08.08.2025

Kurvokraci apo UDB-okraci

Njerëzit që dikur e votuan Gjykatën dhe i uronin arrestimin Thaçit me zë të lartë, sot sillen si kundërshtarë të saj dhe si gardianë të drejtësisë, duke u përpjekur të bindin publikun se po “luftojnë” kundër padrejtësisë.

Ndoshta kanë deponuar edhe dëshmi të fshehta kundër atyre që sot i quajnë “viktima”. Ndoshta.


Ata nuk janë anonimë, përkundrazi, dominojnë hapësirën publike të Kosovës, dhe pikërisht aty kuptohet pse morali kolektiv është në shkatërrim e sipër. 

Sot, ajo Gjykatë që dikur e kërkonin me pasion, me piskama dhe nëpër takime sekrete, është shndërruar në një teatër banal të hipokrizisë. Tani sillen sikur duan “kthimin e çlirimtarëve”, pikërisht ata që dikur iu gëzuan largimit të tyre.


Në fakt, ata që e votuan atë Gjykatë nuk kanë dalë në shesh vërtet kundër saj. Jo! Ata nuk luftojnë për drejtësi, as për të vërtetën. Ata njohin vetëm interesin. Po luftojnë për veten, për imazhin e tyre. Shpresojnë përfitime personale. Egoizëm narcistoid!


Madje shfaqen edhe të buzëqeshur. Dalin për protagonizëm: për të ndryshuar ngjyrën e fytyrës, ose për të veshur një maskë të re.


Por karakteri nuk fshihet me fjalë – dhe kurvëria e nuk është thjesht një instinkt: është mënyra e tyre e të qenit. Është ecuria e ekzistencës së tyre publike. Prandaj lind pyetja e thjeshtë, ku gjendemi?


Në kurvokraci?

Në UDB-okraci?


Apo në një përzierje të të dyjave, ku tradhtia mund të mbulohet lehtë me folklorizëm patriotik publik, ndërsa në prapaskenë të vazhdohet zbatimi i projekteve serbe kundër Kosovës.


Sidoqoftë, "kurvokracia" nuk është ideologji — është një grumbull karakteresh të njëjta me pushtet dominues mediatik. Është tipari i mashtruesve nëpër portale e televizione, që manipulojnë popullin për të ruajtur pasurinë e vjedhur ose për të mbrojtur investimet e Serbisë.


Është karakteri i atyre,  që ndikimin e madh publik, e përdorin për interesa personale. E megjithatë, turma u shkon pas. Mu si delet kasapit.


Ja çfarë tha kryetari i nderit i LDK-së, Isa Mustafa, që gati e shkatërroi partinë e Rugovës: “Nesër do të isha në shesh përkrah veteranëve, po të kisha shëndetin!”


Kur e pati shëndetin, “profi” — siç e quajnë disa me përkëdhelje e mirënjohje — e përdori për karrierë: nga shërbimi në qeverinë e Rrahman Morinës (nën Millosheviqin), te “tre përqindëshi”, pastaj te nënshkrimi i Republikës Serbe, ku e shkeli Kushtetutën e Kosovës 21 herë, e deri te votimi për Prokurorinë Speciale të Hagës!


Citat nga 26.06.2015, Klan Kosova – Isa Mustafa: „Gjykata e pastron UÇK-në, votojeni amandamentin!“


Zotëria i thoshte popullit dhe deputetëve se Gjykata Speciale ishte “speciale” sepse ishte një lavatriçe; se duhej votuar, sepse detyra e saj ishte vetëm pastrimi. 


Është e arsyeshme dhe e kuptueshme revolta e veteranëve — por jo e atyre që kanë luftuar apo shpërfillur UÇK-në që nga dalja e saj në skenë.


PS. Populli i ka shpërblyer me mirënjohje dhe pozita ata që rrezikuan jetën për liri, ata që sot gjenden në burg — por nuk ka as fuqinë, as pushtetin për t’i nxjerrë. 


Protesta ishte një revoltë e ndershme e veteranëve, por partia e Thaçit nuk ka bërë asgjë — as në Kuvend, as jashtë tij — për të zbuluar të vërtetën rreth asaj prokurorie dhe gjykate. Rreth padrejtësive atje. Ligjet ndryshohen në Kuvend, jo në shesh.


Disa nuk e duan kthimin e tyre, sepse ndihen më mirë të jenë luan më vete, sesa këlysh i tyre pas kthimit.


Ajo protestë la përshtypjen se ishte më shumë kundër qeverisë sesa kundër gjykatës. 


Organizatorët më të zjarrtë ishin kundërshtarët e Kurtit, së bashku me mediat e tyre. Kështu ata e keqpërdorën protestën, ndërsa disa jo-veteranë e shfrytëzuan pjesëmarrjen për t’u stolisur me breroren e atdhetarit.


Imazhi i sajuar me Copilot


Keine Kommentare: