13.08.2025

Ngushëllime UÇK

Ne kemi pasur një Skënderbe, dhe ai ka mbetur me një imazh të përjetshëm. Sikur të kishim pasur një mijë si ai, asnjëri nuk do të kishte marrë respektin e tij. Sepse madhështia nuk matet me numra, por me kontributin.

Shpesh kam menduar se “prodhimi” masiv i veteranëve nuk u bë vetëm për vota. Ishte edhe një plan hakmarës për të zbehur e zhbërë vlerën e trimërisë, guximit e patriotizmit; për ta shndërruar atë nga një nder i rrallë në një etiketë të pavlerë, duke e shpërndarë edhe tek ata që dikur ishin kundër UÇK-së, ose që shëtiteshin nëpër sheshe derisa diku në Kosovë luftohej.

Nuk njoh askund në botë një rast ku një lëvizje çlirimtare, me merita të jashtëzakonshme për themelimin e shtetit, të përfundojë e reduktuar në komunitet tragjik-komik dhe pothuajse të përçmuara për kontributin e vet, që dikur ishte gati i pashembullt. 

Për luftë duhen bole, dhe ne, shumica absolute, nuk i kishim gjatë luftës. Është normale. Askund në botë nuk janë shumica trima.

OVL-UÇK, për aq sa di unë, kurrë nuk ka ngritur zë seriozisht kundër fabrikimit të veteranëve të rremë. Kurrë nuk ka bërë protestë kundër atij poshtërimi që ia lejoi vetes dhe luftës. Sot, kur dikush deklarohet veteran, njerëzit ngrejnë vetullat, shikojnë me dyshime, nuk e besojnë. 

Dhe si ta besojnë? 

Përballë çdo veterani të vërtetë janë 300 deri 500 të rremë, që e kanë blerë guximin e munguar dhe e kanë shitur dinjitetin e tyre, si ndonjë grua në shtëpinë publike. Po prokuroria? Kosova e paguan për t’i garantuar elitës vjedhjen dhe korrupsionin. Aty nis ose përfundon ndërtimi i shtetit. 

Kosova është kopje shteti, jo shtet.

Ashtu siç organizoi protesta kundër Gjykatës së Hagës, OVL-UÇK duhej të kishte ngritur zërin edhe kundër ushtrisë së sotme, e cila, nëse do të kishte pasur vërtet 40.000 luftëtarë trima (ose 60.000 sa kanë aplikuar), do ta kishte çliruar vetë Kosovën pa pritur NATO-n. Dhe nëse kjo nuk u bë, atëherë dikush duhet të japë llogari, jo të fshihet pas dekoratave prej letre.

Pse veteranët e vërtetë kishin guxim në luftë, por nuk kanë guxim në paqe? 

Pse dje ishin tirma, e sot janë tuca? 

Çfarë nodhi?

Një diamant ka vlerë sepse është i rrallë dhe i mbushur me cilësi. Një grumbull hekurishtesh, edhe nëse e mbush një vagon, mbetet vetëm hekur që duhet të shkrihet dhe riformohet. Si veteranët e rrejshëm.

Për fat të keq, ky është imazhi i UÇK-së së prodhuar pas luftës: jo më heroike, por e njollosur tej për tej, e shitur, e blerë, e përlyer nga duar që nuk kanë pasur kurrë armë në dorë.

Ajo nuk po hetohet vetëm në Hagë. Në Kosovë e ka marrë dënimin e pamerituar. Gjykohet dhe damkosen përditë publikisht, sepse ia ofruan mundësinë për ta zhbërë dinjitetin e saj. Po kthehet nga krenari kombëtare në objekt talljeje. 

Dhe kur njerëzit fillojnë të tallen edhe me të vërtetët, atëherë nuk kemi humbur vetëm luftën e imazhit – kemi humbur vetë dinjitetin. Vlerën e lirisë. Dhe, derisa të mos dënohet ajo armatë kriminele që e vjedh Kosovën në paqe muaj për muaj, OVL-UÇK, nuk do të ketë nderin që e meriton. As ftyrën.

Sepse nuk ka armik më të rrezikshëm për një popull sesa kur ai vetë fillon të poshtërojë heronjtë e vet. Dhe këtë, sot, po e bëjmë ne. Po e lejojnë ata. Me një ushtri veteranësh që ka hedhur në fund të pusit ata veteranët e vërtetë. 

Turp i përjetshëm! 

Turp i dimensionit historik.

(Imazhi me Copilot)

Bëhu çlirimtar

Keine Kommentare: