Ne, kryesia e Pydykyhit, kërkojmë nga Vetëvendosje të votojë kandidatin tonë për president. Jo pasi ta shohë, jo pasi ta dëgjojë, por pa e ditur se kush është.
Pse? Sepse dikujt mund të mos i pëlqejë hunda e tij, dikujt surrati, dikujt guha shipe që e flet, e dikujt ndoshta e kaluara e tij si pioner i shokut Tito.
Çdo kandidat konkret është problem: ka të kaluar, ka lidhje me korrupsionin, ka mëkate. Ndërsa anonimët janë të pastër si loti. Kristal! Të paprekshëm edhe për Byron për Sekuestrimin e Pasurisë së Merituar.
Na duhet një kryetar që nuk ekziston praktikisht, por që funksionon teoritikisht. Një president pa biografi. Nuk i duhet. Apolitik. Pra, perfekt.
Kështu nuk do të ketë skandale personale, sepse nuk do të ketë personalitet. Nuk do të bëjë gabime, sepse nuk do të marrë vendime. Dhe nuk do të ketë turp, sepse nuk do të ketë as fytyrë.
Ne të Pydykyhit pyesim: çfarë na duhet një njeri real në atë post? Që të bëjë deklarata boshe si qypi pa turshi e të presë shirita?
Më mirë një qyp i zbrazët se një me rasoj të keq brenda. Të paktën është i sinqert në boshësinë e vet.
E pastaj, si mund të kritikohet një president që askush nuk e di kush është? Kujt i kërkohet llogari? Kujt i dërgohen ftesat zyrtare?
Kështu e ruajmë buxhetin, se na duhet shumë. Vërtetë shumë.
Ne të Pydykyhit kemi përvojë të madhe me A-akyhin dhe Lydykyhin. Paratë e buxhetit i investojmë në mënyrë efektive dhe të sigurt.
Pra, duam kryetar anonim dhe pa adresë. Ky është zbulimi ynë i madh i kryesisë sonë: të Pydykyhit.
Në fund të fundit, pse të kemi një president real që kushton, kur mund të kemi një kryetar-ide, të padukshëm, që nuk na e shurdhon as neve specin, as bolet Batonit.
Nëse nuk pajtoheni, e kemi planin ‘b’: një kryetar virtual, si ministresha e Ramës, që del në ekran kur duhet dhe e fikim kur s’na duhet. Me një klikim.
Vetëm një figurë që shtiret se ekziston. Dhe nëse na shqetëson, ia heqim kabllon nga rryma dhe zhduket në mosekzistencë. Si te Rama, që me sukses të madh po lufton korrupsionin.
Prandaj po kërkojmë një garanci me shkrim nga Vetëvendosje: të votojë kandidatin tonë që nuk e di se cili është.
Kur nuk e dini kush është në krye, nuk do të keni kë të fajësoni dhe do të punoni vetë.
Sistemi do të jetë stabil si në lumturi-epokën të Hashimit dhe Mustafës. Paqe dhe lumturi totale. Populli në ekstazë. Si atëherë.
Ndërkohë, qytetarët le të merren me punët e veta, jo me politikë. Për politikë paguhemi ne, jo populli.
Prandaj na ka votuar hajvanati!
Kërkesa jonë është e drejtë, e koordinuar me gazetarët hibrid dhe oligarkët.
Votoni kandidatin tonë anonim.
Kjo është forma më e sinqertë e politikës sonë; një marrëveshje e errët për një realitet të paqartë, por me synime dhe dëshira shumë të qarta.
Për Kosovën, për popullin e saj që e meriton të jetë Zvicër, por po pengohet nga njeriu i Serbisë.
Në fund, për ne nuk është me rëndësi kush do të bëhet president.
Pyetja është: a kemi kurajo ta pranojmë se ai nuk na duhet fare?
Sepse në këtë vend jo vetëm që mund të zgjedhim këdo, por mund të zgjedhim edhe askënd.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen