24.08.2025

Ibrahim Kelmendi – një karakter i çuditshëm

 „Amicus Plato, sed magis amica veritas“ Aristoteli (1)

Ibrahim Kelmendi nuk është një figurë që mund të gjykohet vetëm mbi bazën e ndonjë statusi apo shpërthimi emocional. Ai është një veprimtar i madh, një intelektual dhe guximtar i veçantë, një njeri që ia ka kushtuar jetën Kosovës. 


Qysh si pjesëtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe si një nga themeluesit e UÇK-së, e deri te veprimtaria e tij e mëvonshme, ai mbeti i palëkundur në një parim: sakrificë për të drejtën, pa përfitim personal. Në fund të fundit, ai mbeti një idealist kategorik, shpesh i tmerrshëm për kundërshtarët dhe i paragjykuar nga gati të gjithë.


Kelmendi ka refuzuar poste në qeverinë e Thaçit, sepse, siç ka thënë, nuk kishte luftuar për shpërblime, por për atdheun. Ky akt e dallon atë nga shumë të tjerë. Ai është i rrallë në veprim dhe i rrallë në karakter. 


Artikulimi i tij është i drejtpërdrejtë, pa metafora zbukuruese dhe pa dorëza diplomatike. 

Kelmendi flet me një sinqeritet që shpesh të duket i ashpër, madje vulgar, por pikërisht ky vulgaritet buron nga përkushtimi ndaj së vërtetës, nga zemra e pastër, nga zemra e plastë, dhe nga përbuzja që ndien ndaj trillimeve, folklorizmit dhe manipulimeve. 


Ai lufton edhe kundër mitizimit të UÇK-së dhe për të drejtat e serbëve në Kosovë. E shan gati çdo ditë Kurtin, por kjo nuk bazohet në urrejtje personale, mendoj unë, por në frikën e tij se Kosova mund të pësojë.


Mua më janë dërguar dosje të sajuara kundër tij, ashtu si edhe për Jusuf Gërvallën, Qosjen, Rugovën, madje edhe për Kurtin kohët e fundit. Për diku 30-50 veta. Nuk i kam bërë kurrë publike, sepse referencat janë të gjitha të sajuara. 


Pikërisht aty pata kuptuar natyrën e narracionit të përhapur, kryesisht në debate televizive, ku shpesh ftohen udbashë, disa të deklaruar, të tjerë të fshehur, por të pranishëm në skenë publike edhe sot. Ata dinë të shfaqen si patriotë, por veprimet e tyre përfundojnë duke i shërbyer Serbisë. 


Për të krijuar hapësirë veprimi, shpikin tradhtarë kudo. Mendoj se është fushatë që drejtohet dhe rekomandohet nga BIA serbe.Tradhtari mbulon veten me ligjërim patriotik. Ai i shërben vetëm si maskë, mirëpo e zhveshin cullak veprat kapitale që kryen në dobi të Serbisë. 


Në atë kazan akuzash dhe iluzionesh, Ibrahim Kelmendi qëndroi i qartë: ai nuk ka treguar asnjë ambicie për poste, nuk ka kërkuar asgjë nga Kosova. Pasi pa se shoqëria jonë u mbush me zbukurime, iluzione, fisnikërime të rreme dhe sytë mbylleshin para realitetit, ai zgjodhi të rikthehej në Gjermani. 


Nuk e braktisi Kosovën, por nuk ia doli të përshtatej, të shkrihej në një shoqëri që shtiret. Në një hipokrizi gati totale. Ku i drejti dhe jo hajni, duket si i idiot. 


Ajo nuk është natyra e tij.

Ashtu si Jean-Jacques Rousseau, i cili refuzoi pensionin e mbretit Louis XV të Francës dhe gjithashtu ofertën e mbretit gjerman, Frederikut të Madh të Prusisë, për të mbetur i lirë në mendim, jo i varur nga oborri, edhe Ibrahim Kelmendi nuk pranoi poste apo shpërblime nga qeveritë e pasluftës. Ai nuk e shihte kontributin për Kosovën si urë për privilegje personale. 


Për të, mjaftonte fakti se kishte bërë atë që duhej për atdheun. Ky qëndrim e bën Kelmendin një figurë të rrallë: të pavarur nga pushteti, të pakorruptuar nga tundimi dhe të lidhur vetëm me të vërtetën.


Karakteri Ibrahim Kelmendit mund të krahasohet vetëm me seriozitetin dhe vendosmërinë e Arthur Schopenhauer-it. Filozofi gjerman, i njohur për ashpërsinë dhe sinqeritetin brutal, që nuk duronte hipokrizinë. 


Ai rrinte larg shoqërive sipërfaqësore dhe i shihte si zbukurime sociale të kota, prandaj i konsideronte shumicën e marrëdhënieve njerëzore si rezultat të egoizmit, jo të idealeve të sinqerta.


Si ai, edhe Ibrahim Kelmendi nuk e zbukuron realitetin, nuk i jep vetes aureola që nuk i takon dhe nuk i dorëzohet iluzioneve. Në një shoqëri që shpesh i fsheh të metat me zbukurime folklorike, mënyra e tij e të qenit është edhe e rrallë, edhe e çmuar, edhe e çuditshme, edhe e përgojuar dhe stigmatizuar.


Njerëzit që besojnë në ideale të mëdha ose ndërtojnë shtete, ose i rrënojnë ato (si Millosheviqi e Hitleri). Kelmendi ka ndikuar në ndërtim.


Idealistët e mëdhenj ecin gjithmonë në teh të shpatës. Edhe Kurti ecën aty. Por jo Thaçi, jo Mustafa, jo Ramushi – ata nuk mund t’i rezistojnë tundimit të egoizmit dhe zvarriten pa parime. Prandaj Thaçi e Mustafa e kanë firmosur me kënaqësi të madhe Asociacionin. Mu si Ramushi Çakorrin.


Ps.


Të LPK-së i njihja gati të gjithë, asnjërin nga afër. Thaçi ishte befasi e madhe. Nuk pata dëgjuar kurrë për të. E lexoja rregullisht 'Zërin e Kosovës', dhe në vitin 1993 pata fituar aty vendin e dytë me tregimin ‘Loti i nënës’.


Edhe unë, si Ibrahimi, nuk vrapoj pas turmës. Jo tërësisht si ai, por me një vokabular tjetër, në kërkim të së vërtetës. Pra, nuk jemi të lidhur pranë grazhdit me tagji! Nuk e dorëzojmë lirinë e të menduarit. E duam të vërtetën si thoshte Voltaire. "Duaje të vërtetën, por fal gabimin.“ Vlen për mua, Ibrahimi e godet si me çekan me një sharje të madhe. E mbulon dikë edhe me jashtëqitje. Nuk e fal.


Ndoshta studimi i gjuhës dhe letërsisë frënge, si dhe profesioni im si profesor frëngjishtes, sot pedagog social në një bashki në Gjermani, kanë ndikuar të braktis atë dhunë verbale që, si fëmijë dhe i ri, e përdorja edhe unë. 


Ibrahimi mendon se Rugova ishte tradhtar. Unë mendoj ndryshe: pa Rugovën dhe pa UÇK-në, Kosova nuk do të çlirohej kurrë. Perëndimi, kur nuk ka interes ose empati, shpall lëvizjet çlirimtare si terroriste, por jo tani Listën Serbe, që la katër të vrarë pas vetes! 

Serbia i premtoi litium Gjermanisë. Tre miliardë avion në Francë dhe Italia ka investuar shumë. Edhe Trumpi do të përfitojë diçka në Beograd. 

Tani Kurti nuk sulmohet sepse po ndërton një shtet ligjor, por sepse mund të dëmtojë interesat e tyre me Serbinë. Dhe nuk flet aq shumë Serbia për Asociacionin sa Perëndimi. 

Kurti ka për opozitë 90% të mediave, Quintin dhe ambasadën amerikane. Dhuratat e Vuçiqit janë edhe disa nga arsyet pse po protestojnë studentët në Serbi. Gazetari serb te Deustche Welle tha se Vuçiqi e ka blerë mbështetjen e Perëndimit.


Tani duket e dëshirojnë edhe një republikë nacional-ortodokse serbe, si në Bosnje, për të mbajtur nën kontroll popujt me besim islam… edhe pse një republikë e tillë shihet si e gabuar…


Pra, Ibrahim Kelmendi është ai që është: vetvetja! Një veprimtar i përkushtuar dhe një mendimtar i thellë, një iluminist i rrallë. Ai mbetet edhe një arkiv i gjallë i historisë së re të Kosovës, një figurë që tregon se integriteti, guximi dhe përkushtimi ndaj të vërtetës janë më të rëndësishme se çdo fjalë, çdo pushtet, se çdo përfitim personal dhe se çdo shprehje vulgare.


1. “Amicus Plato, sed magis amica veritas” (Platon është shoku im, por e vërteta është shoqja ime më e mirë) i atribuohet shpesh Aristotelit, si një parafraze e një pasazhi nga "Etika Nikomakiane".

Keine Kommentare: