Të kritikosh refuzimin e Albin Kurtit për dy kundërshtime të Listës Serbe, por jo mosvotimin e opozitës me shtatë, do të thotë të shohësh gabimet e fëmijës tënd, por të qortosh vetëm fëmijën e fqinjit.
Ose, pas analizave të gjakut, të kuptosh që një pjesëtar i familjes ka kancer, por të mos i tregosh se mund të mjekohet dhe ta lavdërosh pranë varrit.
Fajtor është gjithmonë dikush tjetër, ndërsa ju ndiheni gjenial, sepse dini të shani. Pse të përmirësoheni, kur fajtorin e dini para se të veproni vetë?
Pse të përdorni trurin, kur mund t’i merrni shpjegimet e gabueshme të dikujt tjetër? Këtu ndërhyn Immanuel Kanti me udhëzimin e tij për iluminizmin: Ki guxim të përdorësh mendjen tënde! Sapere aude!
Ata nuk e kanë. Ai qëndrim është një shfaqje tipike e sindromës Dunning–Kruger: të besosh se di shumë, kur në fakt di shumë pak, madje pa e kuptuar madhësinë mes numrit dy dhe të shtatë. Këtë mosdije epike e ka certifikuar PISA disa herë, dhe shihet çdo ditë edhe nëpër debate.
Pra, mosnjohja e mungesës së dijes, të kufijve të injorancës, dhe besimi i tepruar në gjykimin e gabuar quhet sindroma Dunning–Kruger. Në Kosovë, këtë fenomen e quajmë shpesh me një fjalë: Hajvanat.
Dija e pakët prodhon arrogancë, agresion, përbuzje, sharje dhe paragjykime të mëdha. Fajet gjenden gjithmonë aty ku duan ata t’i gjejnë.
Liderët e opozitës patën guxim dhjetëra herë të mos votojnë kryetaren e Kuvendit, por tani u ndien të tërhequr për hunde nga VV. Domethënë ata nuk votojnë si dinë, por kondicionohen.
Me plot mllef, urrejtje dhe sharje treguan se nuk janë subjekte të lira, por objekte të manipulueshëm. Të ndërsyeshëm. Paraardhësit e tyre shkatërruan arsimin e Kosovës, dhe kjo gjendje sot është një
pasqyrë normale e ecurisë anormale.
Njëri shkroi se Vuçiqi paska urdhëruar Kurtin të mos votojë Listën Serbe, por nuk tha se Vuçiqi i ka urdhëruar opozitës të mos e votojë. Të vetëpërmbahet.
Ai që refuzon votimin me dy vota punuaka për Serbinë, dhe ai që e refuzon me shtatë qenka patriot i madh. Bukur shumë. Urime dyfytyrësinë epike!
Sabotimi dhe rrënimi i shtetit bëhet duke luftuar të vërtetën dhe dijen, duke prezantuar injorancën si shkencë.
Akuzimi i Kurtit si shërbëtor të Serbisë më kujton një skenë në Gjermani, kur si student pata ardhur për të punuar verës. Një grua që punonte në Shtëpinë Publike vinte dy a tri herë në javë me burrin e saj.
Ishin të martuar dhe kishin një fëmijë. Sidoqoftë, ata paguan dhe, duke braktisur tarracën, zonjës i kaloi shumë afër dhe shumë shpejtë një zonjë tjetër me biçikletë, dhe kjo e Shtëpisë Publike i bërtiti pas: „Kurvë budallaqe, hapi sytë!“
Aty pata kuptuar se njerëzit shajnë ashtu si janë dhe si ndihen vetë. Një njeri që merret me bujqësi mund të shajë tjetrin me kalë, gomar ose lopë, dhelpër, taktor – aty i lindin dhe i krijohen asociacionet.
Natyrisht, mund të ketë edhe përjashtime, por këtë ligjërim – si i asaj zonje – e kemi përjetuar dy dekada, kur të korruptuarit ekstrem premtonin zero tolerancë ndaj korrupsionit, ndërsa tradhtarët, quajnë tjetrin me lehtësi të madhe tradhtar dhe kriminelët njeriun e drejtë kriminel.
Jashtë kufirit, këtë zakon e përshkruajmë me një fjali: „E ka mizën në kapuç!“ Dhe, siç po shohim, mizat gjenden kudo, edhe pa kapuç – nga Gjykatat Kushtetuese deri te administratat në vendet udhëheqëse dhe ambasadat.
Prandaj, prokuroria nuk ka ngritur akuza kundër asnjë hajni të madh. Shteti i Kosovës rrezikohet më shumë nga brenda, sesa nga jashtë.
Sot, nuk jemi më në gjendje të dallojmë atdhetarin nga tradhtari, sepse thuajse të gjithë janë shpallur tradhtarë. Kjo nuk është shfaqje spontane apo sporadike, por narracion dhe urdhër i UDB-së, i krijuar për të zhvendosur rolet dhe vlerat atdhetare…
Guxo të duash të vërtetën! Guxo t’i tregosh diagnozën e saktë atij që e do, dhe tutu të qortosh fëmijën e fqinjit. Vetëm kështu mund të shpëtosh nga arroganca e dijes së pakët dhe të shmangësh Hajvanat-sindromën.
Po e përfundoj këtu, sepse do të duhej shumë kohë për t’i shpjeguar një shtrese që nuk kupton dallimin mes madhësisë së numrit dy dhe shtatë.
Dhe meqenëse bolshevikët nuk arrijnë të kuptojnë se në demokraci vota është e lirë – ky shkrim nuk mund të arsyetohet. Duhet nisur me abetare…
Imazhi me Copilot
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen