Inteligjenca nuk i përgjigjet injorancës. Ajo shqyrton, analizon, përimton dhe përpiqet të zbulojë arsyet pse ekziston i padijshmi dhe si mund t'i ndihmohet: si mund të përmirësohet gjendja e tij. Inteligjencës nuk i intereson emri i të padijshmit, por vetëm fenomeni i shfaqur. Nëse citohet bartësi i budallallëqeve, pjesa e paarsimuar apo e arsimuar keq, mund ta shndërrojë në idhull.
Nga kjo shpërfillje bëjnë përjashtim profesorët e universiteteve dhe politikanët, intelektualët e mëdhenj...sepse bazuar në pozitë apo titull shkencor, ata nuk duhet dhe nuk guxon të jenë mediokritete...të polemizohet me një budalla, d.m.th. ta pranojmë atë në kategorinë tonë dhe ta ngremë atë, aty ku nuk e meriton, ku nuk e ka vendin. Kjo ishte përshtypja ime pas leximit të një studimi mbi normat sociale të sociologut, profesorit Wolfgang Eßbach…
2.
"Hedh një budalla një gurë në lumë, 100 të mençur s'e gjejnë dot!"
E para: nuk mund të jenë të mençur ata 100, që kërkojnë gurin e budallait!
E dyta: ai që ngjallë kureshtjen e 100 të mençurve, është gjenial, jo budalla!
E treta: ata 100 që përpiqen të gjejnë gurin e budallait, nuk mund të quhen të mençur, por budallenj!
E katërta: gjersa "budallai" i supozuar vështron nga bregu i lumit dhe tund kokën, 100 të "mençurit" e imagjinuar, zhyten, dalin në sipërfaqe, zhyten e dalin të qullur, ndoshta edhe të mërdhirë!
E pesta: i mençuri nuk merret me veprimet ose gjykimet e budallait, sepse ka punë më vlefshme sesa të shqyrtojë dhe analizojë një budallallëk!
E gjashta: budallai i supozuar humb gurin e pavlerë, 100 të mençurit e supozuar humbin kohën me vlerë, e cila nuk u kthehet kurrë më!
E shtata: budallai nuk ndien mungesën e gurit, por i "mençuri", nuk do të harrojë kurrë mosgjetjen e tij dhe poshtërimin, se u bë vegël e budallait!
Kush është aty i mençuri, e kush budallai?!
3.
Nuk ka njeri më të padijshëm, sesa ai njeri që përqesh, tallet dhe poshtëron një tjetër pse nuk është i arsimuar,
pse është është i varfër,
pse i takon një etnie tjetër,
një pakice në orientim seksual,
një pakice kulturore,
gjuhësore,
apo çfarëdo pakice tjetër!
Njeriu nuk ka mundësi të zgjedhë! Askush nuk mund të zgjedhë kombin, gjuhën, vendin apo racën. Të sulmohet i dobëti nuk është trimëri, por injorancë e skajshme! Racizmi, nacionalizmi, homofobia, mizogjinia… janë pasoja të injorancës. Për të zvogëluar numrin e tyre, duhet përmirësuar arsimimin.
4.
Nuk tregohet epërsi intelektuale nëse i themi dikujt pse shkruan atë që shkruan, e jo për një temë tjetër.
Ai që dëshiron tema tjera, le të shkruajë vetë ose le të ruajë autonominë vetjake dhe të lexojë vetëm atë që i përshtatet mençurisë së tij, por me shpërndarjen e temave të hartimit si në shkollë, nuk dëshmon epërsi, por injorancë.
Ne tregojmë mençuri duke vendosur vet se çfarë duhet të lexojmë, ashtu si edhe shkruesi që vendosë vet se çfarë duhet të shkruajë. Pra duke pranuar lirinë e tjetrit për të shkruar çfarë mendon ai, por njëkohësisht duke ruajtur lirinë për të lexuar apo jo.
T'i thuhet dikujt pse shkruan këtë e jo atë, është e barabartë me pyetjen: pse je ti si je, e nuk je si jam unë, apo si dëshiroj unë? Përgjigjja është shumë e thjeshtë: unë jam unë dhe nuk do të bëhem kurrë Ti. Unë jetoj në demokraci dhe besoj në Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, ku jeton Ti, nuk e di, por një fakt është i qartë: nuk jetojmë epokën e njëjtë edhe pse jemi në vitin e njëjtë.
Dhe, nuk tregohet epërsi me qortime të tilla, por vetëm dëshmohen komplekset vetjake, si dhe pamundësia për ta kuptuar botën e sotshme dhe lirinë e shprehjes, prandaj shajnë me injorancën e djeshme. Njerëz me qëndrime të tilla, në nëndijen e tyre kanë nostalgji për rend, ku temat porositen dhe duartrokiten.
5.
Para 100 viteve nuk ishim ne këtë bote, pas 100 viteve nuk do te jemi ndoshta asnjeri nga ky kuvend.
Ishte mirë që erdhëm, ishte kënaqësi që u njohëm, ishte mrekulli që u ritakuam, ishte ngushëllim që u zhgënjyem së bashku dhe hare që u qeshëm së bashku, por është mirë edhe që do të ikim.
Jeta në fillim është një gazmore, kalon në poezi, shndërrohet në roman dhe përfundon si dramë.
Për dashuri dhe pendim kemi kohë deri tek drama. Nëse shpërfillim gazmoren, poezinë dhe romanin, jeta do të jetë vetëm dramë tronditëse!
Ji autor i jetës. Ti je origjinali i vetëm në këtë botë.
Askush nuk është si Ti. Ji vetja! Jeto vetëm sipas bindjeve Tua. Kopja nuk i intereson askujt!
6.
Kombet shtetformuese dhe shtetndërtuese ndryshojnë bindjet dhe sjelljen, sapo të ndryshohet ligji nga Kuvendi. Te popujt me 'kushtetutë private', me mendësi fisnore, ligjet nuk kanë rëndësi, sa ka bindja individuale e pjesëtarëve të asaj shoqërie. Popujt në këtë derexhe fisnore, kopjojnë ligje, por vet nuk ndryshojnë. Zakonisht aty urrehet shteti, nuk mbrohet ai dhe vidhet, sepse përjetohen si pengues i lirisë fisnore.
Për lirinë duhet kulturë dhe iluminizëm. Në shoqëri fisnore liria shfrytëzohet për ta zhbërë lirinë ose për ta mundësuar vetëm në mënyrë selektive. Demokracia e vërtetë, liria, nuk funksionojnë në shoqëri tribale. Aty i qasen traditës, jo epokës së vet! Jo Kuvendit, por bindjeve fikse!
Liria është një fenomen, që kërkon individë të ngritur, që mbajnë përgjegjësi për lirinë kolektive. Duke e mbrojtur për tjetrin, e mbrojnë lirinë e vet. Diktaturave nuk u duhet njerëz të ngritur dhe vetëdijesuar, por njerëz pa kurriz..
Kudo njerëz të tillë përpiqen të anulojnë lirinë, sepse ata kanë nevojë për tutorë, për mbikëqyrës, për rojtarë dhe kontrollues!
Liria është pasuria më e madhe që gjallesa ka në tokë, por që ndalohet nga njerëz të sëmurë. Mosndryshimi nuk është ngecje në vend, mosndryshimi është kthim prapa!,
7.
Pas më shumë se tri dekadave në Gjermani, kam konstatuar këtë dallim në mes dy popujve: gjermani vazhdimisht është në kërkim të përsosjes së vetvetes dhe gjendjes së vet. Ai është i bindur se duhet të dëshmohet çdo ditë dhe se nuk mjafton meritat e djeshme për t’u mburrur sot!
Shqiptari është vazhdimisht në përpjekje e sipër për të imponuar qëndrime dhe parime, ose duke kërkuar vazhdimisht përsosje nga të tjerët, por rrallë herë nga vetvetja. Prandaj mezi ose me gazep i bashkëngjitet qytetërimit të kohës së vet. Ky është i bindur se është sinonim i perfeksionit.
Ndoshta kjo është arsyeja pse shumë intelektual shqiptarë në sjellje, gjuhë dhe edukatë, kanë më shumë ngjashmëri me periferinë rurale të pagdhendur, duken më shumë të ndikuar prej saj, sesa nga arsimi me të cilin krekosen.
8.
Arti i pushtimit: Giacomo Casanova po udhëtonte me një qerre në Gjermani. Si bashkudhëtare kishte edhe një konteshë shumë të bukur. Rruga e përbashkët do të zgjaste vetëm gjysmë ore. Shkrimtari dhe aventurieri italian përpiqej me çdo kusht ta pushtojë. Pas disa minutave, nis një shtrëngatë, murmurima e madhe dhe një vetëtimë. Zonja e trishtuar i hidhet në përqafim Casanova-s. Ai shfrytëzoi menjëherë rastin për ta afruar edhe më pranë vetes duke e përkëdhelur dhe shton: “Zonjë, mos keni frikë! Unë jam aleat i vetëtimës!”
(Lexuar para disa viteve në një revistë të psikologjisë)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen