01.06.2014

Pse zoti Rama?

Askush nuk mund t' ju qortonte pse nuk keni ftuar kryepopin e popëve, që vraponin pas tankeve për t' i bekuar me ujë të bekuar derisa ato turreshin për të vrarë, kroat, boshnjak e shqiptarë.

Zoti Kryeministër, ndoshta ju keni edhe arsyet Tuaja, ndoshta edhe mendoni se kështu kërceni më lehtë në ndonjë vagon europian, duke falur atë që nuk mund të falet pa kërkuar ndjesë. Ju shpërfillët gjysmën e kombit, gjysmën e kombit të traumatizuar nga urrejtja patologjike e këtij popi.
Pse zoti Rama nuk evituat ftesën e tij? Mund të përligjej lehtë, mund të arsyetohej akoma më lehtë.
Kisha Ortodokse Shqiptare mund të ringjallte Krishtin edhe pa popin serb.

Zoti Rama, ai pop serb që mendon se beson Krishtin, nuk është i krishterë. Nuk është i krishterë sepse një i tillë, sipas mësimeve krishtere, është i detyruar të falë e kërkojë ndjesë, ashtu si kërkoi Krishti të falen dhe ekzekutorët e tij. Cilin Krisht beson ky njeri? Ku gjendet ai Krisht që mëson urrejtjen dhe bekimin e armëve?

Ai pop zoti Rama nuk është i krishterë, por Antikrisht i kulluar. Ai nuk nderon urdhëresa krishtere, por bën politikë raciste dhe fashiste. Një njeri i zotit, që përpiqet të bëjë politikë në emër të Zotit, ai nuk ka gjë të përbashkët me zotin dhe nuk i beson fuqisë së tij. Ky pop zoti Rama, si edhe një kope e tërë pas tij në Serbi dhe Rusi, do ta çrrënjosnin Kosovën edhe një herë, sikur të mos ishte aty ushtria amerikane.

Zoti Rama, egërsira nuk mund të zbutet pse tregohemi të edukuar, të qytetëruar dhe pse falim edhe kur nuk pendohen.
Sikur të isha i krishterë dhe fetar, prift apo pop, atëherë do t' isha lutur çdo ditë t' i falen popullit tim mëkatet e shkaktuara. Do ta kisha lutur të falte zoti popullin tim për 20.000 gra shqiptare të dhunuara. Do ta kisha lutur zotin të falte popullin tim për 13.000 veta të vrarë. Do ta kisha lutur zotin të falte popullin tim për 100.000 shtëpi të rrënuara dhe djegura deri në themel. Dhe zoti Rama, do ta kisha lutur zotin të falte popullin tim për 3.000 kufoma shqiptare shpërndara nëpër Serbi. Edhe një: do ta kisha lutur zotin të falte popullin tim për eksodin biblik shkaktuar shqiptarëve.

Zoti Rama, sikur të kisha qenë i krishterë, thejsht fetar, ose prift apo pop, do të kisha pasur frikë nga biri i zotit që besoj. Do të kisha pasur frikë dhe do t' isha gjunjëzuar në Tiranë, para popullit shqiptar si Willy Brandt në Varshavë dhe do të kisha kërkuar ndjesë me lot në sy për barbarizmat e populli tim.

Do ta kisha bërë këtë zoti Rama sepse Krishti nuk mëson vrasjen. Nuk rekomandon hakmarrjen. Nuk këshillon urrejtjen dhe ja këto janë arsyet zoti Rama pse Ju, është dashur të mos ftoni në Tiranë një kryepop të popëve Antikrisht. Një Antikrisht për të kremtuar ringjalljen e Krishtit, që u mësoi njerëzve dashurinë.
Ai nuk erdhi në Tiranë me flamur të bardhë të paqes, ose me flamurin e Krishtit, me flamurin e pendesës, por zbriti me flamurin serb. Si një nacionalist tipik serb. Ashtu siç do të kishte dashur të zbresë: Millosheviçi, Koshtunica, Dobrica Qosiqi, Arkani, Shesheli, Vuçiqi e Daçiqi.

Zoti Rama, askush nuk do të na dojë apo çmojë, nëse ne nuk çmojmë veten. Natyrisht se mund të veproni si të doni, jeni Kryeministër i shtetit të pavarur shqiptar. Një gjë mirëpo nuk duhet të harroni: nuk keni të drejtë morale, njerëzore as të falni në emër të plojës kosovare, as të ftoni, as të nderoni armiq aktualë të Kosovës. Ju jeni vetëm një njeri, edhe pse Kryeministër, populli është subjekt në shumës.

Zoti Rama, nga dhjetë urdhëresa që janë të rëndësishme për etikën teologjike krishtere, ky pop Antikrisht ka shkelur shtatë:
Të parën: Ti nuk duhet të kesh perëndi tjetër pos meje. Perëndi e tij është nacionalizmi serb.
Ka shkelur të dytën duke adhuruar më shumë simbole serbe se sa fetare.
Ka shkelur të tretën, sepse keqpërdor emrin e zotit për çështje politike, tokësore.
Ka shkelur të gjashtën, më sublimen: Mos vraj! Ky ka mësuar tjerëve vrasjen.
Ka shkelur të tetën: Mos vidh! Pasi u tërhoqën nga Kosova, nuk ka folur kurrë një fjalë kundër plaçkës së luftës.
Ka shkelur dhe shkel urdhëresën e nëntë: Mos bëj dëshmi të rrejshme kundër njeriut pranë teje.
Ka shkelur të dhjetën: Mos lakmo shtëpinë e njeriut që jeton pranë teje. Zoti Rama, ky Antikrisht nga dhjetë urdhëresa qëndrore biblike, ka shkelur shtatë. Nuk dimë a ka shkelur kurorën, pra të shtatën. Nuk dimë a ka respektuar të pestën, a ka dashur prindërit e vet. Dhe nuk dimë a respekton ditën e pushimit, të shtatën. Zoti Rama, popi serb është bashkautor ideologjik i të gjitha mjerimeve shkatuar në Kosovë. Ai që nuk beson dhjetë urdhëresat, nuk mund të konsiderohet i krishterë.

Zoti Rama, shkrova këtë reagim i pezmatuar dhe i zhgënjyer. Jam njëri prej publicistëve që me pasion është marrë me demontimin, përgënjeshtrimin dhe rrëzimin e kryetartufit shqiptar: Sali Berisha. Do të bëni gabime të njejta me Berishën nëse mendoni në njëjës. Ju jeni përfaqësues i parë i kombi shqiptar dhe duhet të mendoni në shumës!

ps: Këtë shkrim e ka vjedhur gazeta Standard dhe publikuar me një titull ofendues për kryemnistrin shqiptar... 

Keine Kommentare: