20.07.2012

Puthja e fundit ( 3 )

Ai u kthye nga babai, bëri disa hapa në drejtim të tij, e shikoi mendueshëm dhe tha:" Z. mjek, ju duhet të jetoni, mirëpo si mund tragjedia antike të ilustrohet më mirë me modernen? Prit pak: të themi se ti vdes vullnetarisht. Jo, kjo nuk më pëlqen, ti duhet të jetosh. Ta vrasim kurvën e vogël? Jo, edhe kjo nuk më pëlqen! Po, tash e kam një ide! Po, t´ia presim kokën vogëlushit dhe kështu tragjedia bëhet e përkryer. Ty t´i nxjerrim sytë dhe kështu vejmë një lidhje cilësore me teatrin klasik. Para se ta përfundonte, iu afruan pesë ushtarë të cilët mezi merrnin frymë nga vrapi! Njëri prej tyre u fut brenda. Të tjerët u ndalën në pragun e derës.
-" Aeroplanët e NATO-s janë nisur", tha ai dhe shtriu dorën për t´i dorëzuar një letër.

-" Urdhri i gjeneralit është ky: "Të nisen të gjithë menjëherë. Brenda një ore niset treni." Të shpresojmë se do ta qëllojnë. Nëse jo, ekspertët tanë janë duke menduar ndonjë alternativë. Gazetarët tanë janë duke pritur lajmin që duhet të përhapet sot", shtoi ai .
Ai e dëgjoi me duar të kryqëzuara na hodhi një shikim neve , i ngriti supet ca dhe iu drejtua babait: " Rrugë të mbarë z. mjek", dhe i mori babait dorën duke ia shtrënguar.
-"Mëkat! Fatkeqësisht nuk e përfunduam këtë pjesë teatrale. Nuk pati një përfundim teatral, dramatik. Mirë, në rregull, le të vendosë fati, unë duhet ta vazhdojë punën", tha ai dhe u largua me hapa të mëdhenj.

U gdhi. Ishte ftohtë. Gjysma nuk ishte më me ne. Plaku, xha Zeneli, përsëri ishte në krye të kolonës. I vetmi ecte krenar. I pa brenga dhe fishkëllente! Ai ngriti kokën vështroi gjatë aeroplanët e NATO-s dhe falënderohej pa pushim:" Faleminderit USA, thank you USA...!", dhe përsëri qeshej nga zemra. Të tjerët ecnin me kokë të ulur dhe nuk shikonin as majtas, as djathtas. Ne nuk flisnim fare me njëri tjetrin. Ishte si një kolonë e vdekur, një kolonë e pander e cila marshonte drejt vdekjes. Dhe përnjëmend i vrari mund të vritet përsëri. Këtë e kam parë me sytë e mi. Dhe përnjëmend po i shoh të vdekurit duke ecur, në kolonën tonë; te vdekurit po dëbohen, po arratisen drejt varrit, i paraparë për të gjallët! Asnjëri nuk e ngrinte kokën për të parë tjetrin në sy. Asnjëri nuk pyeste tjetrin, “po ti si kalove ?” Asnjëri nuk pyeste sa ishin vrarë, pse kolona ynë ishte zvogëluar aq trishtueshëm dhe sa gra ishin dhunuar? Sa kishin mbetur brenda ? I kishin vrarë, apo ishin të vrarë dhe të gjallë? Burrat mbanin për dore gratë e tyre dhe ndonjë fëmijë. Asnjëri nuk kishte guxim ta pyesë gruan e vet:"E dashur, si ishte puna te ju, ne dëgjonim shumë britma që vinin nga salla juaj!" Apo gratë t´i pyetnin burrat e tyre:" I dashur , po te ju çka ndodhi, dëgjoheshin shumë piskama!"
"Biletat ! Ju nuk mund të udhëtoni falas nëpër vendin tonë", tha një konduktor i trenit. " Shtazë të ndyta ", shtoi ai. Ushtarët dhe policët shikonin dhe qesheshin. U desh të japim çdo gjë që kishim: paratë, stolitë dhe dokumentet personale. Rrugët në drejtimin e stacionit ishin përlotë. Tani e kishin radhën qytetet, mu ashtu si tha folësi në radio! Babai na dorëzoi te një familje tjetër. Ai foli pak me ata njerëz, bëri shenjë me kokë duke e ulur në shenjë pajtimi. Për disa minuta na përqafoi, na i përkëdheli flokët, na puthi në ballë, në faqe dhe zbriti. Nuk pata forcë ta pyesja se çka kishte ndërmend dhe ku shkonte. Ishte një kohë e papyetje. Madje nuk pata guxim as ta shikoj në sy nga frika se do t´i shihja lot. Nuk kisha idenë se çka kishte ndërmend. Disa sekonda para se të nisej treni bërtiti nga jashtë:" Do ta kërkoj nënën", piskati ai dhe treni u nis.
~
Avioni zvarritej drejt Perëndimit. Plaku ishte ulur pranë meje.
-" Çfarë fati, o zot!, tha ai.
"Pse ? ", pyeti tjetri që gjendej para nesh.
"Eh, mik i dashur, atje ku po shkojmë isha dy vite. Unë pata punuar, punuar dhe punuar. Jeta është çmendinë! Shumë më e çmendur se sa njerëzit kanë dëshirë ta besojnë. Unë është dashur të vdesë atje. Unë isha tetëmbëdhjetë vjeç dhe i bukur...haha", qeshej xha Zeneli.
-"Merre me mend, a nuk është kjo një mrekulli? Dikur patën dashur të më vrasin, sot ma shpëtojnë jetën, haha ", u qesh përsëri dhe i shikoi retë.
"Njerëzit, unë i dua njerëzit. Popujt, shikoni popujt, unë e dua urtësinë e popujve". U ngrit në këmbë dhe ia nisi të bërtasë në aeroplan:" Miq të dashur, popujt posedojne një forcë rezerve, një gjenialitet të fshehur. Populli e fut dorën në brendinë e tij, kërkon, hallakat, bastisë shpërndan dhe nxjerrë përjashta njeriun e mirë…hahaha…dhe i ngriti duart përpjetë , " do të vijë koha, do të vijë koha dhe ata do të na kërkojnë ndjesë. Domosdoshmërish. E mira ngadhënjen gjithmonë. Shtrëngatat nuk zgjasin shumë. Kini besim në mua. Kini besim në atë që ju thot Zeneli plak, " zotëri idioti ". " Populli e ka një dore të gjatë, me një dorë e cila prek edhe qiellin nëse është e domosdoshme dhe nxjerre të mirën. Të mirën - dhe megjithëkëtë jetë të fundbotshme ne duhet përsëri me ata të jetojmë si fqinj, kjo është ardhmëria. Fqinji nuk zgjidhet, atë e ke!"
Një burrë e tërhoqi vrullshëm xha Zenelin për pallto dhe ai u përplas në karrige.
" Qepe! Mbylle gojën idiot i mallkuar! , i tha ai pa respekt. Të tjerët heshtën. Ndoshta edhe flinin. Xha Zeneli u qesh përsëri. Njëri tregoi se ai para nëntë muajve e kishte humbur krejt familjen dhe se kishte qenë mësues. Çdo ditë kishte provuar me një pirun ta nxjerrë familjen e vet nga dheu dhe prandaj i kishin dhënë medikamente për qetësim.

Stjuardesa na solli drekën. Plaku e mori Lulin, vëllanë tim, në prehër, dhe i tregonte gjëra për vendin që na kishte marrë me aeroplan. Qysh katër ditë Luli nuk ka folur asgjë, e as tani nuk reagonte.
"Erdhëm!" , tha dikush. Avioni i afrohej tokës. Diku në mes të prillit, aeroporti Leipzig-ut, ora 21.00. Një njeri i veshur me sqimë hyri brenda dhe tha diçka. Përkthyesi e shqipëroi. Në emër të Qeverisë Federale na kishte dëshiruar mirëseardhje. Ai tha se do të niseshim tani me autobus do të udhëtonim edhe ca orë dhe ai përktheu edhe emrin e qyteti. Ai quhej Halberstadt.
-" E shihni, njeriu është i mirë? Kini besim", tha plaku.
Kur Luli i pa policet i rrodhën lotët faqeve. Qante pa zë. U përpoqa t´i sqaroj se këta janë ndryshe, se po na ndihmojnë dhe se nuk ishin ata që na deportuan. Ai nuk kuptonte. Ai e shtrëngoi ariun e vogël që e kishte në dorë dhe shikonte pikëllueshëm. Shumë autoambulanca dhe makina policësh na përcillnin në drejtim të qytetit, në atë drejtim ku pas javësh do të laheshim për herë të parë. Vështroja me xhelozi një familje të lumtur e cila priste pranë semaforit. Një grua dhe një burrë mbanin dy fëmijët e tyre për dore. Luli e shtypi hundën në xhamin e autobusit dhe shikonte me sytë e zgurdulluar. Ora 23.00. Në një sallë të madhe na përshëndeti një ministër. Pastaj dikush tjetër. Kishte një dallim të madh në mes njerëzve këtu dhe atje. Dhe të gjithë ishin njerëz. Po, po xha Zeneli ka të drejtë...
Kur ministri tha se ne së shpejti do të ktheheshim në shtëpitë tona, nuk e besonim fare, mirëpo shpresa ishte aty, për herë të parë disi e kuptueshme, disi e prekshme. Për herë të pare u shikuam në mes vete në sy, sikur donim të pyesnim njëri tjetrin :" Valle është kjo e mundur ?" Me këtë u prekëm shumë dhe shumica ia plasën vajit. Ne kishim shpëtuar, por të lumtur nuk ishim. Në një farë mënyre konsideronim veten me fat, jo më shumë. Xha Zeneli ishte akoma me pantofle. Atë e kishin zënë në kopsht dhe nuk i kishin lënë kohë për t´i veshur këpucët.
Të nesërmen erdhën shumë qytetarë të Halberstadt-it dhe na sollën këpucë, rrobe dhe çka ishte me rëndësi, shumë lodra për fëmijë. Ne shikonim si i shkarkonin gjërat dhe i falënderoheshim duke i përshëndetur me dorë. Shumica i fshinin lotët. Pashë fëmijët se si shikonin për rreth, me sy krejtësisht të hapur dhe nuk kuptonin më. Lodrat i shtrëngonin dhe iknin menjëherë duke pasur frike se do tua marre dikush. Unë i fshiva lotët dhe shtrëngova dorën e Lulit .
" Ju faleminderit ", thash në brendinë time", ju faleminderit o njerëz të mirë ...!"
"Majlinda!Majlinda!", mbaju, mbaju...", dëgjova një zë si në ëndërr. Dalëngadalë pikëshikimi u ngushtua dhe rashë e alivanosur përtokë.

*
Të gjithë kishin mbathur këpucë dhe rrobe të reja. Edhe xha Zeneli. Madje, ai kishte edhe një kravatë. Tani vërtetë dukej si intelektual. Sytë e tij të vegjël pas xhamave të trashë të syzave mund të shihnin vërtetë larg. Vështirë të rinjiheshin njerëzit.
-" Shikoni këtu, shikoni këta plepa!" , thirri plaku. " Këtu ishte dikur kazerma ruse, sot është shndërruar në histori, në përrallë, në një përrallë të mërzitshme...u bëftë kështu edhe e jona". Shihni këto rrugë të ngushta, këto gjurmë tankesh të mbuluara me barë si monumente historike ", tha plaku dhe i vuri duart në rrethojë.
~
Pas një jave kryqi i kuq gjeti nënën time me dajën në SHBA. Për babin njerëzit rrëfejnë dy storje. Dy histori të ndryshme që më duken të vërteta. E para thotë se babai kishte gjetur një thike të ndryshkët dhe kishte shkuar tek oficeri serb. Ai e kishte parë atë me huti; e kishte parë në sy dhe e kishte pyetur se çfarë dëshironte. Babi i kishte thënë se sillte një informatë të rëndësishme dhe se dëshironte ta falënderoj për mosvrasjen e fëmijëve. Pastaj e kishte therë disa herë me thikë. Oficeri kishte vdekur një herë, babi dy herë. E kishin vrarë, e kishin prerë në copa të vogla dhe e kishin hedhur në rrugë. Versioni i dytë: se ai kishte shkuar tek oficeri serb dhe i kishte thënë se meqenëse tani ishte pa fëmijë, dëshironte të flas me të. E kishte pështyrë dhe nga urrejtja e kishte kafshuar. Me stilografin që ishte mbi tryezë e kishte qëlluar në sy dhe i kishte pëlcitur bebëzën e syrit të djathtë. Atëherë oficeri e kishte nxjerrë revolen, kishte shtirë disa herë dhe kishte bërtitur: " Ja, tani përfundoi tragjedia antike. Ti vdiqe, ndërsa unë mbeta ciklop..."
Vetëm fjalia e fundit më bën të besoj se vërtete kishte ndodhur diçka e tillë. Pastaj e kishin vrarë edhe njëherë babin. E kishin prerë copë-copë dhe e kishin hedhur në rrugë. Një dajë që e kishin strehuar në Kanada, kishte folur me babin në stacion. Babai i paska thënë se nuk posedon me dinjitet njerëzor dhe se jeta e mëtutjeshme për të, ishte një peshë e madhe. Se ai brenda kishte vdekur, por merrëka fryme akoma. I dashuri im ...oh...përnjëmend, përnjëmend nuk e di me këto dy versione për babin i kam ëndërruar apo i kam dëgjuar!!! Vërtetë ëndërroj çdo natë. Çdo natë ëndrra të liga: oh njeri i mirë të lutem mos më pyet më për këtë....
****
Përnjëmend popujt nganjëherë janë si luan të mërzitur. Luan me shputa të shtrira që dremisin dhe turfullojnë hundët. Tundin kokën sa herë që iu ndalet ndonjë mizë në vesh, por duken tmerrësisht përtac. Në kohëra të vështira ata besojnë lehtë dhe mund të tërhiqen për hunde. Duket se nuk dëshirojnë të pengohen në ëndërrimet e tyre. Duket se kanë drojë. Ndonjë herë u tregohen shumë përralla, përnjëmend shumë. Madje edhe pushtetarët besojnë se luanët do të dremisin qindra vjet. Eu, kur luanët ngrihen dhe dridhen, sikur gjoja shkundin pikat e mbledhura nga shiu disa javësh dhe i hapin sytë njeri tjetrit! Duken fillimisht përtac. Mirëpo vaj nëse e shkundin kokën dhe përplasin bishtin, turfullojnë dhe hapin gojën tej për tej duke treguar dhëmbët e tyre të mprehtë. Vaj nëse çirren trishtueshëm dhe me vendosmëri. Uffaa , kur të ngrihen në shputat e përparmë; kur shikojnë majtas, kur të vështrojnë djathtas dhe kur të marshojnë me hapa të rendë dhe të vendosur. Këtë zemërim të luanëve nuk mund ta mbijetojë asnjë diktatorë. Asnjë diktaturë. Asgjë nuk mund më t´i dalë në rrugë. E kryejnë detyrën e vet, zbresin nga malet në shtëpi dhe përsëri turfullojnë hundët deri sa urrejtja dhe padrejtësia të rishfaqen. Dhe, pas turfullimit të parë, të urtit shpallin çlirimin dhe flasin për lirinë e fituar...Uffffa, sa vështirë është të jesh njeri!

shtator 99

Ky tregim është botuar në gjermanisht në një libër të publikuar nga disa autorë të huaj, me titull “Udhë të jetës” (Lebenswege) në vitin 2000. Shkruar në shtator 1999...



Keine Kommentare: