“Trungu ynë shumëfetar kombëtar, nuk mirëmbahet as nga diçka e imponuar, e as nga diçka që mësohet, por nga era e qumështit shekullor të nënave shqiptare. Dhe trupi etnik i mëkuar me atë qumësht, nuk ka si mos e kuptojë se Zoti e shpërblen devotshmërinë ndaj tij, por edhe e dënon atë që shkel mbi njerëzoren dhe që tradhton qumështit amënor të shqiptarisë.” Kim Mehmeti (Gazeta Express)
Pas leximit të mendimit të shkrimtarit Kim Mehmeti, njeriu nuk mund aq lehtë të shkëputet nga passhija dhe zhgënjimi, që imponohen gjatë dhe pas leximit. Në rastin më të butë, paragrafi i parafundit mund të klasifikohet si mendim tipik tribal, që përpiqet ta mbajë fisin të bashkuar, por meqenëse është fjala për ligjërimin e një shkrimtari, atëherë kërkohet dhe është urdhër t'i bëhet vlerësim dhe shqyrtim objektiv, më serioz: ai mendim ngërthen brenda vetes kontura shoveniste.
Ç' është ky shovinizëm publik me erën e qumështit shekullor, si dikur sytë e kaltër apo flokët bionde, që shërbenin për të veçuar racat? Si nuk paskemi ditur se trungu ynë shqiptar mirëmbahet jo me diçka që mësohet (harrojeni mësimin), por nga era e qumështit shekullor të nënave shqiptare.
Çfarë janë këta qaraman, që vajtojnë të asimiluarit e djeshëm, por nuk kanë as fuqi, as dije si të ndalin eksodin drejt asimilimit sot? Ç'është ky nacionalizëm i shekullit XIX, primitiv? Pse ushqejnë popullin me iluzione, me krenari boshe dhe i humbin drejtimin dhe cakun? A nuk po shohin se në çfarë themele po ndërtohet Europa? A nuk dinë se çfarë përjetoi Gjermania me nacionalizmin ekstrem e çfarë Serbia? Pse manipulohet me ndjenjat e popullit dhe merren idetë e periferisë ekstreme dhe ngrihen në ide nacionale dhe i ofrohen si moto për vetëhipnotizim? Çfarë kërkon ky patos në këtë kohë? A dinë ata intelektual dhe politikanët që flasin edhe për Çamërinë, se Gjermania ka humbur diku 180.000 km katrorë dhe nuk ka ndërmend të ndërsejë popullin e sotshëm, për t'ia prishur lumturinë për gabimet e djeshme? A dinë këta se Europa e bashkohet pikërisht për të përjashtuar tragjeditë e mundshme për kufij? Pse këta mendojnë se popullit i duhet frymëzim i zjarrtë nacionalist, e jo realiteti se nuk jemi në gjendje në këto shtete të vogla as të ndërtojmë shtet ligjor?
Ato mendime plot metafora dhe plot iluzione, ishin mobilizuese në kohën e Rilindjes, para formimit të kombit. Sot mirëpo, shqiptari nuk ka nevojë të mësojë si ruhet trungu, këtë e dinë gati të gjithë, por shqiptari ka nevojë të madhe të mësojë liritë dhe të drejtat e njeriut, pranimin e diferencave, kundër ksenofobisë, kundër nacionalizmit dhe kryesisht të ndërtojë shtet dhe mësojë të respektojë shtetin ligjor. Kjo kërkohet sot prej nesh. Dhe prej nesh kërkohet të mësojmë respektimin e gruas: barazinë gjinore, lirinë e gruas dhe trajtimin njerëzor. Nga shtypja e saj traumatizohen fëmijët dhe kemi pastaj një shoqëri, që ka pikë së pari telashe me vetveten. Siç edhe e kemi.
Kur lexohen shkrime të tilla kuptohet gjendja ku jemi. Disa shkrimtarë shqiptarë imagjinojnë popullin si në shekullin XIX dhe i drejtohen asaj mase të supozuara analfabete, inferiore, katundare, nga Tomori, ku mendojnë se gjenden dhe u japin këshilla. Sikur ta kishin kuptuar Ukshin Hotin, së paku do të kishin heshtur dhe lënë popullin të qetë në besimin e vet, ashtu siç lihet në Perëndim dhe nuk fut hundët intelektuali në besimin e tij, e as nuk vihet në shërbim të klerit. Ata shërbehen me aftësinë gjykuese dhe mendore të masave dhe u drejtohen atyre, siç bëjnë nazistët gjerman apo siç vepron PEGIDA sot duke ngritur ide populiste në normë.
Duke u marrë me përrallisjet publike, disa intelektual po ngrenë idetë ekstremiste, në gjoja fakte nacionale iluministe. Populli shqiptar sot si asnjë komb në Europë është përçarë duke rrëzuar dhe ngritur religjione, duke shkruar e rishkruar historinë, duke sharë dhe duke ngritur gjuhën, duke ngritur e rrëzuar hipoteza pa fakte shkencor. U bënë shumë shkencëtar plagjiatorë, shumë përtypës të ideve të tyre dhe u krijua kaosi i përgjithshëm, ku shfaqemi si popull i vetëm në Europë, pa mendim të vetin të kristalizuar, që do të vlente për konsolidimin e tërësisë. Asnjë komb në Europë nuk ka problemet që kemi ne apo që i kemi prodhuar vetes. Këtë gjendje shpirtërore dhe kaos filozofik mund njeriu t' ia dëshirojë vetëm armikut.
Shkrimtari paska lexuar në televizor një mendim krejtësisht nacionalist dhe jo shkencor, se kombi nuk mbahet i bashkuar me gjuhën, arsimin, kulturën, zakonet, por kjo bëhet suksesshëm me qumështin e nënës. “Trungu ynë shumëfetar kombëtar, nuk mirëmbahet as nga diçka e imponuar, e as nga diçka që mësohet, por nga era e qumështit shekullor të nënave shqiptare!”
Imponime dhe mësime janë edhe religjionet. Këtu nuk ka dyshim. Tingëllon si apel për ateizëm, mirëpo nuk është kështu. Duket se po lexojmë një mendim të Bernhard Rust, ministrit të Hitlerit për Shkencë, Edukatë dhe Arsim. Dhe, vazhdon ai “Zoti e shpërblen devotshmërinë ndaj tij, por edhe e dënon atë që shkel mbi njerëzoren dhe që tradhton qumështit amënor të shqiptarisë.”
Çfarë domethënë ky mendim? Ky mendim len të nënkuptohet se të asimiluarit, pa marrë parasysh a janë shndërruar në grek, në turq, në arab, italian apo amerikan, dënohen prej zotit. Ku di shkrimtari se çfarë dënon zoti? Cili zot merret me konservimin dhe konsolidimin e kombit?
Ai mendim nuk është thënë në mënyrë dëshirore apo kushtore, por dëftore. Jo si dyshim, si dëshirë, si mundësi, por si konstatim i pakundërshtueshëm. Sa për informim: në SHBA janë 50 milion amerikan që janë deklaruar me origjinë gjermane. Janë asimiluar pra. Ndoshta këtyre mund t'u falet sepse qumështi i nënave gjermane nuk ka erë! Një pjesë bukur e mirë e elitës intelektuale dhe politike shqiptare ka humbur rrugën në oborr të vetin. Ata nuk kanë as fuqi, as dije si të ndalet asimilimi sot, por çaraveshen për ata që nuk do të bëhen kurrë siç ishin stërgjyshërit e tyre: ai që kacafytet me të kaluarën, nuk vëren dhe nuk percepton të tashmen, që i parakalon çara hundës.
Mendimi ka ngjyrim shovenist, sepse autori konsideron fat të të qenit shqiptar, por trishtim të të qenit diçka tjetër. Nuk e thotë shprehimisht, por nga teksti nënkuptohet dhe parashikon dënimet hyjnore. Kur lexohet kjo, atëherë njeriu pyet: në cilin shekull dhe në cilin kontinent jeton shkrimtari?
Autori përcolli edhe një mendim të katragjyshes si dhe mënyrën e kalimit nga ortodoksia në islam. Ajo paska lënë një mendim për historinë familjare, por jo për atë shkencore, çfarë mund të kuptohet, mirëpo pikërisht atë mendim, merr ai si bazë dhe i flet popullit duke u përpjekur të bëjë një ekuilibër në gjykim dhe duke u munduar të mos futet në kallëpin e njërës fe. Mendimi tij në bazë të qumështit, sugjeron diferencim raciale, deri tek veçimi, identifikimi i racës nëpërmjet nuhatjes, qumështi i të cilëve pikaset me olfatizëm nga ai i “shkinave.”
Ai më herët pat sjellë edhe një tezë të paketuar si produkt final, që nuk qëndron në aspektin shkencor. Shkrimtari pat thënë i bindur, pa pike dyshimi - në kundërshtim me qëndrimin prej intelektualit - se islami i shpëtoi nga asimilimi. Këtu i dhurohet religjionit një ndajshtim ndriçues, emancipues, që bazuar në doktrinë, nuk e posedon dhe mund ta ketë për nga misioni që ka. Asnjë religjion. Ta marrim mirëpo seriozisht tezën e tij si deklaratë empirike. Pyetja që shtrohet si pasojë shqetësuese është kjo: kush dërgoi shqiptarët në Turqi? Islami apo ortodoksia? Natyrisht se islami. Kush dërgoi shqiptarët në Ukrainë? Natyrisht ortodoksia. Nëse islami paska ofruar mundësi për braktisjen e atdheut, si mund te krijojë mundësi për rezistencë dhe për nacionalizëm shqiptar? Për të ngritur tezën në diskurs falënderues se shpëtoi kombin, atëherë duhet sjellë dy fakte paralele: sa shqiptarë u asimiluan si pasojë e ortodoksisë, sa te tjerë si pasoje e islamit. Kur te kemi këta numra, atëherë mund të sjellim konstatime për t'ia thënë publikut. Jo përralla private!
Si krishterimi, ashtu edhe islami janë doktrina fetare të lindura në një çast konkret kohor, për njerëzit konkret të asaj kohe dhe as e para, as e dyta, nuk përmbajnë në doktrinë kujdestari nacionale. As e para, as e dyta, nuk përpiqet për ta lumturuar njeriun këtu, por pas vdekjes. Nëse islami ka ndikuar në distancimin nga maqedonasit, ai ka ndikuar në distancim edhe nga ortodoksët shqiptarë. Ashtu siç ndihmon edhe ortodoksizmi në krijimin e grupit të veçantë. Sepse religjioni krijon paragjykime pa njohur tjetrin. Madje, ai nuk urdhëron njohjen apo leximin e tjetrit, por në rastin më të mirë shpërfilljen, që pastaj e quajmë tolerancë, në rastin më tragjik, urrejtjen, që pastaj e motivon të vrasë.
A ka ndikuar religjioni në mosasimilimin shqiptar? Kundërpyetja më naive, që mund të bëhet është kjo: në cilin libër fetar, në cilën doktrinë fetare shkruhet se duhet ruajtur kombet, që nuk ekzistonin kur u shpallën religjionet dhe, si qenka e mundur që i njëjti religjion ndikon në shndërrimin e shqiptarëve në boshnjak në Sanxhak, e pastaj po ky parandaluaka kalimin në maqedonas?
Apo si ishte e mundur që religjioni kishte ndikuar në humbjen e vetëdijes kombëtare, sa të shpërnguleshin në Turqi?! Pse u asimiluan mirëpo shqiptarët ortodoks në maqedonas apo grek? Për të dhënë një përgjigje që i qëndron çdo shqyrtimi dhe dyshimi shkencor, duhet kohë e gjatë, studim, analizim i kohës, i pushtetit, i trysnisë si dhe kryesisht i përbërjes së popullit në atë lokalitet. Një gjë mund të thuhet me siguri qysh tani: pakica nuk mund të asimilojë shumicën, por ndodh e kundërta.
Nëse në ato vende kanë jetuar më shumë maqedonas dhe më pak shqiptarë ortodoks, atëherë asimilimi, duke pasur parasysh edhe pushtetin dhe kohën, ka qenë i lehtë dhe siç e shohim, i mundur. Edhe për shkaqe ekonomike apo prosperiteti, siç ka bërë edhe katragjyshja e shkrimtarit. Ashtu siç janë asimiluar të gjithë europianët në amerikan. E dyta çështje që duhet marrë parasysh është edhe pengimi i religjioneve për t'u martuar me besimtarët tjerë. Si do të mbetej shqiptar një ortodoks shqiptar, kur ai nuk mund të merrte nuse nga një familje myslimane?
Bindja fetare ndan njerëzit, kjo është arsyeja pse Europa ka përjashtuar nga institucionet dhe shteti. Mësimi nga historia ka detyruar ta shpallë si çështje private. Kjo është arsyeja pse intelektualët e mëdhenj në Perëndim, nuk u përzihen njerëzve në besim, sepse konsiderohet bindje e brendshme private. Dhe në rendin demokratik, i lejohet zgjedhja, ashtu si i lejohet të zgjedhë këpucët, makinën, emrin, mund të zgjedhë edhe religjionin.
Hipoteza tij është thjesht mendim propagandistik dhe i shërben një grupi të caktuar që ua dërgon shkrimtari për konsumim dhe propagandë.
Por kush shpëtoi shqiptarët nga asimilimi? Kompaktësia, shtrirja gjeografike e vendbanimeve dhe aty ku ishin pakicë, u asimiluan si në Sanxhak, në boshnjak. Ndoshta edhe instinkti i kopesë. Nëse përjashtojmë pritshmërinë subjektive apo pasionin për propagandë, atëherë nuk mund të pohojnë se religjioni diku shpëton nga asimilimi, por diku tjetër të asimilon në boshnjakë apo turq. Fakti se këtë tezë antishkencore ngrit një humanist, pa prova relevante shkencore, ose më qarrtë, me prova selektive, nuk është asgjë tjetër, pos fuqizimit të obskurantizmit në rritje, racizmit në rritje, përçarjes fetare në rritje, ideve naziste në rritje dhe për t'u shndërruar predikues dhe misionar apo paterica e klerit.
Duke përforcuar nacionalizmin dhe fanatizmin fetar, është rruga më e sigurt për të penguar aderimin në BE. Religjion mund të merret si fakt ndihmues dhe lehtësues i kalimit në maqedonas, siç kemi fakte, apo në boshnjak, e turq, siç kemi prova, po kurrë jo si shpëtues i shqiptarizmit. Mund të ketë individ që kanë përfituar nga kjo, por religjioni nuk ka atë detyrë. Asnjë religjion në botë nuk ka këtë mision. Asnjëri në botë nuk është krijuar për ne. Ne kemi prodhuar Kanunin, por jo fe.
Më në fund dua të shtoj edhe një fakt: në Maqedoni, Luginë dhe Kosovë, ka shqiptarë që janë të martuar me gra boshnjake. Meqenëse qumështi i gruas shqiptare paska aromë tjetër, atëherë fëmijët e këtyre nënave përjashtohen plotësisht nga trungu imagjinar i shkrimtarit, sepse qumështi i atyre nënave, nuk ka aromën e qumështit tonë. Mirëserdhët në Rajhun e tretë.
Ky mendim mirëpo, nuk duhet marrë si mendim për shkrimtarin dhe universin e tij letrar, por i tkurrur vetëm në ato deklarata publike, që u morën këtu në shqyrtim...
Ps.
Ish-kryetari gjerman Richard von Weizsäcker për nacionalizmin:“Nacionalist është ai që urren të tjerët. Patriot është ai që adhuron kombin e vet dhe patriotizmin e fqinjit e kupton dhe respekton.“
*Publikua më 5 TETOR 2015, por nuk qenka në blog dhe nuk di pse...
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen