Pse?
Sepse Kuvendi u konstituua më 11 shkurt dhe kjo datë është marrë si fillim i mundshëm për zgjedhjen e presidentit. Logjike.
Pa Kuvend nuk ka zgjedhje të presidentes ose presidentit.
Pa Kuvend nuk mund të nisë numërimi i ditëve.
Ato 60 ditë do të përfundonin më 11 prill.
Presidentja e shpërndau Kuvendin më 6 mars.
Pra, vetëm 26 ditë ishin konsumuar.
Jo 60.
Sa i përket pritshmërisë se zgjedhja e Presidentit bëhet 30 ditë para skadimit të mandatit, kjo nuk është e shkruar shprehimisht në Kushtetutë, por është rezultat i interpretimit të Gjykatës Kushtetuese.
Ato “30 ditë” nuk ishin reale, sepse mungonin 60 ditët e ekzistencës së Kuvendit. Datëlindja nuk fillon me mbarsjen, por me lindjen.
Ky ishte një shpjegim i thjeshtë për dhjetëra juristët e Presidentes, i shprehur me gjuhë dhe llogaritje sa më naive, sa më të qartë, në mënyrë që ta kuptojë edhe ndonjë “influencer” militant i opozitës, që thotë se ka mbaruar juridikun në vitet ’90, por që nga drejtësia nuk merr vesh asgjë.
E pastaj, njeriu nuk duhet të jetë patjetër jurist.
Duhet të lexojë dhe të kuptojë. Kushtetuta gjendet në internet.
Kaq e thjeshtë është kjo.
Pra, janë konsumuar vetëm 26 ditë, kanë mbetur edhe 34 ditë të tjera. Pikë!
Më 17 mars kam shkruar te ‚Bota Sot’ se dekreti ishte arbitrar dhe se Presidentja nuk kishte të drejtë ta bënte atë, por vetëm ta formalizonte shpërndarjen si pasojë kushtetuese, sepse nuk jemi në diktaturë.
Vjosën e ka zgjedhur Kuvendi, jo Vjosa Kuvendin. Sidoqoftë, Presidentja nuk e kupton ende gabim dhe shkruan:
“Gjykata, në asnjë paragraf të aktgjykimit të saj, nuk ka konstatuar shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentes. Përkundrazi, ka konfirmuar se nuk është dekreti ai që e çon vendin në zgjedhje të reja, por është dështimi i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit të ri ai që e shkakton këtë proces.”
Nëse dekreti nuk e çuaka vendin në zgjedhje të reja, atëherë pse me dekretin pretendoje zgjedhje të reja? Pse e shkrove? Për të penguar zgjedhjet e reja? Kur Gjykata thotë se dekreti nuk ka ‚efekt juridik‘, ajo në fakt pranon se ai nuk ka prodhuar pasojat që pretendoheshin nga Kryetarja.
Kjo e bën dekretin të pabazuar, domethënë në një halucinacion juridik. Në një dekret hakmarrjeje.
Së dyti, Kuvendi nuk ka dështuar.
Procedura nuk ka përfunduar; ajo është ndërprerë.
Prandaj edhe Gjykata pranoi se kanë mbetur edhe 34 ditë.
Ato ditë nuk i konsumoi Kuvendi, ia ndaloi Krẻtarja me dekret antikushtetues.
Edhe pse Gjykata thotë se dekreti nuk ka efekt juridik, praktikisht ai pati pasoja reale, juridike, sepse e ngriu Kuvendin dhe ndaloi veprimtarinë e tij. Këto ishin efekte juridike të dekretit antikushtetues, sepse njerëzit që ka konsultuar kryetarja nuk kanë ditur as të numërojnë si duhet. Kjo shkaktoi destabilizim institucional dhe dëmtoi imazhin e Kosovës.
Meqenëse një kandidat konsensual nuk ekziston, kriza mbetet e hapur.
Presidentja e ka dëmtuar shumë pozicionin e saj politik, jo vetëm me dekretin, për të cilin u shpreh krenare, por edhe me deklarata se i kishte votat, që në realitet nuk janë të vërteta. Pretendimi për 80 vota kërkon mbështetje të plotë, e cila nuk ka ekzistuar. Nëse i ka pasur, le të kandidohet tani. Ajo duhet të luftojë për vete, jo të tjerët për të.
Vetëvendosja, si shumicë, mban përgjegjësinë kryesore. Ajo duhet të “zbulojë” një njeri jashtë partive politike, një kandidat konsensual, ose të pranojë një zgjidhje kompromisi me kandidat të palës tjetër.
Ndoshta me Abdixhikun kryetar. Kështu sigurohen votat e plota të LDK-së. Ndoshta sigurohen. Nëse jo, atëherë Bedri Hamza kryetar. Kjo nuk është aspak mirë për VV. Kriza do të vazhdojë dhe kompromisi duket i pamundur, sepse edhe Murat Jasharin nuk do ta votonin të gjithë.
Unë do t’i kisha dhënë edhe një shans Vjosës, sikur ta dija me siguri se dekretin nuk shkroi për t’i pëlqyer opozitës. Nëse po, unë shoh dy kandidatë që do ta meritonin atë post: Veton Surroi ose Luljeta Pula.
Pse? Sepse kriza nuk është më juridike, por thellësisht politike, për shkak të përplasjes deri në urrejtje mes partisë që do shtet për popullin dhe partive që duan shtet për vete. E duan përsëri grazhdin. Aty janë të lidhur.
Në Kosovë janë në përplasje dy taborë: koalicioni me VV që synon shtet ligjor dhe partitë e tjera, bashkë me mediat hibride dhe influencerët, që kanë frikë nga shteti ligjor dhe, për këtë arsye, në çdo debat, në vend të argumenteve, analizojnë personalitetin e Kurtit, sikur të ishin psikologë apo psikiatër.
Ai që lufton krimin dhe ai që e mbron, nuk mund kurrë të bashkëpunojnë. Pse? Sepse aty përplaset drejtësia me kapitalin e vjedhur.
Drejtësia nuk mund të ndërpritet me dekret.
Dhe afatet kushtetuese nuk shkurtohen sipas interesit dhe dëshirës.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen