23.03.2023

Shtatë tiparet e megalomanit, Psikologji (13)

A njeh dikë që është i bindur se gjithçka që ai thotë, që ai bën ose që ai mendon, është e mrekullueshme? Nëse po, atëherë me siguri ke punë me një megaloman. Ky është lloji i njeriut,  që përbuz të tjerët sepse ndihet sipëror ndaj tyre. Si mund të identifikohet megalomani?

Edhe pse është normale të gjenden njerëz që krenohem me vetveten, njerëz që kanë pikëpamje optimiste për aftësitë e veta dhe që mendojnë se janë të aftë për çdo gjë, ndonjëherë nuk është edhe aq e lehtë të kuptohen, a janë megalomanë apo jo. Një tregues i megalomanisë është posedimi i një vetëvlerësimi të lartë, i cili shoqërohet me refuzim ose përbuzjen e njerëzve rreth tyre, sepse i konsiderojnë ata inferiorë.


Megalomania është një sëmundje mendore, një simptomë e çrregullimit të personalitetit narcisist. Megjithatë, për të kuptuar nëse një person shfaq iluzionet e madhështisë si pasojë e një çrregullimi, vëmendje e mëtejshme duhet t'i kushtohet pasjes apo jo të ideve delirante, d.m.th. nëse a përjeton fantazi të rëndësisë së madhe dhe plotfuqishmërisë, që e bëjnë atë të besojë se është më i miri.


Personalitete historike si Napoleon Bonaparti, Adolf Hitleri, Jozef Stalini apo Mao Ce Duni janë njerëz të cilëve u atribuohen tipare të megalomanisë dhe narcisizmit, që i shtynë disa prej tyre të mendojnë për asgjë më pak sesa dominimin e botës.


 7 tiparet me të cilat mund të njihen megalomanët


  1. Ata janë jashtëzakonisht mendjemëdhenj. Ata mendojnë se prania e tyre në çdo takim ka një rëndësi jashtëzakonisht të madhe.
  2. Ata sillen thua se janë të gjithëfuqishëm dhe u pëlqen të demonstrojnë aftësitë e tyre për t'u krekosur para atyre që i rrethojnë.
  3. Ata e konsiderojnë veten të pathyeshëm dhe të aftë për të zgjidhur çdo problem që lind.
  4. Ata janë të aftë para së gjithash për të fituar pushtet, dhe këtu bën pjesë manipulimi i të tjerëve.
  5. Ata zakonisht nuk mësojnë nga gabimet e veta dhe për këtë arsye përvoja nuk do t'i pengojë të përsërisin gabimet.
  6. Ata kanë një bindje narcisiste dhe të idealizuar për veten.
  7. Ata shikojnë si reagojnë të tjerët ndaj asaj që bëjnë ose thonë. Kur ata refuzohen nga të tjerët për sjelljen e tyre të papërshtatshme, ata mendojnë se problemi qëndron tek ata që nuk i duan, jo te vetvetja.

Vetëbesimi i ndihmuar nga një ego jashtëzakonisht e mbivlerësuar dhe e ushqyer nga një kompleks i mprehtë epërsie, i bën ata të përbuzin gjithçka që nuk ka lidhje me ta.


Çfarë fshihet pas personalitetit të një megalomani?


Megalomani refuzon të pranojë se brenda tij fshihet një njeri i frikësuar, me shumë komplekse dhe pa dashuri. Për shkak të kësaj, ai përdor agresionin verbal ose imponimin e plotfuqishmërisë së tij të rreme si një mekanizëm mbrojtës.


Në anën tjetër, nga frika se mos e tejkalon dikush, ai tall këdo që e bën të ndihet i kërcënuar, duke dëmtuar ata që i sheh si kërcënim për egon e tij. Megjithatë, pas kësaj maske fshihet një person i mbushur me pasiguri dhe me një ndjenjë paaftësie, në përpjekje të vazhdueshme për t’u mos shfaqur i lëndueshëm para të tjerëve. 


Gjatë përpjekjes për të theksuar aftësitë dhe për të dramatizuar sukseset e veta, megalomani shfaq, pa e pretenduar, vetëbesim të ulët dhe një aftësi të dobët për t’u përballur me zhgënjimin.


Arroganca dhe sjellja poshtëruese ndaj të tjerëve ndikon në  vetminë e tyre të madhe, sepse zakonisht nuk pranohet nga të tjerët.


Ndonjëherë është ai që izolohet; ndjenja e tij e epërsisë e mban atë të distancuar nga ata që i konsideron inferiorë. Tani, kjo vetmi, e jashtme dhe e vetë-imponuar, krijon një ndjenjë të fortë zbrazëtie emocionale, e cila mund të përkeqësojë më tej shqetësimin dhe t’ia rrisë patologjinë.


Nga gjermanishtja Lis Bukuroca


Llojet e çrregullimit të personalitetit narcisist (Psikologji 14)



Keine Kommentare: