15.05.2023

Poshtërimi i varreve

Flijimi i jetës për liri nuk shpërblehet me një fotografi!

Varrezat janë vende të paqes, ku duhet të sillemi me respekt dhe dinjitet, duke mos harruar se nuk gjendemi në një galeri arti apo vende koncertesh.

Ato janë vende të posaçme ku gjenden mbetjet e njerëzve, që kanë përfunduar jetën. Fusha ku gjenden ata është vend paqeje, heshtjeje, për fetarët edhe i shenjtë. 


Në këtë kontekst, është mirë të nënvizohet se ato dhe ata që kanë dhënë jetën për ta çliruar vendin,  duhet t’i kujtojmë e përkujtojmë me seminare, me ligjërata, me shkrime dhe me libra për ta dhe për veprat e tyre, por jo duke u fotografuar i hurit e i litarit para varreve të tyre. 


Respekt duhet ndaj të gjallëve, jo para të vdekurve. I vdekuri nuk pret përkulje, nuk ndien atë nevojë. Vizita te varri nuk është respekt, sepse bëhet për t'u fotografuar i gjalli dhe për të përfituar i gjalli.


Vizitimi i varrezave, si nekrofili, është bërë aktivitet turistik,  si në kohën komuniste.   Fotografitë në varreza, nuk janë të mirëpritura dhe mund të jenë ofenduese për familjet e heronjve dhe për të vdekurit.


Varrezat janë vend vizite për anëtarët e familjes së ngushtë, jo edhe e kundërshtarëve dhe atyre që i gëzohen vdekjes së tij. 


Atij që një njeri e shante dhe e quante tradhtar apo terrorist si të gjallë, është poshtëruese t’i lejohet shkuarja te varri i kundërshtarit apo armikut. Arsyeja? E bën për përfitime, jo nga mirënjohja dhe empatia. Ndoshta edhe i gëzohet atij varri.


Në fund të fundit, ne duhet të kujtojmë se heronjtë tanë kanë dhënë jetën  për liri dhe për të ndihmuar të tjerët, edhe këta vizitorë që fotografohen aty, ku ata nuk mund të kundërshtojnë fotografimin, gjersa i fotografuari qëndron vertikalisht, kurse heroi horizontalisht.


Nëse duam të nderojmë ata që përfunduan jetën si heronj dhe të tregojmë mirënjohje për veprat e tyre,  mund ta bëjmë atë nëpërmjet organizimit të ceremonive të posaçme ose nëpërmjet ndonjë monumenti, që mund të vizitohen pa dëmtuar qetësinë e varrezave. 


Ata që nuk kanë respekt për varrezat, nuk kanë as për të gjallët.

Keine Kommentare: