Nëse nxënësit fitojnë vazhdimisht vendin e fundit, nuk është faji i tyre, por i arsimtarëve. Nëse shumë pacientë vdesin në spital nga sëmundje jo të rënda, nuk është faji i pacientëve, por mosdija e mjekëve.
Nëse ura shembet, nuk i ka fajet rëra, por inxhinieri i ndërtimit, që ndoshta e ka blerë diplomën.
E nëse i pari thotë ose më tepër rrogë ose nuk do të ndërtoj më ura?
E nëse i dyti thotë ose më tepër lekë ose do t'i mbyllim spitalet?
E nëse i treti thotë ose më shumë para ose nuk do të ndërtojmë shtëpi tjera?
Kush do të kërkonte t'u rritje paga atyre "intelektualëve" të arsimit, atyre "specialistëve" të spitalit, atyre "muratorëve" dhe "inxhinierëve" të rrejshëm? Po nëse ata të garantojnë me „profesionalizimin e tyre dhe përkushtimin“ vendin e fundit në PISA edhe në të ardhmen? Mos harro, vendi i fundit në PISA fitohet edhe pa shkuar fare në shkollë!
A do të kërkoje më shumë lekë për ata arsimtarë? Ose, a do t'i jepje Ti muratorit më shumë lekë edhe pse shtëpia jote është ndërtuar keq? Ose, a di se janë shitur diploma? Nëse po, ku janë punësuar ata blerës?
Natyrisht se muratori mund edhe të kërkojë më shumë, por nëse ai bën grevë, ai nuk punon dhe nëse nuk punon, Ti nuk e paguan, nuk e financon grevën! Apo jo?! Askund në botë nuk financohet greva, përndryshe nuk do të punonte askush çdo ditë…
Për më shumë lekë, muratori jo vetëm se duhet të premtojë se e ndërton shtëpinë si duhet, por edhe duhet ta realizojë si duhet.
E drejtë është edhe arsimtari të kërkojë më shumë lekë, por gjithashtu është e drejtë që populli të presë nxënës me dije dhe edukatë: edhe spitale ku njerëzit mjekohen, jo ku vdesin nga mostrajtimi, edhe ura që mbajnë kamionët dhe shtëpi të bukura.
E drejtë e tij është të punojë, të mos dëmtojë nxënësit dhe pasdite të shfaqet para Qeverisë për të kërkuar më shumë euro! Jo të kërkojë para i shtrirë në divan.
Arsimtarët po ankohen se shkollat janë shumë të vjetra, se nuk ka salla sportive, se nuk ka fusha ku të luhet, se nuk ka kabinete si duhet, se bankat dhe karriget janë të vjetra, por ata nuk po kërkojnë investime nëpër shkolla. Ata nuk kanë bërë asnjë grevë pse shkollat janë në gjendje katastrofale!!!
E nesër? Nesër do ta festojmë „Ditën e Mësuesit“, që po sakrifikohet me greva për ta ndriçuar dhe iluminuar popullin!
Për fat të keq personi që përfaqëson arsimtarët, po dëmton ata edhe më shumë. Arsimi i shkatërruar lexohen pikërisht në fjalorin e tij, në qëndrimin e tij. Ai në fakt nuk po merret me arsimin dhe arsimtarët, ai po mundohet të ndihmojë liderët e opozitës, të cilët paskan ide gjeniale, që nuk ua kanë ofruar dje shefave të vet, por që sot ia dhurojnë Kurtit! Jasharaj nuk është i interesuar për të fituar arsimtarët, por për ta ndihmuar opozitën për të ngadhënjyer mbi Qeverinë.
Kemi edhe arsimtarë të mirë dhe të pasionuar, që nuk ndihen mirë as me njeriun që i përfaqëson, e as të kënaqur me punën e kolegëve të vet…
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen