Unë e dua Kosovën më shumë se ju. Unë kam rrezikuar jetën për të, kam luftuar për të. Ju keni ikur ose keni qarë diku të fshehur.
Prandaj është e qartë: ata që nuk kanë luftuar, nuk mund ta duan kurrë sa unë. Dallimi është i madh, si atëherë në reagim, ashtu pastaj në pasurim. Janë dy kontribute.
Tani t’i kthehemi pasurisë sime, që po ju mundon aq shumë, sa po kërcënoni edhe me Byro Konfiskimi. Le të themi se diku janë reth dhjetë milionë euro. Mund të jenë edhe më shumë, por nejse, me rëndësi është nuk janë tuajat.
Çfarë duhej të bënim me to? Disa naivë propozuan t’ia shpërndajmë popullit. Ide romantike, menduam dhe filluam llogaritjen: dy milionë qytetarë, secilit i binte nga një akullore. Këtë rezultat e konsideruam poshtërim.
Të trajtohet populli si fëmijë i varfër që gëzohet me një karamele.
Prandaj menduam më thellë. E shqyrtuam. E analizuam dhe erdhëm në përfundim se një akullore hahet për pesë minuta dhe harrohet për gjashtë.
Pak lëpirje dhe asgjë më shumë.
Por pasuria duhet të mbetet. Të shihet. Të përjetohet. Prandaj vendosëm ta ndajmë mes vete: që të mbetet konkrete. E prekshme. E dukshme.
Disa prej nesh nuk kanë rrezikuar vetëm jetën gjatë luftës. Ne kemi rrezikuar edhe lirinë pas luftës për të krijuar këtë standard që ju sot e dëshironi. Që edhe ju e ëndërroni. Ky është frymëzim falas, që ua dhurojmë ne juve.
Dhe nuk jemi pasuruar vetëm ne. Kemi pasuruar edhe të tjerë: media, oligarkë, prokurorë, gjykatës, gazetarë, kolegë politikanë etj. etj.
Kështu kemi shpërndarë dashurinë dhe pasurinë nëpër popull.
A nuk është më mirë për ju të na shihni: me rroba të bukura, me orë luksoze, me makina të shtrenjta, me vila që nuk i imagjinoni? A nuk ju dhuron kjo krenari? A nuk ju frymëzon?
Prandaj mos u bëni xhelozë. Mos u bëni as smirakë. Sot keni dikë për të admiruar. Dje nuk kishit askënd. Gëzohuni!
Sepse nëse edhe ne do të ishim të varfër si ju, kush do ta përfaqësonte suksesin? Pasurinë? Nuk mund të mburreni me milionerët e Serbisë apo të Shqipërisë. Ju duhet t’i keni milionerët tuaj. Dhe, i keni. Sepse i meritoni edhe ju!
Kur nuk keni shumë, është shumë e rëndësishme të keni dikë që ka tepër.
Në një vend të varfër si yni, është krenari të kesh disa milionerë që ta kujtojnë çdo ditë dashurinë për atdheun.
Në fund, një sqarim:
Pse nuk e publikoj si libër historinë e suksesit tim? Sepse Prokuroria Shkencore lexon libra.
Ajo nuk merret me polemika, por me akuza; nuk analizon, por bastis. Të hyn natën në shtëpi, të sekuestron telefonin e laptopin dhe të merr në pyetje, edhe për gabime drejtshkrimore.
Prandaj nuk e botoj. Sidoqoftë, përshëndesim qëndrimin objektiv të Prokurorisë Shkencore që njeh dhe pranon pasurimin e elitës si të drejtë themelore demokratike.
08.04.26
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen