Para disa ditëve Adem Demaçi i madh, e tha këtë mendim
të vogël dhe kobzi: "Lugina të tregojë gatishmëri për luftë!"
Pas luftës në Luginë, patën braktisur ato vende 16.000
shqiptarë që nuk kthehen kurrë.
Në Gjermani zakonisht intelektualët e mëdhenj, që janë mplakur, tërhiqen nga intervenimi në zhvillimet shoqërore dhe nuk mendojnë se mendimi i tyre, për çdo lëvizje apo dukuri , është i domosdoshëm. Ndoshta këtë e bëjnë duke konstatuar se nuk kuptojnë më kohën (Zeitgeist-in – frymën e kohës), ndoshta duke ditur se pleqëria mund t’i ofrojë perceptime të gabuara, ndoshta nga respekti i madh që kanë për elitën e re, ndoshta nga dashuria e ruajtjes së veprimtarisë dhe mos njollosjes së veprës së vet, ndoshta të gjitha nga pak, ndoshta njëra më shumë, e tjetra fare, ndoshta asnjëra, por ata këndellen në sukseset e tyre dhe kalojnë kohën e mbetur me familjet e veta. Günter Grass (86) bëri një përjashtim me “bojën e fundit “ siç e quajti ai dhe i lejoi vetes, të ngre pluhur me një poezi për Izraelin dhe mendimtarët gjerman, e qortuan aq ashpër, sa vështirë mund të merrej me mend. Më i zëshmi ishte dramaturgu dhe shkrimtari i madh Rolf Hochhuth, duke i thënë në mes të tjerash: “ ti mbete ai që u bëre vullnetarisht, një njeri i “SS-it”, shkurt e shqip, një nazist.
Sidoqoftë, ata përgjithësisht jetojnë të tërhequr. Kancelari
Schröder (69) nuk dëgjohet më. As Helmut Kohl (83). Herë pas herë duket me
kritika instanca morale dhe filozofi i madh, Jürgen Habermas (83) dhe aty këtu
në televizor, edhe Helmut Schmidt (95): ky mirëpo nuk është thjesht një ish-kancelar, por
një njeri institucion dhe kur ai shfaqet në televizor, njerëzit ngujohen para
tij. Aftësitë e tija mendore nuk kanë përjetuar një degradim. Çdo fjalë e tij
është e urtë dhe duket se po flasin nëpërmjet një njeriu, filozofët e Athinës
apo oratorët e Romës. Tek ne ndodhë e kundërta. Tek ne ata që ishin me nam para
disa dekadave, tani edhe në moshë të shtyrë, akoma mendojnë se mendimi i tyre
është udhërrëfyes për popullin dhe i pazëvendësueshëm, madje fusin hundët aq
thellë në jetën private të njerëzve - duke u dhënë këshilla dhe rekomandime- sa
një gjë e tillë, nuk mund të merret me mend në Perëndim. Madje u rekomandojnë
edhe vdekjen. Kjo është neveritëse sepse tek disa prej tyre, shihet qartë se
nuk kuptojnë “Zeitgeist-in”. Ka një kufi të caktuar se ku mund të intervenojë
intelektuali dhe përzierja në sferën private të njeriut, përjetohet si mungesë
takti dhe cektësi mendore. Cektësi mendore është hundëfutja në çështje tejet personale
të njeriut, që nuk dëmtojnë shoqërinë dhe kjo autonomi private, nuk mund të
cenohet nga askush, pa marrë parasysh emrin dhe mbiemrin e tij, mirëpo tundimit
për të ngelur në “pararojë”, për fat të keq, tek ne nuk dinë, nuk duan apo nuk mund
t’ i bëjnë bisht.
Para disa ditëve Adem Demaçi i madh, e tha këtë mendim të
vogël dhe kobzi: "Lugina të tregojë gatishmëri për luftë!" Pas
luftës në Luginë, patën braktisur ato vende 16.000 shqiptarë që nuk kthehen
kurrë. Për të dëgjuar një mendim luftënxitës, nuk duhet shkuar më larg se në stacionin
e psikiatrisë; aty gjendet dhjetëra të shtrirë, që përkrahin ide të tilla. Për
ta shprehur atë ide, njeriu duhet të jetë shumë mirë i ngarkuar me bindje fikse
dhe krenari sakrifikuese, duke anuluar dhe pezulluar vlerën e jetës. Një njeri jashtë
psikiatrisë, duke njohur kostelacionin e forcave, nuk do të bënte kurrë një
deklaratë të tillë. Shumë lehtë mund të rekomandohet lufta duke qëndruar para
televizorit dhe duke u krekosur me flijimin e tjerëve, por është tepër vështirë
të shkohet në luftë, kur mbizotëron bindja e pakundërshtueshme, se ajo humbet.
Në lufte dilet për të fituar, jo për të humbur.
Adem Demaçi nuk kërkoi nga Hashim Thaçi gatishmëri lufte për
ta çliruar Mitrovicën dhe veriun e vendit, këtë e kërkon nga Presheva për ta
mbrojtur një përmendore. Presheva nuk ka as polici të veten, as ushtri.
Rezultati do t’ ishte ky: disa shqiptarë të vrarë, disa nëna shqiptare në
pikëllim dhe disa krenari nacionaliste dhe një pllakë e re memoriale. Këtë mund
ta imagjinojnë edhe matufët. Ai nuk kërkoi gatishmëri lufte nga Kosova, që
është shtet, që ka polici dhe disa ushtarë, por këtë e kërkoi nga Presheva sipas
bindjeve fikse të shekullit XIX: “Vdekja dhe burgu janë për burra!” Se burgu
është për burra, me këtë mendim ngushëllohen edhe qindra mafioz shqiptarë të
burgosur në Perëndim për drogë, duke injoruar shkatërrimin e jetës së fëmijëve të
pafajshëm dhe të familjeve. Burgu në këtë epokë, nuk është për burra, por për
kriminel.
Adem Demaçi dikur i madh, nuk zvogëloi vetëm veten me
këtë mendim, por edhe për 100 vjetorin e pavarësisë shkretoi. Ja çka tha: “Me
ndihmën e Zotit, por edhe të luftës dhe qëndresës sonë, erdhëm deri në këtë
situatë që të shohim, t’ i kemi dy shtete, por prapë më mirë dy shtete se sa
gjysmë shteti (...) Ne mbërrijmë e bëjmë çudira të cilat nuk i parasheh
askush.” Kështu citati i transmetuar nga Zijadin Gashi për radion “Europa e
lirë.”
Nëse bazohemi në mendësinë shqiptare, atëherë ose duhet
kundërshtuar fshehtas, ose duhet heshtur, por nëse bazohemi në mendësinë
perëndimore, atëherë duhet folur hapur. Motivin do ta lexoni në fund të
artikullit. Me mendime të tilla mos mirënjohëse, ai dëmton veten edhe neve. Hedh
mesazhe të gabuara në botë. Ky gjykim mund të tingëllojë ashpër dhe jo konform
normave të dyfytyrësisë. Mirëpo, nuk mund të besohet se në atë tubim nuk kishte
pasur njerëz, që nuk pajtoheshin, por hipokrizia kronike urdhëron heshtjen,
sepse sipas tyre, është më mirë, më fitimprurëse nëse zgërdhihen privatisht, e
jo nëse kundërshtojnë publikisht një lajthitje mendore. Merreni me mend çfarë
mendon një diplomat amerikan, kur lexon atë mendim, i shprehur jo nga pastrues
i rrugëve, por nga Adem Demaçi.
Elita gjermane në çdo tubim falënderon SHBA-të për
çlirimin nga nazizmi, edhe 68 vite pas. Mësohet edhe në shkolla. Ne pas 13
viteve, e falënderojmë zotin që u bë politikan dhe na çliroi. Pas 10 viteve do
të themi se vendin e kemi çliruar vet. T’i kthehemi mendimit të lartëcituar dhe
ta analizojmë: “Me ndihmën e Zotit, por edhe të luftës dhe qëndresës sonë,
erdhëm deri në këtë situatë që të shohim, t’ i kemi dy shtete...”
Sipas atij mendimi, për herë të parë mund të mendohet se
zoti merret me politikë aktive dhe me krijimin e shteteve. Ky mendim mirëpo na
krijon probleme shtesë. Pse zoti heshti deri tani dhe pse ai pllakosi me aq
shumë mjerim shqiptarët? A domethënë kjo se vrasjet, masakrat dhe dhunimet i merituam?
Çfarë zoti qenka ai, që dikujt i falë shtet, dikujt jo?! Pse zoti u fali një
shtet edhe serbëve në Bosnjë? Pse zoti i Demaçit themeloi Greqinë e madhe,
Serbinë e madhe, Maqedoninë e madhe, por Shqipërinë e vogël? Apo ndoshta zoti i
kosovarëve nuk ka kompetenca për Shqipërinë reale? Nëse zoti vendoska për
krijimin e shteteve, pse atëherë duhet të sakrifikohet dikush? Pse Presheva të
gatitet për luftë, kur qëndrimi vertikal i përmendores nuk varet nga serbet,
por nga vullneti i zotit?
E dyta, për çfarë qëndrese dhe për cilat territore të
çliruara është fjala? Në qiell fluturonin aeroplanët amerikan, që sot gjenden
në “Camp Bondsteel.” Demaçi i madh nuk i sheh ata që ka para syve, por sheh
zotin dhe nuk e përmend atë fakt me asnjë fjalë. Pse? Sepse tubimi po mbahej
nën patronatin e Hashim Thaçit, që ishte i pranishëm në atë tubim dhe zakonisht,
pleqtë derdhin komplimente lajkatare dhe aty ku dhe kur nuk duhet. E bëjnë me
servilizëm, me ndjejnë dhe kënaqësi naive, fëmijërore. E vërteta është kjo: çlirimin
e nisi Rugova, e vazhdoi UÇK, e përfunduan SHBA-të. Injorimi i këtyre fakteve,
nuk është vetëm injorancë tendencioze, por edhe meskinizëm i qëllimshëm, ogurzi.
Diku shkruhej se SHBA-ve intervenimi në Kosovë u ka kushtuar 70 miliardë
dollarë, por të mos përmendet angazhimi amerikan dhe lëvdata t’ i hidhen Thaçit
në fytyrë, jo vetëm se zhgënjen ata që na ndihmuan, por është mendim konformist,
cinik, mosmirënjohës dhe mizantrop. Sikur ta kishin ditur Serbia makutërinë materialiste
të elitës sonë (jo të gjithë), ata do ta kishin kursyer Amerikën dhe me disa
milion dollarë, do ta kishin shuar dëshirën e tyre për pavarësi dhe nuk do ta kishim
kërkuar më. Ndryshe nuk mund të shpjegohet mbajtja e parave, që diaspora kishte
derdhur për financimin luftës, jo për t’ i paguar ata që po luftonin në emër të
atdheut. Ai që mban ato para dhe nuk ua jep familjeve të dëshmorëve, nuk është
atdhetar, por mercenar; ushtar i paguar dhe dëmshpërblimi përfundon me pagesën.
Për ta ilustruar mendimin e Adem Demaçit, që i shkon për
shtati agjitacionit dhe propagandës komuniste, lexoni këtë ngjarje të dëgjuar,
por të vërtetë: për ta mbajtur familjen e babait në Kosovë, një shqiptar dërgon
gruan në punë të pastrojë ordinancën e një mjeku dhe fiton 350 euro në muaj. Me
këto para, atje jeton vëllai me katër fëmijë, dy vëllezër, një motër dhe
prindërit. Posedojnë tre hektarë tokë, por askush nuk i punon. Madje as
kopshtin, ku më herët mbillni perime, speca dhe domate. Kunata ngrihet në orën
pesë të mëngjesit dhe punon për ta, kurse shpjegimi i tyre është ky: “nuk ka
llogari të punohet toka!” Muaj për muaj presin që dikush të punojë për t’ i
mbajtur gjallë njerëzit e shtrirë. Sipas tyre shtrirja në divan, ka llogari.
Agroni, ta quajmë këtu Agron, i jep një miku para për t’i
dërguar në shtëpi dhe ai kur kthehet, tregon se atje, ata nuk po e dinin se shoqja
e tij po i mbante gjallë, por se zoti ishte duke u kujdesur për mirëqenien e
tyre. Pas këtij lajmi, Agroni që kurrë nuk kishte marrë një falënderim nga
shtëpia për sakrificat e veta, vendosë të mos dërgojë më asnjë cent. Kur i
telefonon i ati për të pyetur pse paratë nuk kishin ardhur me një mars, Agroni i
thotë këtë: “ ju i kishni puntë ma mirë se unë, ju kishni mardhanie shumë të mira
me zotin dhe prej tash, ato pare që i fiton gruja jeme, do t’i ruaj për fmitë e
mi!” I ati nuk e kishte falënderuar për paratë e dërguara me vite, por ishte
kërcënuar, pastaj edhe vëllai që kishte fëmijë. I kishte thënë se ia ka falur
jetën. Agroni ishte kundërpërgjigjur se jetën e ka paguar tashmë dhe se kishte
frikë se vëllezërit tjerë, do të përfundonin në skëterrë, që i kishin jetërat e
tyre falas dhe se nuk do të dërgonte më para, për t’i shpëtuar vëllezërit nga
mëkati. Njëri prej tyre përplasë telefoni dhe me mosdërgimin e parave, përfundon
edhe dashuria familjare. Shih befasinë, pas 14 viteve ata nisin kultivimin e
tokës dhe çudia më e madhe dhe marramendëse ishte kjo: kishte llogari.
Në Gjermani ekziston bindja se mënyra më e mirë për ta
dëmtuar një njeri të familjes, është motivimi për pasivizim dhe mosqortimi kur
e ka gabim. Pasivizimin e tyre e kishte motivuar dhe paguar Agroni me vite, me
shumë sukses sa ata kishin rënë në depresion, sa kishin harruar edhe arat. Ta
përfundojmë me mendimin e Demaçit të madh, që po tkurret vullnetarisht: “Ne
mbërrijmë e bëjmë çudira të cilat nuk i parasheh askush.” Çudirat që nuk i
parasheh askush, mund të jenë edhe prostitucion mendor, ose prostitucion në
qëndrime. Ndoshta edhe mungesë patologjike e parimeve, por çudira që nuk i
parasheh askush, duhet të jetë për shembull edhe krenaria e mbijetesës me
djersë vetjake. Gjermanët kanë edhe një bindje fikse: “e liga duhet mbytur qysh
në embrion!”, sepse eliminimi i metastazave, ka një kosto tepër të lartë.
(në gazetën fizike e publikuar me titull redaksional: "Intelektualët dhe një histori me Demaçin"
(në gazetën fizike e publikuar me titull redaksional: "Intelektualët dhe një histori me Demaçin"
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen