Sidoqoftë mund të ketë edhe prej tyre, që e dëshirojnë Republikën Serbe duke shpresuar se pikërisht pas themelimit të saj, mund ta rrëzojnë më lehtë. Shumë veta i trishtohen suksesit të Kurtit, prandaj në çdo veprim të tij, lexojnë tragjedi dhe komplote.
Aleanca me Amerikën nuk prishet për një politikan, sepse SHBA është shtet serioz, jo lavire. SHBA është shtet demokratik dhe, edhe atje ka qindra mospajtime dhe nuk është diktaturë si e Putinit.
Ne nuk pajtohemi me Republikën Serbe dhe nuk jemi kundër Amerikës, mirëpo kundër dominimit serb dhe kundër fragmentimit të vendit. Kosova u shpall shtet multietnik për të mos pasur nevojë për autonomi tjera. Iu ndryshua flamuri për të qetësuar serbet. Iu shkrua një himn për të mos pezmatuar serbet…
Kurti është politikan dhe ka disa parime, që nuk mund t'i ndryshojë. Nëse i ndryshon, do ta shajmë pse i ndryshoi. Nëse nuk i ndryshon, do ta akuzojmë për prishje të raporteve me SHBA-të.
Nuk prishen!
Kosova është nën protektorat. Nëse SHBA ngul këmbë të zbatojë praktikisht marrëveshjen e Thaçit dhe Mustafës, e bën këtë. Nëse jo, aleanca nuk prishet me Kosovën, por vetëm me Kurtin; me themelimin e Asociacionit, (80% ligje të Republikës Serpska sipas prof. Enver Hasanit) ndoshta përforcohet pak më tepër me Serbinë dhe me atë akt, ndoshta edhe largohet ca Serbia nga Rusia. Pak! Ose sanksione Rusisë. Kaq! Ajo nuk shitet lirë.
Protektorati
Amerika mund ta kthejë Thaçin nga burgu e në presidencë, Mustafën nga shtëpia e në kryeministri dhe kryhet puna, por nuk duhet të pritet nga Kurti të zbatojë dëshirat e atyre dyve dhe të bëjë vetëvrasje politike.
Ndërtimit të Republikës Serbe Thaçi e Mustafa nuk i kanë vënë asnjë kusht: as për njohje të ndërsjellë,
as për autonomi në Luginë,
pa kërkuar edhe ndjesë,
pa kthyer eshtrat e mijëra vetave,
pa u penduar për 20.000 gra të dhunuara
për 11.500 të vrarë
as për dëbimin e 50% të popullsisë,
as për djegien e 120.000 shtëpive,
as pa premtuar njohjen;
Republika Serbe u quajt Asociacion për të mashtruar shqiptarët dhe ajo u firmos pa i kërkuar asgjë Serbisë,
mirëpo duke kërcënuar vazhdimisht se do të intervenojë ushtarakisht!
Si dje Daçiqi. Si pardje Vuçiqi.
Për t'u zgjidhur ky problem i madh, - meqenëse nuk mund të mposhtet Serbia,- duhet një Ramush, një Isë, apo një Hashim, por Kurti nuk do ta bëjë kurrë. Pajtohuni me këtë fakt dhe kërkoni rrugëdalje tjetër.
Krasniqi dhe Abdixhiku do të shkojnë në SHBA dhe atje do të shqyrtohet se cili do të jetë më i përshtatshëm. Ndoshta që të dy. Ramushi aplikimin e vet e ka bërë publik online.
Pra, raportet nuk prishen me SHBA-të nëse Kurti nuk bëhet Baba Dimri i serbeve, pse atë e dëshiruan Thaçi dhe Mustafa. Këtë duhet ta harrojmë! E as mos u tutni se SHBA tërhiqet nga Kosova! Edhe atë harrojeni! Nuk jemi në „Kopshtin e Fëmijëve“, e as në Shtëpi Publike! SHBA nuk dorëzohet për një politikan.
Sulmojeni Kurtin për arsye tjera, por jo pse nuk zbaton politikën e Thaçit dhe Mustafës…
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen