Derisa ishte në
pushtet diktatori i Ugandës mbante këtë titull: “ Shkëlqesia e Tij, President i
përjetshëm, gjeneralmarshall Al Haxhi
Doktor Idi Amin Dada, Zot i të gjitha krijesave në Tokë dhe i gjithë peshqve në
ujëra, ngadhënjyes mbi Mbretërinë Britanike në Afrikë në përgjithësi dhe në
Ugandë në veçanti.”
Gjatë tetë viteve
të pushtetit të tij Zoti i kafshëve dhe peshqve, vrau sipas “Amnesty International”,
300.000- 500.000 veta. “ Allahu personalisht më është shfaqur të premten në
pikë të natës në ëndërr dhe më urdhëroi përzënien e të gjithë aziatikëve nga
toka jonë.” Ky ishte mesazhi i tij në radio në vitin 1972 dhe i pat dëbuar të
huajt, që punonin në Ugandë.
Idi Amin Dada
ishte i paskrupullt, i dhunshëm, i pamëshirshëm, i etur për gjak dhe madje
mendohej se ishte edhe kanibal. Në vitin 2003 vdiq në Arabinë Saudite, në ekzil.
Për ta kuptuar
dhe zbërthyer Enver Hoxhën, duhet kuptuar edhe padronin e tij ideologjik: Josif
Visarioviç “Stalinin”, në përkthim i “hekurt”. Stalini ishte diktatori më
brutal i shekullit të kaluar në botë. Për ekzekutimet e tija ekzistojnë shifra
të ndryshme: Sillen nga 700.000, deri në 7 milion, por ka edhe shkrime, që
flasin për 20 milion. Sido që të jetë, ka vrarë qytetarë më shumë se Hitleri. Dhe,
komunizmi kishte vrarë më shumë njerëz në botë, se sa diktatura fashiste.
Stalini nuk kishte titullin të gjatë si Idi Amin Dada, por edhe ky konsideronte
veten Zot të njerëzve, të kafshëve dhe të peshqve. Enver Hoxhës i shërbente ky
tutor, kjo shëmbëlltyrë për t’ i përligjur krimet që do t’ i kryente më vonë.
Kur politikanët vullnetarisht marrin një
tutor, atëherë e bëjnë për dobi të veten, jo të kombit. Zakonisht kombet tjera
të vogla nuk marrin padron mbi vete, tanët për të mbetur në pushtet, e bëjnë
vazhdimisht.
Hoxha qysh si i
ri, u ekzaltua nga komunizmin. Ai u mahnit nga kjo ide dhe dëshira e zjarrtë e
tij ishte t’ ia imponojë këtë popullit. Përveç kësaj, ai dinte se komunizmi
garantonte pushtetin e përjetshëm, sepse shembull i tillë ishte edhe Stalini.
Gjendja në Shqipëri ishte e rëndë. Gati analfabetizëm total, jetë fisnore, pa
infrastrukturë dhe vendi i pushtuar. Komunizmi ishte ngritur, pikërisht në ato
vende, që nuk e kishte parë as në ëndërr Marksi. Edhe Enveri nuk do ta mbajë
titullin e Idi Aminit Dada, por në fakt do të jetë edhe më i ashpër se ai. Nëse
Dada inspirohej nga Zoti, Enveri e shfronësoi edhe Zotin, e dëboi nga Shqipëria
dhe faktikisht shpalli veten Hy, që do të dënonte jo të vdekurit, por të
gjallët...
Kërcim jashtë
gardhit: Ktheheshin profesorë, që kishin fatin apo toleroheshin ta vizitonin
Shqipërinë, qoftë për studime, qoftë për tubime të ndryshme dhe nuk lejoheshin
pse ishin kundër rendit vetëqeverisës jugosllav, por se ishin konformist të
dëshmuar dhe këta, kur ktheheshin, tregonin mrekulli për rendin në Shqipëri,
për parajsën e atjeshme, për jetën e pabrenga për lajle e lule dhe propaganda e
tillë, kishte ndikuar edhe në rritjen e dashurisë ndaj marksizëm-leninizmit. Të
rinjtë burgoseshin duke kërkuar diktaturë si ajo e Enverit, jo demokraci, edhe
pse me demokracinë kishim kontakte më të dendura. Lufta për Kosovën Republikë
me ideologji marksiste leniniste, ishte si kërkesat tona gjatë shembjes së Perandorisë
Osmane.
E pa mbështetje jashtë dhe lehtë për t’ u shtypur brenda. Kombet e
Ballkanit kërkonin shtete, ne kërkonim autonomi në Perandorinë, që po zhbëhej.
Komunizmi po lëngonte dhe ishte në grahmën e fundit, ne kërkonim para viteve të
80 rend stalinist. Për këtë dezorientim dhe çmenduri mund të veçohen dy
fajtorë: një njerëzit tanë që ktheheshin prej atje, e dyta Radio Tirana,
dëgjimin e së cilës e kishim si detyrë patriotike. Ata që ktheheshin nga
Shqipëria dhe helmonin rininë me marksizëm-leninizëm, nuk kanë kërkuar ndjesë.
As nuk e kanë ndërmend ta bëjnë këtë. Disa prej tyre shajnë intelektualët e
Shqipërisë për mbështetje të stalinizmit, por i lejojnë vetes imunitet dhe
arsyetojnë dashurinë e tyre ndaj Titos. Edhe pse këta në vend të sigurt, nuk
kishin shkruar kurrë një rresht kundër diktaturës së Enverit. Pas vdekjes, po!
Ndonjëri
pastaj ka edhe shtëpinë me mermer si ai i “Hotel Grandit” dhe dashurinë e tij
ndaj shokut Tito, e shpjegon në këtë mënyrë: “ Në kohën e Titos u hapën
universiteti, Kosova përparoi...etj.” Kjo mirëpo nuk është e vërtetë. Fakti
është ky: Në kohën e Titos, qenë dëbuar qindra mijëra shqiptarë në Turqi.
Kosova pas viteve të 70 kishte fituar më shumë të drejta dhe kryesisht me
kushtetutën e vitit 74, por kjo nuk vlente për shqiptarët në Maqedoni, Preshevë
dhe Mal të Zi. Përveç kësaj, burgjet
ishin plot me shqiptarë. Nëse themi se Tito ishte i mirë për shqiptarët,
atëherë pajtohemi edhe me dëbimin e shqiptarëve në Turqi në kohën e Rankoviçit,
sepse edhe në këtë kohë, ai ishte numër një në vend dhe dinte se çka po ndodhte
në Jugosllavi. Qëndrimi korrekt dhe burrërore do t’ ishte, të kërkohej ndjesë
për devijimet e tyre, por në natyrën e shqiptarit, nuk është kërkimi i ndjesës,
por gjimnastika semantike. Ne pranojmë çdo gjë, edhe nënshtrimin, por kurrë nuk
pranojmë gabimet tona. Edukata dhe mendësia na e ndalon. Falje nuk kërkoi as Ahmet
Zogu, nuk kërkon as Nexhmije Hoxha dhe nuk do të kërkojnë as ata, që përfituan
nga Tito.
Enveri përvetësoi
një ideologji, që merrej me shpëlarjen e trurit dhe me këtë kishte shpresa ta
ndryshonte vendin. E kishte nga dashuria ndaj vendit, në fillim:
Të themi se unë
zbuloj një libër i cili më duket se është shpëtim i njerëzimit. Pasi Shqipëria
ime gjendet në luftë, unë nga atdhedashuria angazhohem dhe krijoj një parti
politike. Për ta evituar rrëzimin tim, unë e centralizoj partinë mirë dhe në
fakt, partia jam unë dhe unë flas në emër të saj dhe detyrë e tyre është vetëm
duartrokitja. Partia është për mua një turmë e pashpirt. Eliminoj kundërshtarët
dhe i shpall të gjithë tradhtarë, kur nuk do të ketë kundërshtarë, do t’ i
krijoj vet për t’ i mbajtur të tjerët nën një psikozë frike. Ata më votojnë
deri me gati 100 %. Natyrisht reklamoj të drejtën jetësore për ta marrë
pushtetin privat në duar të mia.
Nis me emancipimin apo arsimimin,
elektrifikimin... por gjithmonë duke qenë i lidhur me ideologjinë time dhe duke
evituar me gjak e me burgje, largimin tim. Natyrisht se për të mbetur në
pushtet, unë bëj edhe vepra të mira, por për mua është armik, çdo njeri që
synon pushtetin, jo vetëm që e synon dikush me fjalë, por edhe nëse guxon ta
shohë ëndërr. Thjesht, ata që janë kundër meje, arrestohen, vriten dhe zhduken.
Sa herë bëj një propozim për eliminimin e dikujt, Komiteti Qendror ngrihet në
këmbë dhe duartroket në mënyrë frenetike: duke menduar gjatë duartrokitjes:
shyqyr o Zot, që nuk jam unë në listë.
Me mua nuk
duhet të krenohet askush, sepse unë i
shërbeva një ideologjie eksperimentale, dhunuese. Pse? Sepse nëse njeriu vret
vetëm një njeri, quhet kriminel dhe vrasës . Me respektin dhe dashurinë që tregojnë
të tjerët për mua, nuk tregojnë vetëm apatinë e tyre, por krenohen edhe me ekzekutimet
e mia: Me vrasjen dhe rrëmbimin e lirisë. Politikani skadon, i del afati i
përdorimit, qysh në vrasjen apo tradhtinë e parë. Nëse nuk largohet, atëherë i
gozhdohet popullit dhe nuk shkulet deri në vdekje, sepse tutorët kujdesen për
ta mbajtur në pushtet për t’ i përmbaruar qëllimet e tyre.
A kam unë vlera
pozitive për kombin? Jo! Unë duhet të gjykohem edhe post mortem! Kjo duhet bërë
për t’ i dhënë mësime pasardhësve, se vrasja e bashkëkombësve nuk harrohet, se
tradhtia nuk falet. Enver Hoxha mirëpo nuk ishte tradhtar si Zogu. Ky arsimoi
popullin aq shumë, sa nuk kishin mund ta marrin me mend as rilindësit, thotë
Christine von Kohl në librin e saj “Albanien”. Në një libër mbi mafian në botë,
publikuar në Gjermani, pasi përmenden firmat e piramidave në Shqipëri si firma
mafioze, që shembën shtetin, shkruan se vetëm pas vdekjes se Enver Hoxhës, u bë
i mundur krijimi i mafias në Ballkan. Poshtë, majtas gjendet një fotografi e
tij...
Enver Hoxha nuk
do të dezertonte kurrë në rast sulmi nga jashtë dhe, Enver Hoxha nuk do ta
kishte vjedhur arkën e shtetit. Mirëpo, edhe ky mori pushtetin me ndihmën e
jugosllavëve. Pastaj iu hodh rusëve në prehër, më vonë kinezëve, në fund
bunkerëve. Për ta vlerësuar drejtë veprën e tij, nuk duhet numëruar vetëm ato
që ka bërë, por çfarë nuk bëri dhe nuk shfrytëzoi kohën për ta bërë, si për
shembull t’ i bashkëngjitej Perëndimit në vitet e 60. Nuk e bëri sepse nuk e
lejonte dashuria e tepruar ndaj
pushtetit. Më shumë se kombin, ai adhuronte karrigen.
Enver Hoxha duhej dënuar
për vrasjen e mijëra shqiptarëve dhe internimin e tyre, vrasje dhe internime që
nuk kanë mbulesë ligjore në botën e
qytetëruar, të cilën ai si student, e kishte shëtitur. Vlerësimi
i drejtë i politikanëve duhet bërë nga këndi i atyre që kanë pësuar prej
tij, jo nga pozita e atyre që kanë përfituar. Nëse ne konsiderojmë hero Enver
Hoxhën, atëherë pajtohemi me vrasjen e njerëzve të pafajshëm, burgosjen dhe
internimet. Një njeri, në këtë shekull, nuk guxon ta bëjë këtë, sepse nëse
historia jonë nuk ka akoma fuqi objektive për të ndarë Drakulën nga Engjëlli,
atëherë, këtë do ta bëjnë brezat e ardhshme dhe historia do të përmirësohet,
sepse po mbushet me personalitete profet, që kanë bërë edhe vepra penale, por
politika apo historianët i lajnë me ujin e historisë, i dezinfektojnë për t’ ia
zbardhur fytyrën, për t’ i bërë të dashur edhe ata që duhet gjykuar, sa edhe
tradhtarët shpallen heronj.
Summa summarum:
Gjykata do t’ i kishte shpallur këtë dënim: burg i përjetshëm tri herë. Si
arsyetim: i paskrupullt politikisht, intrigant, i ashpër, gjakpirës dhe pa pikë
empatie. Vrasës dhe në delirium tremens! Sikur ta kishim dënuar Zogun edhe në
mungesë, nuk do ta kishim pasur as Enver Hoxhën, ashtu siç e patëm. Nëse nuk
gjykohet Enveri, nuk do të gjykohet as pasuesit, që e meritojnë...
*Në fund të nëntorit tek artikulli A
ishte Zogu mbret? u pata premtuar lexuesve të Shekullit se do të
shkruaja një shkrim mbi Enver Hoxhën; e solla për ta mbajtur premtimin, por të
papërfunduar, sepse kërkon shumë kohë. Për një veprimtari dekadash, herë engjëllore, herë djallëzore, duhet shumë kohë...
Gazeta
Shekulli 292 komente
----------------------------------------
Libra nga Lis Bukuroca
Ata që jetojnë në Gjermani mund t'i porosisin disa libra edhe te thalia.de ose në 340 libraritë e saj në Gjermani, Austri dhe Zvicër.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen