Nuk duam më veting. Nuk do të sekuestrojmë as pasuritë e vjedhura, as nuk do të pengojmë ndërtimet pa leje. Shqiptarit nuk duhet t’i mohohet e drejta për të ndërtuar ku të dojë, si të dojë. Edhe mbi trotuar, edhe në maje të kodrës, edhe në plazh nëse ka dëshirë të ndërtojë në Shqipëri.
Ju keni të drejtë, e dashur opozitë, prandaj kemi një ofertë shumë simpatike për ju: të miratojmë ligje që u japin të drejtë kryetarëve të partive, qeveritarëve, kryebashkiakëve dhe drejtorëve të vjedhin pa asnjë shqetësim!
Madje edhe fakultetet: të shesin diploma, të blihen tituj doktorësh. Populli ynë i meriton doktorët. Pse të lodhet shqiptari në studime të gjata, kur mund ta blejë titullin cash, me kartë krediti, PayPal apo Bitcoin?
Nuk është e drejtë që atdhetari të tutet gjatë aktit patriotik dhe të përjetojë 'Triadën e Deliriumit Patriotik', domethënë tri tuta: para vjedhjes, gjatë saj dhe pas saj. Kjo është e tmerrshme! Popullit i duhen shëmbëlltyra fisnike. Ky komb i përvuajtur i meriton!
Dhjetë ligjet e reja, opozitë fort e dashur dhe shumë patriotike, që po i propozojmë, janë si Dhjetë Urdhëresa biblike, por versioni VIP: garanton ekzistencën dhe lejon pak haram për VIP-a.
Dhe ligjet që do të pasojnë, që i propozojmë ne, i shkruajmë edhe për Shqipërinë Nanë, sepse kryeministri Rama pati mirësinë të na ndihmojë në shkuarjen e Asociacionit, të cilin ne, si gjithmonë, me mungesë mirënjohjeje, nuk ia kemi dërguar ende Labanit, Gjykatës Kushtetuese! Pra, ia kemi borxh.
Le të mos harrojmë edhe sakrificën e Edi Ramës dhe kërkesën kategorike për rezolutën kundër Gjykatës Speciale, themelimin e së cilës e pati kërkuar me urgjencë, ndërkohë që vetë, sipas mediave, ka tridhjetë e tre ministra dhe bashkëpunëtorë me dosje te SPAK ose nën akuza.
Prandaj, mendojmë se SPAK, nga ky Kuvend, duhet të shpallet organizatë terroriste si Hamas. Thjesht si mirënjohje dhe falënderim për vetëflijimin e Ramës në dobinë tonë
Opozitë loçkomane, këto janë ligjet për të cilët presim pajtimin tuaj:
Neni 1: Vjedhja është e ligjshme vetëm për të lartpërmendurit: për kryetarët e partive, qeveritarët, kryebashkiakët dhe drejtorët.
Neni 2: Kush vjedh më shumë, shpallet Hero i Popullit.
Neni 3: Akti xhentëlmen: vjedhja e vjetër shpallet pasuri dhe trashëgimi e lashtë kulturore pellazge. Çdo dosje eventuale arkivohet.
Neni 4: Ndalohet publikimi i disertacioneve të doktoraturës, vetë kërkesa është akt kriminal, që dënohet deri në një vit burg.
Neni 5: Çdo politikani i jepet pasaporta diplomatike me imuniteti deri në Zvicër apo deri te një bankë jashtë vendit.
Neni 6: Ndalohen kritikat ndaj asaj shtrese, me shkrim apo me gojë, që flijohet për pasurim; çdo shkelje dënohet së paku me gjashtë muaj burg.
Neni 7: Korrupsioni nuk ekziston; ai është thjesht një mirënjohje me bakshish që qytetari zgjedh ta shprehë. Luftimi i kësaj “mirënjohjeje sociale dhe publike” është e padrejtë dhe, natyrisht, plotësisht antidemokratik.
Neni 8: Deputeti që nuk voton për, shpallet armik i shtetit dhe kombit.
Neni 9: Liderëve politikë, shteti u garanton nga një deri në dy dashnore (ose dashnorë) për çlodhje erotiko-seksuale, në përputhje me standardet më të larta të epokës sonë.
Neni 10: Kush bashkëpunon me BIA-n serbe, shpallet Artist i Merituar.
E dashur opozitë, të marrim sa të mundemi, sa të mbetet, sa ka në arkë.
Prokuroritë dhe gjykatat? I mbyllim! Nuk na duhen. E dini edhe ju. Pse t’i lodhim me lexim dosjesh të trasha, kur mund të kalojnë kohën duke shikuar film dashurie të partizanëve online?
Kështu kursejmë buxhetin, opozitë loçkë, që pastaj e ndajmë mes nesh pa stres, pa kokëçarje, pa paragjykime dhe pa gjykime. Dhe ja si e ndërtojmë me sukses Sistemin Special: Demokracia Speciale Totale, ku të gjithë marrin, por askush nuk vjedh!
Pse të kriminalizojmë njëri-tjetrin… kur mund të festojmë së bashku? Pse të gjykojmë njëri-tjetrin? Asnjë kafshë nuk gjykon kafshën tjetër për atë që merr, dhe as nuk shkruan ligje kundër vetvetes!
Kështu, nga homo corruptus, homo diabolicus, homo maleficus dhe Homo absurdus kthehemi në Homo Sapiens Superior – versioni VIP i njeriut që di të marrë gjithçka dhe të buzëqeshë!
E nderuar opozitë, opozitë e lartëmadhërishme, ju që keni një detyrë fisnike për të mbrojtur të kaluarën tonë të famshme të pasurimit, jini të sigurt, tani e kemi kuptuar, se demokracia funksionon vetëm kur liderët marrin… dhe askush nuk pyet.
Opozitë e dashur, para se të braktisni Kuvendin, kemi një propozim shumë “seksi” për ju:
Ramushin e bëjmë ministër të Financave, Fatmir Limajn drejtor të Bankës së Kosovës, ndërsa zëvendës nderi profesorin Isa Mustafa. Ky ka shumë përvojë me banka, me trepërqidnshin. Për këshilltar? Gjenerali Agim Çeku, padyshim. Ganimetja duhet të jetë kryetare e Kuvendit, mendojmë ne. Për postet tjera vendosim herën tjetër.
Tani shkoni në Durrës dhe merrni kafen dhe bukën me vete, sepse çmimet janë rritur…
Imazhi me Copilot
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen