04.09.2025

Kuvendi i majmunëve

Majmuni Ho, kryetar i Akademisë Shimpanzore, ishte ulur pak më lart se të tjerët. Thinjat i vareshin mbi hundë si tufë bari i tharë. Rreth tij, majmunët nëpër degë të ndryshme: disa të ulur, disa të varur, disa me bishtin kapur, kurse Hu po qëronte një banane.

Si çdo muaj, fisi i shimpanzeve u mblodh për Kuvendin e rregullt. Ai mbahej nëpër degët e lisit më të madh. Ato ishin të sigurta, kurse gjethet e shumta, i mbronin nga dielli.
— Sot, shimpanze të dashura, — ia nisi kryetari, — do të merremi me disa probleme të pasardhësve tanë: me ata që sot e quajnë veten “majmun-njeri” dhe që na e morën fytyrën. Po gazojnë kudo.
— Zoti kryeakademik, pse majmun-njeriu jeton jashtë malit? Ne nuk e kemi braktisur kurrë atdheun tonë…
Ho ngriti kokën ngadalë, e lëshoi bananen anash dhe tha:
— Kjo është një histori shumë e gjatë, Huh.
— Na e rrëfe, na e rrëfe! — bërtitën dy majmunë nga një degë më poshtë.
Ho mori frymë thellë dhe u hodhi një vështrim të pranishmëve.
— Një kushëri tonin e kishte pickuar një gjarpër shumë vite më parë, në lashtësinë e thellë e të errët, — tha ai. — Me atë pickim iu ndryshua gjaku. (Kodin gjenetik, mendon kryetari i Akademisë, Ho. — sqarim Lis Bukuroca.) Ata janë kushërinjtë tanë, por janë prishur aq shumë moralisht dhe majmunisht, sa nuk i njohim më.
— Ku shkuan? — bërtiti një tjetër nga dega majtas.
— Në fillim u futën nëpër shpella, pastaj shimpanze Heh i zbriti në lëndinë.
— E si u prishën pastaj? — pyeti një tjetër.
— Siç thashë, ata zbritën në lëndinë. Aty bënë gabimin e parë. Ecën vetëm me këmbë — prandaj sot shpesh kanë dhembje kurrizi. Kur braktisën malin, patën vështirësi për të gjetur ushqim. Banane nuk kishte aty. Dhe mësuan vrasjen…
— Edhe kafshët e tjera e bëjnë, — tha Hi.
— Po, por për mbijetesë, kurse jo fisi ynë. Ne nuk urrejmë dhe nuk vrasim. As nuk i shesim bananet. Ata çdo gjë. Ata, të dashur shimpanze, sikur të kishim ne para, janë aq të pafytyrë, sa do të vinin këtu, do ta shpallnin lisin tonë të vetin dhe do të kërkonin qira prej nesh.
— Ubuuuubbbu! — bërtitën majmunët tmerruar.
Pasi u qetësuan, një majmun tjetër bërtiti:
— E pastaj, kryeakademik?
Ho u ngrit në këmbë, ngriti duart dhe shtoi:
— Pastaj e përzien gjakun tutje dhe u ndikuan nga luani, tigri dhe dhelpra. Nga dy të parët mësuan gjakderdhjen… nga dhelpra dinakërinë.
— Po luani nuk vret shumë, as tigri. Vetëm një dhe pastaj ia lë të tjerëve ushqimin…
— Ke të drejtë, Uh. E bën nga uria dhe nuk e merr me vete prenë, nga empatia. Por majmun-njeriu e zhvilloi vrasjen. Ata vrasin e djegin edhe fëmijë. Merreni me mend — të vriten shimpanzetë tona të vogla, të pafuqishme… Më ngrihen leshrat kur e mendoj. Ata e bëjnë dhe madje mburren.
— Uaaa çfarë dreq-majmun! — bërtiti disa.
— Kjo nuk mund të merret me mend! — bërtiti një tjetër.
— E pastaj, akademik? —foli dikush nga dega më e largët. Kanë mbetur vetëm me ato vese?
— Jo, jo. Pastaj ata zbutën disa kafshë me dhunë. Dhe duke i ngrënë ato të gjalla, iu futën në gjak edhe veset e tyre…
— Nga cilat kafshë? — pyeti dikush nga prapa.
Ho tundi kokën, e kroi dhe ngriti shputën e majtë:
— Hu, kjo pyetje shumë me vend.
Nga gomari mësuan kokëfortësinë.
Nga kali krenarinë.
Nga derri ndyrësinë.
Majmunët heshtën. Vetëm cicërimat e zogjve dëgjoheshin. Diku larg u dëgjua një ulërimë. Dhe në atë çast, degët e Kuvendit nuk ishin më degë — ishin degë të historisë, antropologjisë dhe gjenetikës. Të evolucionit, fundi i fundit.
— Këtu përfundon karakteri i tyre, akademik?
— Jo, Hoh, jo për fat të keq. Vazhduan të prishen tutje disa prej tyre kanë tani gjak të homo diabolicus-it. Këta duan vetëm gjak, por vazhduan të ndikohen tutje: nga qeni mësuan lehjen, nga gjeli poligaminë, nga mushkonjat pengimin, nga gjarpri zvarritjen, dhe nga lopa, moskokëçarjen, se çfarë bën dreqi i tyre: homo daemon.
— A mund t’i ndihmojmë? — pyeti dikush.
— Jo, tash është shumë vonë. Ata do ta shfarosin vetveten. Pastaj dalim ne përsëri në skenë — si fis me moral të lartë, empati, altruizëm dhe që ruajmë mjedisin për brezat e ardhshëm. Ata i presin malet, i ndotin ujërat dhe kanë aq shumë armë, sa të shfarosin në tërësi vetveten.
— Si do t’ia bëjmë? A ka shpëtim?
— Akademia ka folur me fisin e bonobajve. Një femre dhe një mashkulli nga ai fis do t’ua japim nga një dardhë. Për ta nisur evolucionin. Jo mollë, se ia pamë sherrin. Dhe kështu ata fitojnë dijen shtesë dhe vazhdon përsëri jeta nëpër vendet e atyre që shndërrohen në pluhur…
— Pse bonobo? — pyeti Huh.
— Sepse me shimpanzën dështuam. Shiko ku kemi ardhur. Para fundit të botës jemi. E pastaj, bonobajt e bëjnë atë punë mbi dhjetë herë në ditë… Dhe Akademia mendon se do ta kenë në gjak dashurinë, jo urrejtjen. Duke bërë shumë seks, nuk do të kenë kohë për të vrarë njëri-tjetrin.
— A kanë edhe ata Kuvende si ne? — pyeti Hah.
— Po kanë. Kanë, por më shumë shërbejnë për t’i duartrokitur vrasësit e vet, hajnat e vet, sesa për t’i ndalur ata, ose, edhe për të gazuar para pasardhësve tanë.
— Po nëse e kanë prishur aq shumë mjedisin, a nuk iu dhemb barku?
— Barku!? — përsëriti Ho. — Ata në çdo lagje kanë barnatore; as vetë nuk e dinë sa sëmundje i kanë. Tani jeni të lirë, — tha ai dhe kërceu në degën tjetër. — Pak pushim për drekë, dhe vazhdojmë kur të dëgjojmë krrokëritjen e papagallit të parë. Majmunët kërcyen në drejtime të ndryshme dhe u larguan të trishtuar nga ajo që dëgjuan…

02.09.25

Keine Kommentare: