Urimi i ambasadës amerikane iu drejtua popullit shqiptar. Populli votoi, por nuk u kandidua. Nuk meritonte urimin. Për fitoren, ambasada nuk e përgëzoi Edi Ramën, as nuk e ngushëlloi Sali Berishën për humbjen. Asnjëri nuk u përmend me emër. Trysni bipolare. Me dashje.
Ai lloj urimi është tipik për një politikan si Trumpi, ku ruhet qëllimisht një lloj shantazhi diplomatik. Madje ngjan me ato urimet e epokës komuniste, kur popullit i urohej “fitorja” vetëm pse kongresi kishte votuar sekretarin e parë të partisë.
Citati:
„Urojmë popullin e Shqipërisë
për zgjedhjet parlamentare
dhe presim të vazhdojmë partneritetin
tonë të ngushtë me Shqipërinë.“
Në një fjali përmendet dy herë “Shqipëria”, çka shkakton një keqtingëllim. Duket që nuk është rilexuar apo rishikuar. Urdhri ka qenë i tillë dhe është përkthyer në shqip. Deklarata e Ambasadës së SHBA-së që “uron popullin e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare” fsheh shumëçka brenda vetes dhe hap rrugë për spekulime.
Ndoshta është thjesht retorikë formale, por mesazhi është i qartë. Mendoj se Trump, Berishën dhe Ramën i sheh të dy si të majtë; prandaj edhe ky lloj distancimi.
Trump njihet për sjelljet e tij tekanjoze: e shpreh atë që ia thotë rradakja, mu si një fëmijë i lazdruar, trazovaç. Duket se jo vetëm Perëndimi dhe Kina kanë probleme me Trumpin, jo vetëm Amerika, por edhe vetë Trump ka shumë probleme me Trumpin.
Sidoqoftë, populli nuk është garues në zgjedhje dhe nuk meritonte përgëzime. Populli është votues, pjesëmarrës në proces. Këtë e di shumë mirë Ambasada. Duke mos përmendur fituesin, deklarata shmang një qëndrim politik të qartë dhe lë hapësirë për interpretime.
Meqenëse zgjedhjet i fitoi Edi Rama, pse të mos thuhet qartë “urojmë fituesin për fitoren” dhe njëkohësisht të përmendet nevoja për dialog me opozitën? Meqenëse opozita ka ngritur shqetësime për parregullsi (siç ka bërë shpesh, me pretendime për blerje votash, presion administrativ, përdorim të burimeve shtetërore), pse deklarata nuk përfshin një fjali që tregon se këto shqetësime do të ndiqen me vëmendje?
Kur thuhet “ne presim të vazhdojmë partneritetin tonë me Shqipërinë”, në fakt nuk është një urim për popullin, por për qeverinë që do të formohet. Marrëveshjet dypalëshe, bashkëpunimi ekonomik, ushtarak apo diplomatik nuk ndodhin me “popullin”, por me institucionet shtetërore.
Prandaj, sipas mendimit tim, ajo deklaratë e vockël nuk ishte fare një urim, por më shumë një anti-urim. Një deklaratë më serioze do të dukej përafërsisht kështu:
‚Urojmë fituesin e zgjedhjeve dhe shprehim dëshirën për vazhdimin e bashkëpunimit të mëtejshëm…’, sepse partneriteti ndërtohet mbi marrëdhënie shtetërore, jo thjesht mbi popujt.
Pa atë qartësi, deklarata e ambasadës mbetet një fjali kërcënuese, shantazhuese. E ftohtë. Alla Trump! Kështu e kuptova unë anti-urimin e ambasadës amerikane.
Duket se, ashtu si Vuçiqit, edhe Ramës ua hoqi iluzionet se Trumpi mund të blihet. Ai merr, por nuk shitet! Ai i blen autokratët. Pse? Sepse ata ofrohen. Sepse Trump e di se ata shiten dhe do të jepnin çdo gjë për pozitën.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen