14.11.2024

Revolta në psikiatri

Në spital, katër pacientë organizuan një takim për të shqyrtuar "kompetencën profesionale" të neuropsikiatërve. Sipas tyre, të ashtuquajturit specialistë nuk ishin gjë tjetër veçse shërbëtorë të korruptuar të industrisë farmaceutike. 

Ata ishin tashmë të bindur se dija e tyre përdorej për t'i qetësuar, për t'i mashtruar, për t'i bërë apatikë dhe për t'i sorollatur poshtë e lart nëpër psikiatri, pa kuptuar as pse dërgoheshin aty, as pse nxirreshin jashtë. Me pak fjalë, ata duhej të mësoheshin, përmes psikoterapisë, ta ndienin veten të vegjël, të pavlerë dhe të padijshëm.

Trajtimin e tyre, neuropsikiatrit e quanin „shërimi", por pacientët besonin se nuk ishin të sëmurë. Ata nuk ndienin asnjë dhimbje dhe këtë e përsërisnin shpesh.


Në këndin e kafenesë së spitalit, ata po flisnin me zë të ulët. Sytë e tyre shkëlqenin; pacientët besonin se kishin zbuluar komplotin dhe financuesit. Gëzim Guraleci, një ish-gurthyes me flokë të çrregullt, ishte lider i grupit. Ai fliste me pasion të madh. Kur pushonte ndërmjet mendimeve, i shikonte të tjerët në sy, duke u munduar t’i bindte se ata ishin dijetarë, kurse mjekët ishin pacientë.


"Ne nuk jemi të sëmurë!" – tha Guraleci tani me zë të lartë, duke tundur kokën. „A jam unë i sëmurë, ju lutem, pse zoti flet me mua?! Jo, nuk jam.  Ata duan të na bëjnë të varur nga ilaçet për të asgjësuar inteligjencën tonë! Ata janë skizofrenë. Ne kemi një mision. Ata nuk e kuptojnë këtë.“ Pacientët e tjerë e shikonin dhe mbështesnin idenë e tij me duar që lëviznin në ajër dhe me tundje koke.


Shpëtim Pellazgu, zëvendësi i Guralecit, një ish-punonjës biblioteke, i hollë dhe i thatë, u ngrit ngadalë në këmbë dhe foli me një zë të trashë. 

"Guraleci ka të drejtë. Ata përdorin terminologji të panjohur, vetëm për të na bërë të ndihemi të paaftë përpara tyre. Pse më mbajnë mua këtu? Sepse m’u shfaq Krishti. Krishti, që më ngarkoi me një mision të shenjtë, për të shëruar njerëzit! E çfarë bëjnë këta me mua këtu? Më ‘shërojnë’ mua! Cili është i sëmurë ju lutem: unë, si vullnet dhe dëshirë e Krishtit, apo këta agjentë të jashtëm?“


Murat Dollapi, zëvendësi i Pellazgut, tundi kokën i trishtuar. Ai ishte një ish-kuzhinier, njeri i njohur për mendimet e tij mbi konspiracionet në psikiatri. Dollapi ngrinte shpesh gishtin tregues ndërsa fliste, si një njeri që kërkon me çdo kusht vëmendjen e të tjerëve.

"Është e vërtetë, dhe topi s’e luan," – bërtiti ai. "Ata duan që ne të harrojmë trashëgiminë tonë mjekësore mijëravjeçare dhe t’i shërbejmë industrisë së ilaçeve…“

"Ke të drejtë," e ndërpreu Guraleci. "Ja, për shembull, sëmundjen time mund ta shërojë dhalli, por nuk ma japin. Nga ai nuk fitojnë gjë!"

"Nuk ka ndikime anësore, prandaj. Nuk shkakton sëmundje të tjera," ndërhyri Dardan Sirtari, zëvendësi i Dollapit, një ish-poet, gjithashtu me një pasion të madh për teoritë e tij konspirative. Ai u ngrit, bëri disa lëvizje teatrale me kokë dhe duar, pastaj nisi të flasë me zë të lartë.

"Ata duan, me medikamente, të zhdukin lidhjet tona me fuqinë mbinatyrore, por ne do të shpëtojmë popullin…“

„T’i kthehemi dhallit," e ndërpreu Guraleci. "Nuk duhet shkollë. Nuk duhet fakultet, vetëm një lopë, një njeri që e mjel, dhe një që di të bëjë kos. Kaq!" Të tjerët duartrokitën lehtë, pa bërë shumë zhurmë.

"Dhe, të dashur, të mos harrojmë," – e mori fjalën Shpëtim Pellazgu. "E dini pse më sollën këtu me polici? Sepse zoti më dërgonte mesazhe. Këtu kanë gisht prifti ose hoxha, fqinjët e mi. Nga smira. Nga zilia."

"Natyrisht," – ia ktheu Murat Dollapi, – "kanë frikë nga konkurrenca. Nga profeti i ri." Pasi u ul ai, u ngrit Dardan Sirtari. Ai ishte i trashë, por zërin e kishte shumë të hollë.

"Keni shumë të drejtë. Ata nuk janë psikiatër. Ata nuk kanë dëgjuar kurrë zëra të perëndisë. Janë thjesht idiotë. Zoti na drejtohet neve për t’i shëruara ata. Sepse jemi të mençur, të zgjedhur prej tij. Ne duhet t’i ndihmojmë ata dhe t’i shërojmë nga iluzionet e tyre, që po dëmtojnë popullin tonë, me mashtrimet dhe rrenat që ata i quajnë ‚shkencë.’"

Kështu, ata, së bashku, filluan të përhapnin idetë e tyre. Shumë pacientë iu bashkuan, duke u besuar dhe duke i parë si neuropsikiatër të rinj, që mund të shpëtonin popullin nga shkenca e rreme, që manipulonte sipas dëshirës së armikut.

Në fund, morën një vendim për të organizuar një revoltë, me qëllim që spitali psikiatrik të administrohej prej tyre, ndërsa mjekët të mjekoheshin ose të burgoseshin. Të bashkuar rreth kësaj ideje, nisën një fushatë: u dërgonin mesazhe pacientëve të tjerë, ngjitnin fletushka në banjë, dhe pas një muaji punë në ilegalitet, arritën të bindnin edhe disa infermierë dhe infermiere.

Më pas, morën ftesa edhe për në televizione dhe debate televizive, ku shumë njerëz filluan të besojnë se këta gjeni ishin thjesht viktima të psikiatërve të shitur. Shkencëtarët e rinj në televizion shpjegonin se me metoda tradicionale mund të shëronin të gjitha sëmundjet. Sipas tyre, në filxhan mund të shiheshin të gjitha diagnozat e sakta. 

Se nuk duheshin studime të kota, specializime, por vetëm pasion i zjarrtë për zbulim. Dhe, mbi të gjitha, dashuri ndaj vendit, që psikiatria nuk mund ta kishte. Ajo dëshironte vetëm injorantë, që i nënshtrohen dhe i besojnë asaj. Të fundit që iu bashkuan grupit të ri shkencor të psikiatrisë, ishin pastrueset e spitalit. Ata që nuk pranonin pikëpamjet e tyre shpalleshin tradhtarë. Për disa prej tyre, u mor vendimi që do të përdoreshin medikamente qetësuese.

Mjekët u përpoqën t’i ndalnin. Ata shpërndanë njoftime që shpjegonin rëndësinë e medikamenteve, por kot. Pacientët nuk i lexonin, madje as nuk kuptonin. Pas disa ditësh, atyre iu bashkuan edhe pacientë të tjerë: ata me burnout, me deficit të vëmendjes, me çrregullime bipolare, me çrregullime ankthi dhe disa me varësi alkooli ose të lëndëve narkotike.

Meqë edhe populli po u besonte, i ndikuar nga televizioni, ata vendosën ta pushtojnë psikiatrinë dhe ta ndajnë në disa reparte, ku secili prej tyre do të udhëhiqte një. Dy pacientët me sëmundje bipolare do të udhëhiqnin spitalin e vogël përballë, ku mjekoheshin ata nga depresioni dhe çrregullime të tjera si sehiret, zhivat dhe të bamet.

Dy muaj pas takimit të parë, ata u ngritën në mëngjes, morën shkopinj, fultere, thika, fshesa dhe marshuan drejt zyrave të mjekëve. Dy prej tyre kishin edhe revole. Të tmerruar, psikiatrit vrapuan jashtë, por grupi tjetër i priste në oborr dhe i futën ata me zor në një dhomë, ku duhet të flinin nga dy në një shtrat dhe të trajtoheshin nga mjekët e rinj. 

Organizatorët e zgjedhur i pushtuan zyrat. Secili nisi të japë udhëzime për mjekime: njëri rekomandonte manaferra, tjetri dhallë, një tjetër hirrë – dhe kështu me radhë. Alkoolistëve dhe atyre me vartësi nga droga u dhanë konjak, kanabis, por porositën edhe heroinë. "Njeriu nuk mund të shërohet duke ia ndaluar atë që i pëlqen," tha ish-poeti Dardan Sirtari, gjersa firmoste terapinë e re.

Për të ndaluar hyrjen e policisë në oborr të psikiatrisë, të mbështetur edhe nga një media e fuqishme që kishte filluar të përhapte mesazhin, ata shpallën spitalin dhe disa kilometra rreth tij, shtet të pavarur dhe sovran. Sipas këmbënguljes së poetit, e quajtën ‚Psiko - Republikë‘. Me nxitim, ata shpallën zyrtarisht, me shumë entuziazëm, Ramushin Dijetarin ambasador në Kosovë, Sali Dritaren ambasador në Shqipëri dhe Ilir Qelinë ministër të drejtësisë së tyre. 

Ndërsa në psikiatri po vazhdonte krijimi i Qeverisë, TV Alba yesterday, today, and tomorrow informoi për “Psiko-Republikën.” Gazetari i saj tha se redaksia mbështeste idenë e shkencëtarëve të rinj, se dëshira dhe besimi janë më të rëndësishme për kombin sesa kompetenca shkencore dhe faktet. Se dija, që bazohet në specializim, në studime të gjata, përjashton popullin nga zbulimet e rëndësishme dhe nga pasioni i tij. E diskriminon. 

Psiko-Republika do t’i japë mundësinë çdo shqiptari të bëhet shkencëtar, sipas dëshirës dhe fushës që ai zgjedh, sepse kjo është dëshirë e zotit dhe njeriu nuk duhet ta pengojë. Shkenca nuk duhet të mbetet në duar të një grushti njerëzish. E rëndësishme është që qytetari ynë të eksitohet, të ndiejë kënaqësi në zbulim, ashtu si kur bën seks,  kështu një ditë mund të shpallim edhe Lezet-Republikën, tha në fund gazetari i TV Alba yesterday, today, and tomorrow, Hisen Ftyra.

Për të mos rrezikuar mjekët, policia nisi negociatat me shefat e rinj të spitalit. Ndërkohë, Qeveria u bëri thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm, pasi disa pacientë që besojnë se janë psikiatër po enden në qytet të armatosur. Pas katër orëve, pasi spitali u kthye në një fushë beteje mes pacientëve dhe policëve, të gjithë u arrestuan dhe u dërguan sërish në dhomat e tyre të veshur me kominoshe, për të parandaluar çdo mundësi që ata të mund të bëheshin të rrezikshëm për veten e tyre dhe të tjerët.

Megjithatë, edhe të rikthyer dhe të mbikëqyrur, ata ende besojnë se janë psikiatrit e vërtetë dhe vazhdojnë të planifikojnë në fshehtësi revoltën e radhës. Media shqiptare mbuloi ngjarjet në spital me interes tepër të madh. Shumë njerëz besonin se ata kishin marrë përsipër një rol që u ishte caktuar nga zoti dhe se psikiatria po abuzonte me ta.

Disa intelektualë i mbështetën pacientët, duke argumentuar se ata janë, në fakt, mbrojtës të një trashëgimie mjekësore të harruar të lashtë shqiptare, diku 12.000 vjeçare, të cilën psikiatria e lufton. Edhe sot dijetarët po përpiqen të shpjegojnë se bindjet e pacientëve nuk kanë bazë shkencore, se kufijtë mes sëmundjeve mendore dhe perceptimit shoqëror mbi "të shëndetshmen" po bëhen të paqarta, por zërat e tyre po mbyten nga zhurma e medieve.

Sidoqoftë, kjo histori, kjo revoltë, përfundoi me një pyetje të hapur: A do të arrijnë pacientët të realizojnë ëndrrën e tyre në „Psiko-Republikë“ për të krijuar një shoqëri ku besimi dhe dëshira janë baza kryesore shkencore, e jo studimi, specializimi, dija dhe fakti?

Imazhi create microsoft

Keine Kommentare: