13.08.2025

Dialog i imagjinuar Trump – Putin, Bota sot

(Një tavolinë e madhe, mbi të dy gota ujë. Salla e madhe me dritare të larta. Putini qëndron me duar të kryqëzuara — njëra dorë i dridhet lehtë. Ai vështron nga poshtë, me një shikim të ngritur; këmbët i ka gjysmë të hapura. Pranë tij ndodhet një përkthyes dhe një këshilltar. Trumpi është i mbështetur në karrige, me këmbët gjysmë të hapura dhe kokën e ngritur, duke e vështruar Putinin nga lart-poshtë. Dy këshilltarë qëndrojnë pranë tij.)

Putin (duke ngritur vetullat): Donald, të lutem, më jep një arsye logjike: pse shpenzon miliarda dollarë për të vrarë rusë? Pse ia merr paratë qytetarit amerikan për t’i djegur? Në Kiev ka lindur kombi rus! Ata janë vëllezërit tanë. Unë dua t’i çlirojë nga fashizmi. E dua rikrijimin e ‚botës ruse‘. Çfarë kërkon, të lutem, aty?

Trump (buzëqesh dhe tund kokën): E di, e di, Vladimir! Kjo është vepër e “Sleepy Joe”. Unë jam kundër vrasjeve. (Këshilltari pëshpërit: “Po, ne jemi kundër.”) Nuk më pëlqen lufta Rusi-Ukrainë.


Putin (duke e parë nga poshtë-lart): Luftë ka në Ukrainë, jo në Rusi. Dhe, nëse nesër ti do Kanadanë ose Grenlandën, unë nuk do të jem kundër. Nuk do t’i armatos ata kundër teje. Ky është zhvillim historik! Ne nuk duhet ta ndalim. Ti si Aleksandri i Madh; unë, në rritjen e ‚Majka Rasijas‘, si Katerina e Madhe!


Trump (duke buzëqeshur): Me fustan apo pa fustan? (Këshilltari pas tij ul kokën, me dorën në ballë.)

Putin (buzëqesh lehtë): Mos u tall, Donald! Është histori. Ajo e zgjeroi Rusinë me rreth gjysmë milioni kilometra katrorë. Ishte gjermane, dhe ti po e lufton sot atë. A duhet t’i pyesim turmat, tufat, se si të hyjmë ne të dy në librat e lavdisë?

Trump (mbyll sytë për një sekondë): Absolutisht jo. (Këshilltari pëshpërit: “Mos u shfaq i butë.”)


Putin (përkulet përpara): Ti duhet të shpëtosh Amerikën nga degjenerimi i demokracisë së majtë liberale: homoseksualë, biseksualë, arabizim! E sheh, Europa po vetëvritet. Zoti të ka dërguar; Zoti të ka shpëtuar nga atentati sepse i duheshe — mos e humb misionin! Mos harro kurrë: Europa është kundër Amerikës. Nëse nuk të shfrytëzon, të hedh si leckë tutje.

Trump (merr një laps në dorë): Shumë e vërtetë. (Këshilltari pëshpërit: “Shumë e vërtetë, Europa na ka shfrytëzuar tash e disa dekada.”) Por duhet ta ndalim luftën — ndryshe do dukem si i pabole.


Putin (shtrëngon grushtin): Ja kushtet, Donald, qartë dhe rusisht: Ukrainës i japim nja dymbëdhjetë katunde, shkëmbim territoresh, por krahinat që çliruam nga fashizmi mbeten tonat. Si Krimea, Luhansk, Donetsk, Zaporizhia dhe Kherson. Donald, a është logjike, të lutem, që trojet e çliruara t’ia kthejmë pushtuesit? Dhe më përmend vetëm një shembull ku çlirimtari pasi e çliron vendin, ia kthen pushtuesit në tryezë? 


Trump (tund kokën):  Nuk kam fjalë.

Putin: A do të ishte logjike, për ju, të ktheheni nga keni ardhur në Amerikë dhe turma primitive ta marrë këtë vend? Donald i dashur, Zoti nuk e ka penguar kurrë të fortin, sepse e do. As edhe kur u gozhdua Krishti, Ai nuk ndërhyri, sepse respekton pushtetin e madh. Shiko në Palestinë — nuk pengon asgjë. Ç’janë këto “liri” e “të drejta të njeriut”, droga, gjinitë e ndryshme, pasurimi i popullit? Ligjet e natyrës nuk lejojnë barazi — as në mal, as në det, as në tokë, as në qiell. I pasur mund të jesh ti dhe unë, dhe pastaj rrethi ynë dhe elita, por jo masat. Ata i ka krijuar zoti për të besuar dhe për të shërbyer. Po të flas si mik, sepse nuk do të ishte normale që ne të dy të dilnim në dyluftim për Zelenskin, i cili u tall me ty në Shtëpinë e Bardhë si më keq. Kurrë ajo Shtëpi nuk ka përjetuar një poshtërim të tillë. Një dhirje. As qeni nuk e leh atë që i jep bukë — ai të lehu brutalisht. Këlyshi!


Trump (tund kokën ngadalë): Po, ke të drejtë. (Këshilltari pëshpërit: “Pajtohemi.”) Ata nuk mund t’i marrin kurrë tokat e humbura. Ne nuk duam luftë me Rusinë. Mjafton të largohesh nga Kina, Vladimir.


Putin (hap krahët në ajër): Nuk e bëjmë. Kjo botë duhet t’i ketë tre liderë si Triniteti i Shenjtë: Ti je Ati, unë i Biri, dhe Xi i Kinës Shpirti i Shenjtë. Ti kujdesesh për kontinentin amerikan, Australinë, Zelandën e Re, Lindjen e Afërt dhe Afrikën; unë do të kujdesem për Europën, që është prishur moralisht; dhe Xi për pjesë të Azisë. Botës i duhet rregull dhe të luftohen liritë degjeneruese. Dhe, dil nga NATO. Nuk të duhet. Po të përdorin. Liritë dhe të drejtat e njeriut po prishin qytetërimin. Ato i takojnë elitës, jo popullit. Populli ka nevojë për rregull. Për disiplinë, jo lirinë për sharje.

Trump (sytë i shkëlqejnë): Po kjo më pëlqen, (këshilltari pëshpërit: “Nuk e di a pajtohemi”).

Putin (shtrin dy duart mbi tavolinë): Jo vetëm kaq. Dua garanci që Ukraina nuk pranohet në NATO, të ketë një ushtri simbolike vetëm me armatimin të lehtë. S’ka nevojë për armatë ajo, ne e mbrojmë.


Trump (tund kokën): Pajtohem… (këshilltari pëshpërit: “Nuk pajtohemi.”)
Trump (me zë më të lartë): Nuk pajtohem.

Putin (duke ngritur gishtin tregues dhe me seriozitet): Duhet. Përndryshe, unë me Operacionin Special marr krejt Ukrainën. Dhe nuk dua që një “copë” Rusi nesër të jetë brenda NATO-s. Kuptoje! As ti nuk e do.


Trump (mbledh buzët, këshilltari pëshpërit: “Ndoshta pajtohemi”): Po, ka të drejtë.

Putin (ngre duart dhe sheh me sfidë): Dhe shiko: Alaskën, që ua kemi dhënë, nuk po e kërkoj. Edhe pse këtu ndihem në shtëpi. Çfarë kërkon ti në Ukrainë? Të derdhësh miliardat e qytetarit amerikan?

Trump (rregullon flokët): Ndoshta pajtohem… (këshilltari pëshpërit: “Mos thuaj ‘ndoshta’, thuaj ‘po’”), por “Jeshili” (Zelenski) më del kundër…


Putin (ngrit vetullat): Thuaji: ose pranon, ose unë e çliroj krejt Ukrainën dhe ia kthej Majka Rasijasë. Logjike apo jo? A nuk do edhe ti të “çlirosh” Kanadanë, Grenlandën, Gazën?

(Këshilltari i pëshpëriti Putinit duke iu afruar pranë veshit): Ai e përsëriti mendimin e tij.  Do hysh në histori si Aleksandri i Madh, apo si Neroni duke ia futur zjarrin Amerikës, apo si Kaligula do të mbetesh në histori për luks, seks me gra e burra, orgji, si liberalët e majtë, që e prishën Europën Perëndimore, por jo burrë shteti?


Trump: Ndoshta pajtohem. (Këshilltari pëshpërit: “Pajtohemi.”)

Putin: Bravo! (Këshilltari pas tij pëshpërit: “Kënaqësi absolute.”)

Trump: Jo, nuk pajtohem. (Këshilltari: “Nuk pajtohemi.”)

Putin (i drejtohet me gishtin tregues): Të jap mineralet që gjenden në pjesën tonë të çliruar, investo! Janë tuat!


Trump: Pajtohem. (Këshilltari: “Pajtohemi, lufta dhe paqja janë biznese.”)

Putin: Urime! (Këshilltari: “Shumë urime.”)

Trump: Jo, nuk pajtohem. (Këshilltari “Pajtohemi.”)

Putin (buzëqesh): Kam videot. Kam edhe dosjen Epstein. Takimet me John Gotti-n dhe familjen Gambino — dy legjenda të mafies italo-amerikane. T’i bëjë publike?

Trump (ngrit duart): Fitore! Pajtohem! (Këshilltari pëshpërit: “Po, mbylle tani, pajtohemi në tërësi.”) Fituam.



Para gazetarëve:

Trump (serioz, me flokët bionde në ajër): Kemi një marrëveshje madhështore! Diskutimi ishte më i vështirë në historinë e presidentëve të botës. Asnjë kryetar tjetër nuk ka luftuar kaq ashpër dhe me kaq pasion. Lufta mbaron. Nëse Zelenski nuk pranon, ne tërhiqemi. Nuk duam të financojmë vdekjen. Varre. Rusia do të tërhiqet nga disa vende, 12, pjesa tjetër mbetet ruse dhe ndalet lufta. Nëse nuk pajtohet Zelenski, mund ta humbë krejt Ukrainën. (Këshilltari pëshpërit: “Kjo është punë e madhe.“ Trumpi: kjo është punë madhështore, që nuk e ka bërë asnjë kryetar në botë.


Putin (i qetë dhe i buzëqeshur): Ishte marrëveshje e vështirë. Trump ishte agresiv, kategorik, por ne të dy do ta kthejmë demokracinë dhe botën në binarë. Pyetje të tjera nuk pranoj sot.


Gazetari: Ju keni thënë se e përfundoni luftën për 24 orë, zoti president?

Trump (pas një dialogu vesh më vesh me Putinin): E vërtetë, por unë tregoj kur nisi numërimi i orëve. Tash i kaluam tri orë e njëzet e pesë minuta, dhe kanë ngelur edhe 20 orë e tridhjetë e pesë. Pyetje të tjera nuk pranoj… Do të flas me Zelenskin për t’i dhënë lajmin e mirë: Paqe më në fund! Festoni!


Putin: (u largua pak, pastaj mori në telefon ministrin e mbrojtjes Shoigu dhe tha me zë të ulët dhe komandues): Sergei, brenda dy orësh, bombardoni Kievin me sulme të pamëshirshme dhe të forta — që të mos harrojnë kurrë! Mos kurse asgjë! Operacioni Special Ushtarak vazhdon deri në inkuadrimin e Ukrainës në Botën Ruse.


(Të dy u nisën drejt daljes, duke buzëqeshur si fitimtarë, pasi kishin arritur një marrëveshje për një ‘paqe’ historike.’)


Imazhi i sajuar me ideogram

Keine Kommentare: