fjalë! Pa i nënvizuar veprimet.
Dhe, ne si fëmijë mendonin se ajo po humbte vazhdimisht, por më vonë u kuptua, se ajo kishte fituar vazhdimisht. Sepse gjithmonë dashuria fiton mbi të ligën dhe njerëzia mbi urrejtjen. Sepse dashuria dashuron, ajo nuk vret! Ajo nuk urrente asgjë, as urrejtjen. As nuk deshi kurrë ta mësojë. I pranonte të gjitha shfaqet ashtu si ishin dhe përpiqej t'i kuptonte apo të mësojë sesi nuk duhej të sillej vetë! I tillë ishte qëndrimi i saj tërë jetën!
Nëna ime përfundoi jetën me dinjitet dhe dashuri, për familjen, ndonëse përjetoi shumë sfida dhe padrejtësi në kohën e saj. Ajo mbeti një heroinë e heshtur, që nuk u ndal para asgjëje dhe që përballoi çdo pengesë me vendosmëri. Ajo e flijoi jetën e vet për nëntë fëmijët e saj.
Përveç dhembjes pse iku Nana, qëndron përball krenaria me të dhe mirënjohja, tok me dashurinë dhe kujtimin e përjetshëm. Megjithatë, vdekja e prindërve në moshë të shtyrë dhe para fëmijëve, është edhe një lloj shpërblimi për ta!
Nana jonë,
mirë u takofshim në kujtime. Lamtumirë nuk mund të ketë derisa të ekzistojnë ata që i deshe dhe ata që të duan. Pusho në paqe Nanë!
Publikuar edhe te observerkult dhe anews24, bota sot
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen