Kurti pati dy mundësi: ta ruajë fytyrën e vet dhe të dëmtojë raportet me SHBA-të ose të ruajë miqësinë me amerikanët, me Perëndimin në përgjithësi, dhe të dëmtojë fytyrën e vet.
Kurti zgjodhi të dytën. Nga ai mund të pritet vetëflijimi, siç mund të pritje vjedhja nga ata që kanë firmosur Republikën serbe dy herë dhe të cilën me 84 deputet, e kanë shndërruar atë në zotim ndërkombëtar.
I pari, që u premtoi atë Republikë serbëve, gjendet në burg, i dyti është Kryetar Nderi i LDK-së. Kryetar Nderi për meritat e Asociacionit. Kontributet e tij janë të mëdha, jo vetëm në përjashtimin e rugovistëve nga partia, jo vetëm në dobësimin e partisë së Rugovës, por edhe në dëmtimin e madh shkaktuar Kosovës. Tani po flasin jerm edhe hashimët.
Në anën tjetër mustafiqët po çaraveshen pse Kurti nuk po mbetet parimor dhe pse nuk po dëmton Kosovën, në mënyrë që të kthehen ata në pushtet; ata që kriminelëve dhe oligarkëve u garantojnë imunitet. Ata të cilët armatës së veteranëve u garantojnë vjedhjen legale e të përmuajshme të Kosovës. Ata që e dinë më mirë se çdokush, se autonomi serbe do të ketë dhe se ajo duhet të themelohet. Kur Kurti e refuzonte, ata nxitonin zvarrë në Uashington për t’u ofruar si themelues të Republikës Serbe.
E tani gjoja po tmerrohen pse Kurti nuk po i mban premtimet, e premtimet e tyre?
Në janar 2016 Isa Mustafa:
“Do ta mbaj premtimin për 120 mijë vende të punës…”
Nuk e kritikuan pse ndoshta punësoi vetëm nja 120 veta nga fisi dhe nja 1200 nga partia, por e kritikojnë Kurtin, pse po ua krijon asociacionin e vet.
Në maj të vitit 2014 Hashim Thaçi pat premtuar 200.000 vende të punës. I punësoi nja 200 veta nga fisi dhe nja 20000 nga partia. Dhe, qe shpërblyer me pozita tjera. Hashimët nuk e kritikojnë për mosmbajtjeje premtimi.
Në janar 2021 Ramushi pat premtuar 30.000 vende të punës, por në fakt përshëndeti krijimin e armatës me diku 60.000 veteranë. Edhe ky ka punësuar nja 300 veta nga fisi dhe nja 3000 nga partia. Dhe, nuk skuqej dje, nuk skuqet sot, madje edhe pat premtuar mosdorëzimin e Çakorrit, apo kthimin e tij, pasi vetë e pat firmosur se nuk takonte Kosovës.
Veseli pat premtuar se Kosovën do ta bënte Zvicër, por e pat bërë veten. Hoti pat premtuar 40.000 vende të punës etj. etj. etj. Pra, kur ata rrejnë, vjedhin e mashtrojnë, është mirë për Kosovën. Nëse Kurti në emër të shtetit të Kosovës ndihet i detyruar për ta themeluar asociacionin, që e kanë firmosur ata me 84 deputetë, atëherë e quajnë atë tradhtar, serb dhe mashtrues!
T’i kthehemi gjendjes së tanishme.
Abdixhiku në vend se t’i heqë titullin e nderit Mustafës dhe të shkëputet nga tutori për t’i kthyer LDK-së dinjitetin e nëpërkëmbure ja çfarë shkruan ai: “Përveç saj, një marrëveshje pa njohje, jo finale dhe me Asociacion…”
Ja tjetri, Memli Krasniqi, që nuk do të ketë kurrë guxim të shkëputet nga tutorizmi i Thaçit dhe Veselti: “Nga një marrëveshje me njohjen e ndërsjellë në qendër, sot, fatkeqësisht, Kryeministri Kurti i ka sjellë vendit një marrëveshje të përkohshme me asociacionin në qendër.”
‘Marrëveshje me njohje në qendër’ nuk ka ekzistuar kurrë, sepse Serbia kurrë nuk ka pranuar ta njohë Kosovën. Nëse ka, atëherë Krasniqi le ta bëjë publike dhe të mos merret me shpifje.
Asociacioni gjendet në qendër qyshkur e ofroi Thaçi në vitin 2013. Pafytyrësia është aq teatrale, aq dramatike, sa nuk kanë guxim të distancohen nga ideatori i Asociacionit, Thaçi, dhe nga ai që firmosi parimet e pushtetit ekzekutiv të atij Asociacionit, Mustafa. Ata opozitarë, që dje nxitonin në SHBA për t’u ofruar si themelues të republikës serbe dhe që luteshin të rrëzohej Kurti, se po prisheshin raportet me SHBA-të, sot e akuzojnë Kurtin pse po e themelon Asociacionin e tyre.
Nëse nuk nënshkruan marrëveshjen, e quajnë antiamerikan, nëse e bën, e quajnë në shërbim të Serbisë!
Pra po kritikojnë pse Kurti po e bën atë që e kanë dashur, gjakuar, firmosur dhe ratifikuar ata vetë. Pafytyrësi epokale e dy liderëve të opozitës akoma në pubertet politik.
Kundër Kurtit janë të gjithë oligarkët. Kundër Kurtit janë të gjithë veteranët e rrejshëm, që e vjedhin Kosovën muaj për muaj. Janë kundër tij ata që kanë blerë diplomat, ata që kanë blerë vendet e punës. Ata që kanë dërguar lekë nëpër banka të huaja, ata që shitën me çmime banale ekonominë e Kosovës.
Po a është Kurti i suksesshëm? Deri tani pak, por fajet nuk janë vetëm te paaftësia e qeverisë së tij, por edhe te imponimi i temave nga Perëndimi. Kështu, në vend se të merrej me arsimin, me shëndetësinë, me gjykimin e veteranëve të rrejshëm dhe të oligarkëve, ai po merret me problemet që i kanë shkaktuar Thaçi dhe Mustafa, me plehun e tyre.
Sidoqoftë ai u desh të dëmtojë ftyrën e vet, por të mos dëmtuar aleancën me Perëndimin. Ai dëmtim nuk do t’i falej, por do të kishte gëzuar vetëm zvarranikët, që do ta nënshkruanin pa e lexuar fare, si edhe dje Mustafa.
Tani Kurti nuk do të kishte dëmtuar VV-në, për Kosovën. Zotimet e Thaçi dhe Mustafës janë marrë në emër të Kosovës. Kurti mund t’i refuzojë si kryetar partie, por jo si kryeministër.
Si Kryeministër kërkohet pjekuri, diplomaci dhe përgjegjësi për vendin. Këtë tani e mësoi edhe Kurti.
Reagimet pro marrëveshjes
Shtëpia e Bardhë:
“Serbia dhe Kosova të fillojnë sa më shpejtë zbatimin e obligimeve!”
NATO: “Kosova dhe Serbia të zbatojnë atë për të cilën u pajtuan”
Ambasadori amerikan Hovenier:
“SHBA do të ofrojë mbështetje të plotë për implementimin e saj”
Edi Rama:
“Le të shpresojmë që djalli të mos fshihet në detaje sonte dhe që marrëveshja e rënë dakord por e pa nënshkruar të mos jetë një tjetër mashtrim ballkanik! Përndryshe kjo do të ishte një arritje historike …
Kryetari i Shqipërisë Begaj:
“Dakordimi mes Kosovës e Serbisë, garanci për paqen e stabilitetin e rajonit.”
Ministri i PJ Ditmir Bushati:
“Kosova ndihmoi partnerët ndërkombëtar të mendojnë se përkëdhelja ndaj Serbisë nuk është histori suksesi”
Zëdhënësi i Qeveristë gjermane:
“Ju përgëzoj për këtë përparim për të vendosur marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës në një rrugë të re. Tash gjithçka ka të bëjë me marrjen e drejtimit për të ruajtur dhe ndjekur atë që është dakorduar. Ne do të jemi me ju që të përmbushni perspektivën tuaj evropiane”
Von Cramon:
“Lajm i mirë, shpresoj në zbatim të shpejtë”
Ambasadori gjerman Rohde:
“Tani kemi nevojë për përparim të shpejtë në të gjitha çështjet e dakorduara”
Petritsch:
“Zbatimi i Marrëveshjes çon në normalizim dhe njohje”
Ali Ahmeti:
“Marrëveshja mes Vuçiqit dhe Kurtit është një lajm domethënës dhe i shumëpritur për rajonin”
Reagimet kundër marrëveshjes
Jeremiq: “Marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë është tradhti: Mund të parandalohet vetëm me referendum”
Abdixhiku: “Mashtrim dhe humbje e një mundësie historike”
Memli Krasniqi: “Dështim i madh politik e kombëtar, do ta paguajmë shtrenjtë”
Edita Tahiri: “Kurti e dështoi Kosovën”
Haradinaj nuk qenka deklaruar. Sigurisht nuk ka kohë, sepse gjendet në një turne në Zvicër për të joshur anëtarë për AAK-në.
Në fund shtrohet kjo pyetje: a është marrëveshja ideale? Jo, sepse është ndërfutje me shantazhe dhe Kosova nuk mundet më shumë. As Serbia jo. Zgjidhja do të imponohet nga SHBA, BE dhe vendet tjera, që quhen vende perëndimore ku jetojnë më shumë se një miliard veta dhe të cilët udhëheqin ekonominë dhe teknologjinë e kësaj bote.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen