07.09.2024

Dëmshpërblimi i Serbisë

Pas invazionit rus, Bieden, me të krejt Perëndimi, ndryshoi qëndrimin ndaj Serbisë. Nuk mund të besohet se ky ndryshim është vetëm pasojë e luftës atje, por mund të jenë edhe lobime serbe si dhe gjendja e përgjithshme në Kosovë, kur përveç religjionit që ka përjetuar një rilindje, çdo gjë tjetër është dëmtuar shumë.

Joe Biden, ka marrë një vendim që, në thelb, e detyron Kosovën të bëjë lëshime në favor të Serbisë. Ky vendim praktikisht është një mënyrë për të shpërblyer Serbinë, edhe pse ajo nuk ka treguar gatishmëri për t'u angazhuar në mënyrë konstruktive. Nga çasti kur pushuan kërcënimet me sanksione ndaj Serbisë, ajo u bë gjithnjë e më agresive.

Në vend që të mbështesë Kosovën për ndërtimin e shtetit demokratik ligjor, nga qeveria e Kosovës kërkohet vasalitet i pakusht, ku çdo vendim i saj duhet të miratohet nga Perëndimi. Por vetëm nëse pajtohet Beogradi. Madje ambasadori gjerman shprehet me përbuzje ndaj Kurtit duke e quajtur Albin Kurti, e jo Kryeministër. Gjatë këtyre dy viteve, Perëndimi ka mbajtur një qëndrim krejtësisht të njëanshëm, duke përkrahur vetëm Serbinë. 

Të gjitha përpjekjet për t'i dhënë fund shteti ilegal serb në Kosovë janë kundërshtuar.  

Ndërkohë, Serbia nuk është e interesuar për paqe dhe stabilitet në rajon. Ajo vazhdimisht forcon lidhjet me Rusinë  dhe Kinën, ndërsa liderët e saj, përfshirë zëvendëskryeministrin serb, që është shpallur "persona non grata" nga SHBA, takohen me Vladimir Putinin dhe kërcënojnë me destabilizimin e Ballkanit. Kryetari premton orientim perëndimor, Qeveria vëllazëri me Rusinë. Një shtet, dy drejtime.

Perëndimi është bërë banal e qesharak në qëndrime, shpjegime dhe veprime. Madje nuk di si të arsyetohet. Serbia është e rrethuar me shtetet e NATO-s. Nëse kërcënohet me sanksione, brenda javës arrihet paqja dhe firmoset marrëveshja.

Përballë këtij realiteti pro-serb, kryeministri Albin Kurti po përballet me një trysni të madhe. Perëndimi e ka margjinalizuar atë sepse ai nuk firmos marrëveshje të dëmshme për Kosovën. Më herët ky Perëndimi lejoji vjedhjen e Kosovës nga Pronto-Klani në këmbim të nënshkrimeve të tyre. Ata firmosnin pa lexuar fare. Siç e bëri kryetari i nderit të LDK-së, Isa Mustafa, ku mbi 20 herë shkelej Kushtetuta e Kosovës. Ky njeri, gjersa ishte gjalla Rugova, as që ka guxuar t’i afrohet LDK-së.

Është e pakuptueshme se si një shtet i vogël si Kosova, që përpiqet të ndërtojë një sistem demokratik, i kërkohet të pyesë Beogradin nëse duhet të zbatojë ligjet e veta në territorin e saj, madje edhe për marrëveshjet që i ka ka firmosur Serbia, si hapja e urës për shembull.

Në këtë kontekst, diplomati europian Miroslav Lajçak vepron më shumë si një turist në Kosovë, me vizita të shpeshta dhe biseda boshe që nuk sjellin asnjë rezultat. Ai vetëm e ka përkeqësuar gjendjen, por nuk mund të jenë fajet e tij. Politika ka ndryshuar te Biden. 

Në vend që ta lavdërojnë qeverinë e Kosovës për arritjet e saj, si përmirësimi i sigurisë në veri, integrimin dhe fakti që 10.000 serbë kanë marrë dokumente të Kosovës, Perëndimi e kritikon. Edhe pse nuk ka ankesa nga qytetarët serb.

Serbet e Kosovës po politizohen dhe instrumentalizohen nga aktorët perëndimorë, të cilët përsërisin se zbatimi i ligjeve, do të tensiononte gjendjen më tej. Në fakt, kjo është një thirrje indirekte për të krijuar tensione dhe për të penguar çdo përpjekje të Kosovës për të ndërtuar shtet ligjor dhe siguri për të gjithë.

Për të ndryshuar situatën aktuale dhe për të garantuar një të ardhme më të mirë për Kosovën, është e domosdoshme që faktori shqiptar në Ballkan të bashkohet, ashtu siç është i bashkuar faktori serb. Nëse shqiptarët vazhdojnë të qëndrojnë të përçarë dhe të fragmentuar, Kosova do të përballet me një dështim të madh. Vendim është marrë.

Një nga skenarët më të mundshëm dhe i besueshëm është krijimi i një "Republika Serbe" brenda Kosovës, e cila do të ketë aq autonomi sa ta kontrollojë vetveten, por njëkohësisht do të ketë aq ndikim sa të dominojë edhe politikën e Kosovës. Përmes partive serbe, Beogradi do të vazhdojë të drejtojë dhe të kontrollojë fatin e Kosovës, duke e kthyer atë praktikisht në një shtet të dirigjuar nga Serbia. Si me Republikën Serbe në Bosnje.

Nëse ky fragmentim i faktorit shqiptar vazhdon, Kosova nuk do të mund t'i rezistojë trysnisë ndërkombëtare dhe ndërhyrjeve të Serbisë, që synon të ruajë kontrollin mbi veriun e Kosovës dhe të krijojë institucione paralele që do të minojnë sovranitetin e saj. 

Perëndimi do të përpiqet të gjejë një mënyrë për të larguar Kurtin dhe për të sjellë një Ramush Çakorri, apo Isë Zajednica, që do të firmoste duke u krenuar se e dëshirojnë aleatët.

Shqiptarët e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Luginës duhet të bashkëpunojnë dhe të koordinojnë politikat e tyre për të arritur një ekuilibër të drejtë të vlerësimit nga Europa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për të fituar respekt si komb në Ballkan. 

Perëndimi respekton ata që kanë dinjitet, fuqi destruktive, jo ata që zvarriten dhe i thonë se “ju duam më shumë se çdo komb tjetër në botë.” Perëndimi nuk kupton dashurinë, por lekun. Industrinë. Prandaj shpesh u jep përkrahje dhe respekt vetëm shteteve që kanë kapacitet për të destabilizuar dhe për të krijuar trazira.

Edhe pse Serbia ka një biografi të gjatë të veprimeve destabilizuese dhe bashkëpunon ngushtë me Rusinë – me të cilën Perëndimi lufton në Ukrainë – ajo trajtohet me butësi, tolerancë dhe simpati. Edhe me investime. Në vend që të ndëshkohet për veprimet e saj destabilizuese dhe qëndrimet anti-perëndimore, ajo shpërblehet politikisht dhe ekonomikisht. Kjo dëshmon një mungesë koherente të parimeve nga ana e Perëndimit. Këtu fuqia dhe kërcënimet kanë përparësi mbi dialogun dhe bashkëpunimin konstruktiv.

Zgjidhja që do t’i konvenonte Kosovës do të ishte ndryshimi i kufijve. Veriu Serbisë, Lugina Kosovës. Ky veprim do të ndihmonte që Serbia të shpëtonte fytyrën duke fituar më shumë nga ajo çfarë humbi Milosheviqi. Kjo do të ndihmonte në përmirësimin e marrëdhënieve dhe në krijimin e një ekuilibri më të qëndrueshëm në Ballkan. Do të zhdukej nevoja për Asociacion dhe zvogëlohej numri i deputetëve serbë, të cilët nuk do të lejonin kurrë bashkimin me Shqipërinë. 

Kosova, për përpjekjet e saj në zbatimin e ligjit dhe ruajtjen e rendit, shpesh sanksionohet dhe kritikohet nga ndërkombëtarët. Në anën tjetër, Serbia, e cila është akuzuar për dërgimin e terroristëve dhe aktiviteteve destabilizuese në Kosovë, shpërblehet me kontrata për të blerë avionë dhe investime të mëdha nga Gjermania.

Perëndimi, i cili e ka gojën plotë me shtet ligjor dhe demokraci, me fjalë, nuk kërkon as arrestimin e Radojçiqit apo të atyre kriminelëve që rrahën ushtarë të NATO-s. Thua se ka pak probleme me Orbanin e Hungarisë, tani e ndihmon autokratin tjetër në Serbi. Kjo flet për një hipokrizi të madhe dhe krijon një perceptim se vendimet e Perëndimit janë të njëanshme dhe të padrejta, duke dhënë një mesazh se Kosova është e detyruar të përballet me pasojat e veprimeve të saj ndërsa Serbia, ndonëse e angazhuar në veprime të dëmshme, terroriste, shpërblehet.

Përkundër pranimit të pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj si shtet i pavarur, Bashkimi Europian, merr vendime që janë në kundërshtim me atë njohje. Pjesë e këtyre vendimeve është pranimi i pasaportave të lëshuara nga strukturat ilegale serbe në Kosovë. 

Acarohet për mbylljen e administratës ilegale serbe në Kosovë, çfarë nuk do të lejoheshin kurrë të operonin në vendet e tyre. Ky qëndrim kontradiktor i Perëndimit krijon një perceptim të dyfishtë dhe ndihmon në ruajtjen e një status quoje të paqëndrueshme, duke ndikuar negativisht në procesin e ndërtimit të një rendi të qëndrueshëm dhe të drejtë në rajon.

Në këtë kontekst, është e qartë se Perëndimi ka marrë një vendim që në territorin e Kosovës të krijohet një Republikë Serbe, duke i dhënë Serbisë një mundësi për të pasur një ndikim të konsiderueshëm në territorin e Kosovës. 

Nuk mund të besohet se KFOR nuk dinte se Serbia po planifikonte pushtimin e veriut me bandat e Radojçiqit. Muaj më herët pat folur deputetja britanike në Londër. Nuk mund të besohet se Serbia përgatiste sulmin pa pajtimin e KFOR-it. Mbikëqyrja e kufirit është detyrë e tij.

A ka shpresa? Po, teorikisht janë dy. Britania e Madhe ose bashkimi i faktorit shqiptar.  

Atë që nuk e thotë Perëndimi është kjo: 

‘Meqenëse ju kemi çliruar, atëherë ne vendosim se në këtë shtet duhet të ketë edhe një Republikë Serbe. Kosovën do ta qeverisni me Serbinë.’ Ata do të sillen si me Kurtin, me çdo kryeministër shqiptar që do të refuzonte diktatin. 

Ata nuk po tuten të luftojnë në Ukrainë kundër Rusisë, por po trishtohen nga Serbia!

Për t’i ikur kësaj humbje të madhe, duhet bashkim i faktorit shqiptar, por kjo nuk do të ndodhë. Si kemi ardhur këtu, e dimë të gjithë. Pas vdekjes së Rugovës Kosova u soll dhe u zhvillua si i konvenonte Serbisë dhe u udhëhoq nga injorantë dhe hajna: kriminelë e të korruptuar deri në palcë. Atëherë patëm aleatë. Tani kemi tutorë.

Nëse serbëve u ndërtohet një Republikë në Kosovë, le të përgatiten edhe për Republikën e Luginës dhe të Iliridës.

Keine Kommentare: