21.08.2025

As Adem Jasharin, Bota sot

Mbrëmë shkrova një status me një imazh, ku thashë se opozita e sotme nuk do ta kishte votuar as Adem Jasharin. 

Pas atij postimi, pati disa ofendime dhe bllokova disa veta. Katër prej tyre shkruan komente shumë vulgare, duke më qortuar pse shkruaj si mendoj unë dhe jo si u pëlqen atyre.


Unë ndoshta kam një “defekt” dhe nuk di të mendojë si të tjerët! As të shkruaj. 


Mendoj ashtu si di dhe si mundem, duke u bazuar në njohuritë e mia, në aftësitë e mia, në faktet që kam, në perceptimin tim dhe në vlerësimin tim, duke qenë i lirë, i pa lidhur me parti dhe i pa inkuadruar në një grazhd interesi.


Ata e shajnë Kurtin me fjalë si “bollshevik”, “komunist”, “diktator”, ndërsa vetë përpiqen të ndalojnë lirinë e mendimit dhe të shprehjes. Mu si bolshevikët! Në fakt e dëshmojnë se nuk e dinë as çfarë ishte komunizmi, as bollshevizmi. 


Unë nuk kam asgjë kundër mendimit të lirë – çdo njeri ka arsyet, faktet dhe këndvështrimin e vet për të menduar si dëshiron. Por kur njerëzit shpërthejnë me agresion e ofendime, vetëm pse unë mendoj ndryshe, atëherë kuptoj se u kam prekur një pikë delikate, ku u dhemb shumë!


Mua më intereson e vërteta, jo dhembja që mund të shkaktojë ajo. Sepse shakatarë të dhembjes janë veprat e tyre, ata vetë, jo mendimet e mia.


(Njëri më shkroi privatisht, duke më treguar se personi që më shante për mendimin tim mbi neo-veteranët është ai që i ka blerë dy statuset e “veteranit” në familje – një për vëllanë dhe një për babanë – dhe sot nuk dërgon para nga Gjermania, sepse jetojnë me aq sa u mjafton nga “veteranizmi” i tyre i shpifur.


Një tjetër më shkroi se një njeri tjetër që shau, ka frikë se nga Kurti i sekuestrohet pasuria e vjedhur!)


E them këtë vetëm për të bërë të qartë një parim themelor të demokracisë: çdo njeri ka mendimin e vet dhe duhet ta shprehë lirshëm. Por në murin tim nuk lejoj gjuhë vulgare, sidomos jo nga ata që në profilin e tyre shkruajnë se kanë mbaruar fakultet…


Makroagresionet dhe mikroagresionet e tyre tregojnë se, në fakt, diplomat i kanë blerë dhe nuk kanë mbaruar kurrë fakultet. Së paku në reagimet e tyre nuk vërehen gjurmë. Kjo shihet në mënyrën si shprehen dhe në mungesën elementare të edukatës.


Mua nuk më pëlqen kur dikush më shan, por nuk zbres kurrë në gropën ku gjendet ai. 

Sepse nëse bie aty, humbas autonominë dhe individualitetin tim. Mossharja ime, mospërdorimi i dhunës verbale, shpërfillja, është sharja më e madhe që mund t’i bëj njeriut në atë gjendje.

 

Prandaj e bllokoj; nuk kam kohë të merrem me “riedukimin” e tyre, e as nuk është detyrë e imja…

Keine Kommentare: