ju, malësorë, fushorë e laperë, vëllezër e motra,
ju e dini se kam hyrë në politikë si njeri thjeshtë e i varfër, pa pretendime të mëdha. E doja dhe e dua vetëm atdheun tim. Kombin tim. Me një fjalë, jo vetëm tokën, por më shumë juve.
Besimi juaj në aftësitë e mia të jashtëzakonshme më dha krahë për të fluturuar, për t’u angazhuar dhe për t’u ngjitur përpjetë.
Në fakt, unë nuk e dija se kisha kaq shumë inteligjencë natyrore, por besimi juaj tek unë më bëri të vetëdijshëm. Prandaj mora edhe diplomën — për t’u shkëputur nga padituria dhe varfëria, sepse unë dhe partia ime ju duhemi juve.
Kur më votuat për katër vjet, nuk isha i sigurt nëse do të më votonit edhe një herë. Kjo pasiguri më shtyu të grumbulloj pak kapital, që sot të mos qëndroj para jush si një politikan i mjerë e i varfër. Është më mirë për ju. Të ndiheni krenarë.
Mundësia për pasurim ishte aty, dhe oferta gjithashtu: nga tenderët apo privatizimet. Njerëzit m’i jepnin, unë i merrja. Nuk i vidhja.
Paratë dhe investimet që kam bërë i kam fituar ligjërisht: kam blerë prona dhe i kam regjistruar. Edhe me çmim shumë më të lirë, por ajo tokë nuk më takon mua, por atdheut tonë dhe shihet se është brenda hartës së vendi tonë.
Në rast nevoje, do t’ia shes vetëm pjesëtarëve të kombit tonë të përvuajtur, por heroik. Ndonjërit nga ju për shembull!
Unë, në fakt, jam vetëm pronar i përkohshëm, sepse ajo pronë i përket Kosovës sonë të dashur, për të cilën kam rrezikuar edhe jetën. Dhe, meqë isha i gatshëm të flijoj gjithçka për ju, për mëmëdheun, — në shenjë mirënjohjeje — mëmëdheu më ofroi mundësinë të fitoj një pasuri modeste: vetëm disa milionë euro. Në krahasim me miliardat e buxhetit, kjo është vetëm një pikë uji në Ujman.
Ai kapital, të dashur qytetarë dhe katundarë, nuk është vetëm për mua. E kam përdorur edhe për të mirën e të tjerëve; domethënë, ia kam shpërndarë disa pjesëtarëve të popullit tonë. Nga dhembshuria për ta.
E kam bërë edhe për të siguruar një rrjet mbështetjeje mediatike e institucionale dhe për të krijuar vende pune. Për shembull, duhej ndihmuar disa portale, duhej motivuar disa analistë, disa televizione — sepse ata janë të domosdoshëm në politikë për mirëmbajtjen e personalitetit tim, në të mirën tuaj.
Unë, për të vazhduar me projektin tim, kam ndihmuar disa miq të bëhen oligarkë. Ata janë shtyllat tona kryesore. Pastaj, aty-këtu, është dashur të investoj edhe në punësimin e ndonjë prokurori apo gjykatësi, që të mos cenohet kontributi im i sinqertë. Që të mos mbeteni ju pa mua, e unë pa ju.
Për t’ju bërë juve të ndiheni edhe më të sigurt me praninë time në politikë, më lejoni t’ju kujtoj një fakt: meqenëse unë i kam zgjidhur të gjitha problemet e mia ekonomike, tani jam i gatshëm, kam kohë, dije të madhe dhe mundësi — deri në frymën time të fundit — të merrem vetëm me zgjidhjen e problemeve tuaja.
Dhe, në fund, të dashur qytetarë e katundarë: nëse nuk më votoni, humbni dyfish. Më përjashtoni mua, njeriun e ngopur me lekë, dhe zgjidhni dikë tjetër — një të varfër që do të nisë vjedhjen e shtetit nga e para.
Ai nuk do të marrë si ne, sepse nuk e do atdheun, nuk ka kontribuar në të kaluarën, nuk ndien dhembjen e këtij kombi, dhe kështu nuk do të ngopet kurrë.
Ju falënderoj që erdhët në numër kaq të madh sot për të dëgjuar projektin tonë. Dhe, mos votoni kurrë ata që nuk kanë pasuri të madhe, sepse ata nuk e duan vetveten. Kush nuk e do vetveten, nuk e do as atdheun. As popullin. As juve këtu.
Unë, të dashur qytetarë e katundarë — malësorë, fushorë e laperë, motra e vëllezër — do të tërhiqem tani në vilën time jashtë vendit, sepse aty do të meditoj se si t’ju ndihmoj juve edhe më shumë.
E kam ndërtuar jashtë vendit, që të mos zaptohet toka e vogël e Kosovës me një vilë të madhe.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen