Kur mbaronte
njeriu shkollën, shumë herë nuk dinte se kush me kë është
martuar. Dikush shpëngulej për shkak të punësimit, tjetri
emigronte dhe kështu shkëputeshin lidhjet me shokët e klasës apo
fqinjët. Si dikur, edhe sot, përgjegjësinë për regjistrimin e
martesave, ka Gjendja Civile, por për ta bërë lajmin publik në
planetin Tokë, ka për detyrë Facebook: Libri i Fytyrave, Albumi i
Njerëzimit. Aty mund të shihet a është çifti i lumtur apo jeton
në një bashkëshortësi "të ndërlikuar." Ka njerëz që
edhe janë të martuar, por tek ai status, shkruan:" i, e
pamartuar."
FB është
bërë odë e madhe ndërkombëtare ku jepen edhe ngushëllime për të
afërmit. Madje, ndodh që i ndjeri të ketë mbetur i gjallë në
FB dhe ndonjë, shpreh ngushllime të vdekurit personalisht, kurse
tjetri pyet i zhgënjyer: "po pse bre burrë ike?"
Aty urohen
diplomime, paralajmërohen dasmat, flitet për shkurorëzimet, flitet
për të kaluarën dhe flitet për planet. Me një fjalë, çdo gjë
që deri dje konsiderohej sferë private, sot është publike. Jo
vetëm këto: Tek shumë shtëpi mund të shihen edhe mobiljet
brenda, divani, shiltet, minderi, kompjuteri, televizori, dollapi,
krevati, mbulesat, perdet, rrobet e varura jashtë, brekët dhe një
hajn eventual, ka në dorë krejt arkitekturën bendshme edhe të
jashtme të shtëpisë: me oborrin për rreth, garazhin, biçikletën
e mbështetur mbi mur dhe fëmijët duke luajtur.
Aty
mund të gjendet edhe adresa, me fotografi më të mëdha se tek
dokumentet identitetit, numri i telefonit, nipat, kushërinjt,
kushërirat dhe një ditë papritmas, shfaqet një fotografi e një
poeti cullak, dërguar nga celulari veshur vetëm me çorape. Ai një
çerek ore më vonë, heq fotografinë dhe të gjithë e injoruan dhe
asnjëri nuk ngriti gishtin e madh përpjetë për të vlerësuar
fotografinë e dërguar gabimisht nga gishti tregues. As gratë, as
burrat. Kush e ka kopjuar, nuk dihet.
Shpalosja e
sferës private vazhdon tutje: nuk mungojnë as tryezat, kafjallet,
drekat, darkat, dasmat dhe miqt eventual të cilët pastaj shënohen
me emër e mbiemër. FB nuk kënaqet vetëm me ato informacione, por
kërkon nga përdoruesit të tregojnë edhe besimin, çfarë lexon,
cili libër i pëlqen, cili film, cili shkrimtarë, cili aktorë, ku
gjendesh sot, ku je duke shkuar, ku do të shkosh nesër e çfarë je
duke bërë tani, e çfarë je duke menduar.
Dikur ato
informacione nuk kanë mundur t' i posedojnë as shërbimet sekrete.
Facebook për të krijuar profile më konkrete për përdoruesit, nuk
përpiqet të kuptojë vetëm shijet, por edhe biografinë e plotë,
që sipas shtypit gjerman, shumë herë punëdhënësit shfrytëzojnë
për të kuptuar se kush është në të vërtetë kandidati që ka
aplikuar. Aq sa më shumë përdoruesi zhveshë veten, aq më shumë
ndihmohen ata që merren me publicitet dhe me arkivimin e
informatave.
Libri
i Fytyrave ka edhe njerëz me disa identitete. Me njërin shajnë e
kërcënojnë, me tjetrin lavdërojnë. Tek njëri është i martuar
dhe gjysh, tek tjetri student dhe kërkon nuse. Aty gjenden edhe
shkuesit digjital, që përpiqen të gatuajnë dashuri në mes të
rinjëve. Tjetri është burrë, por i regjistruar si grua. Një
burrë i martuar kopjon fotografinë e një bukuroshe dhe i fejuari i
saj, alarmohet pse ia ka grabitur. Ai nuk pranonte ta quajë
grabitje, por kopjim dhe ngulte këmbë, se ajo vashë, ishte ideali
i bukurisë femërore, që ai me vite kishte ëndërruar. I fejuari i
saj, mund ta mbante atë fizikisht, por ky, do ta mbante vetëm në
shpirt dhe vetëm në botën virtuale, nëse nuk e shqetëson më...,
shkruante ai.
Në SHBA,
sipas shtypit, çdo i katërti shkurorëzim bëhet me ndihmën e FB.
Shfaqen "ishat", ish të dashurit dhe aty nisë rrënimi i
bashkëshortësisë reale dhe kthimi tek dashuria rinore apo te një
që shpresohet si ideale dhe për t' u kthyer disa muaj pas, si i pamartuar.
A
nevojitet ai ekzebicionizëm dhe pse veprojmë ashtu si i konvenon
FB? Dremitja e madhe në jetën virtuale quhet edhe përdorim
patologjik i internetit, që mund të
shkatojë vartësi me këto simptome: nervozitet, përtaci, mungesë
iniciative, shkëputje kontakeve në jetën reale, pengesa në gjumë,
mungesë e higjienës trupore dhe humbja e kontrollit, konstatojnë
psikologët. Sa më e madhe prania në jetën virtuale, aq më shumë
zvogëlohet jeta sociale reale. Si vartësi konsiderohet kur kalohen
më shumë se katër orë në ditë. Jo duke punuar, por duke luajtur
apo nëpër faqe sociale. Shkurt e shqip, ekzibicionizmi virtual i
imponuar, ka prodhuar edhe vuajerizmin virtual nga kurreshtja....
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen