28.02.2025

Është gjetur origjina e të gjitha gjuhëve indo-europiane

WISSENSCHAFT EUROPA


DW Deutsche Welle

Është gjetur origjina e të gjitha gjuhëve indo-europiane
Alexander Freund
26 shkurt 2025

Të gjitha gjuhët gjermanike, romane, sllave, baltike, keltike dhe indo-irane janë të lidhura me "Linjën Kaukaz-Volga e Poshtme (Niederwolga)". Populli kalorës Jumnaja (Yumnaya) solli gjuhën e lashtë në Europë dhe Azi.


Mutter (shqip ka dhënë motër, sqarim i përkthyesit) - mater - mētēr - mātar - mātṛ́ – të gjitha këto emra që tingëllojnë shumë ngjashëm për "nënë" tregojnë për një origjinë të përbashkët, që studiuesit e kanë kërkuar për më shumë se 200 vjet.

Po ashtu shumë të ngjashme janë në anglisht, persisht, rusisht, greqisht, latinisht, sanskritisht dhe gjermanisht fjalët për baba, vëlla, motër, djalë, emër, sy dhe këmbë. Rreth 400 gjuhë gjermanike, romane, sllave, baltike, keltike dhe indo-irane i përkasin familjes së gjuhëve indo-europiane.


U gjet "lidhja e humbur" e gjuhëve indo-uvropiane 


Gati gjysma e njerëzimit flet sot një gjuhë, origjina e së cilës sipas të dhënave më të fundit është te një degë e panjohur e nomadëve të stepave që jetonin në veri të Detit të Zi. Kjo "Popullatë e Kaukazit dhe Volgës së Poshtme, (Niedervolga)" (Caucasus-lower Volga, shkurt CLV) sipas studiuesve është lidhja e shumëkërkuar ndërmjet gjuhëve Proto-Indo-Europiane dhe ato Anatoliane.


Me sa duket, ky grup u përhap në të gjitha drejtimet dhe u përzie me gjuetarët dhe mbledhësit që jetonin aty, duke krijuar grupe të reja. Këtë e konfirmojnë kërkimet e fundit nga gjenetisti amerikan David Reich dhe antropologu vienez Ron Pinhasi, të cilat janë publikuar në revistën shkencore "Nature". "Linja e Kaukazit dhe Volgës së Poshtme" mund të "lidhet me të gjitha popullatat që flasin gjuhë indo-europiane", tha Pinhasi.


Gjatë analizave të ADN-së së 435 individëve nga vendet arkeologjike në Azi dhe Europë, u zbulua se "Popullata e Kaukazit dhe Volgës së Poshtme“ ishin gjithashtu paraardhësit e Kulturës Jamnaja (Yamnaya) dhe të njerëzve në Anatoli. Sipas Sudie, rreth vitit 4000 p.e.s. nga "Popullata e Kaukazit dhe Volgës së Poshtme" u formua kultura Jamnaja, e cila u rrit shpejt pas vitit 3750-3350 p.e.s. Populli CLV kontribuoi me rreth katër të pestat në përkatësinë e kulturës Jamnaja.


Përhapje e gjerë përmes Kulturës Jamnaja


Në përhapjen më të madhe ndikoi kultura Jamnaja. Ajo e solli gjuhën Proto-Indo-europiane përfundimisht në Europën e epokës së bronzit, në Iran dhe Indi. Ky popull nomad ka jetuar para 5.600 deri 4.500 vjetëve në stepën e Euroazisë, në veri të Detit të Zi dhe Detit Kaspik. Nga aty, kultura Jamnaja filloi të përhapej rreth vitit 3.100 p.e.s. në Europën Lindore dhe Azinë Qendrore dhe pati një ndikim të thellë në gjenetikën e popullsive europiane dhe aziatike qendrore.


Jamnajat nuk ishin vetëm blegtorë, mbledhës dhe gjuetarë. Ata gjithashtu konsiderohen si njerëzit e parë që kanë kalëruar kuaj. Mbetjet e qumështit të kuajve në enë prej qeramike nga Kazakistani i sotëm dhe gjetjet e eshtrave tregojnë se kuajt ishin zbutur rreth 5.500 vjet më parë dhe përdoren jo vetëm si kafshë për ngarkesa dhe tërheqje, por edhe për kalërim. Kjo revolucionarizoi lëvizshmërinë dhe mund të shpjegojë se si kultura, ADN-ja dhe gjuha e tyre arritën të përhapen kaq shpejt dhe kaq gjerë.


Çfarë dihet për Kulturën Jamnaja?


Jamnajat shkuan kryesisht si nomadë përmes stepës. Për këtë arsye, ka pak gjurmë vendbanimesh dhe fortifikata, që më shpesh janë gjetur afër lumenjve. Sidomos gjatë dimrit, ata ndoshta kishin jetuar në vendbanime të nëndheshme. Atje, veç e veç janë marrë gjithashtu me bujqësi. Përveç kësaj, Jamnajat konsiderohen si pionierë të përdorimit të qumështit, çka kontribuoi në prodhimin e ushqimeve që mund të ruhen, si djathi.


Kur sorollateshin si nomadë, Jamnajat përdornin karroca me dy rrota dhe karroca me katër rrota disqe, të cilat ndoshta tërhiqeshin nga bizonë. Kjo i mundësoi popullit për të dërguar kope të mëdha në vende të largëta dhe të ndërtonin një rrjet komunikimi të gjerë.


Të vdekurit e tyre Jamnajat i varrosnin në gropa, të mbuluara me dhe që dukej si kodër e vogël, - të quajtur Kurgane. I vdekuri varrosej në pozicionin e shtrirë në shpinë me gjunjë të mbledhur dhe të ngritur. Në varreza shpesh gjenden dhurata dhe kafshë të flijuara. Kjo mund të tregojë për besimin në një jetë pas vdekjes ose një përfytyrim i jetës në botën tjetër.


Në disa varreza, studiuesit kanë gjetur stela që i ngjanin njerëzve me koka, duar dhe këmbë të gdhendura, si dhe armë dhe rripa. Sigurisht, personalitete të veçanta janë varrosur me krejt karrocën prej druri.


Edhe këto petrografë nga Epoka e Bronzit i përkasin Kulturës Yamnaya.


Pse e braktisën stepën Jamnajat?


Para 11.000 vjetëve, Holozani, periudha ngrohtë që vazhdon edhe sot, e zëvendësoi periudhën e fundit të akullit. Para përafërsisht 6.500 vjetëve, edhe në Europën veriore u bë dukshëm më ngrohtë. Shtresa e akullit po tërhiqej gjithnjë e më shumë dhe kushtet e jetesës bëheshin gradualisht më të lehta. Për këtë arsye, ngrohja klimatike e Holozanit konsiderohet si një kusht pozitiv për zhvillimin e qytetërimeve njerëzore.


Duket se ndryshimet klimatike tregojnë arsyen pse Jamnajat, u larguan rreth vitit 3.100 p.e.s. drejt Europës Qendrore ose drejt Lindjes. Sepse jeta në stepat e Eurazisë mund të jetë  shumë e vështirë, pasi temperaturat ndryshojnë ndjeshëm në varësi të stinëve. Verat janë të nxehta dhe të thata. Disa javë me shumë shi i paraprijnë një dimri të ftohtë dhe me borë. Kullotja e gjedheve dhe dhive bëhet e pamundur, sepse ato duhet të mbahen me ushqim.


Në tri valë migrimi të supozuara, Jamnajat e braktisën stepën dhe u përzien me popullsinë vendase. Duke qenë sipërorë si nga ana kulturore ashtu edhe nga numri, ata shpejt dominuan zhvillimin gjenetik dhe gjuhësor të rajoneve ku u vendosën.Rreth vitit 2.500 p.e.s., gjurmët e tyre zhduken, por një pjesë e Kulturës Jamnaja vazhdon të jetojë përmes gjuhëve indoeuropiane.


Nga gjermanishtja Lis Bukuroca

https://www.dw.com/de/sprache-indogermanisch-indoeurop%C3%A4isch-ursprung-forschung-sprachforschung-dna-v2/a-71659972


Origjinali në anglisht: 

The genetic origin of the Indo-Europeans

https://www.nature.com/articles/s41586-024-08531-5 

First bioanthropological evidence for Yamnaya horsemanship

https://www.science.org/doi/10.1126/sciadv.ade2451 


Për të interesuarit këtu lidhja për gjuhën shqipe nga profesor Rexhep Ismajli

Edhe për prejardhjen e gjuhës

https://www.ashak.org/repository/docs/RISMAJLI_397704.pdf







Keine Kommentare: