03.07.2014

Shteti i Hashimit, Bota Sot

Fajtore për të gjitha anomalitë dhe patologjitë në shtetin e Kosovës është vetëm Qeveria e Hashim Thaçit. Ajo Qeveri nëpërmjet Kuvendit ka aprovuar ligje, por ligjet nuk vlejnë për të gjithë dhe nuk obligojnë. Shumë veta kanë imunitet. Në mes të rrugës shihen njerëzit duke bërë kundërvajtje, para hundës së policit. Në televizor mund të dëgjohen kërcënime...

Thaçi ka ndërtuar shtet fisnor. Aty të gjitha institucionet shtetërore janë në lidhje farefisnore në mes vete. Vendet e punës nëpër gjykata, prokurori e përgjithësisht në administratë, nuk kanë zënë njerzit kompetent, por duke bazuar në lidhje gjaku dhe miqësie: prandaj kemi moderatorë në tv që shprehen si çoban, prandaj kemi nëpunës, që shkruajnë “Kaqanik”, prandaj kemi gjyqtarë që në një faqe bëjnë 30 gabime gjuhësore, prandaj kemi prokurorë, që bëjnë hetime selektive, prandaj kemi profesorë të gjuhës shqipe, që nuk flasin mirë shqipen, prandaj kemi fakultete, që shesin diploma, prandaj tek ne shumica e punimeve të doktoraturës janë plagjiate dhe si rezultat i këtij sallamadi - shteti, qefli, jemi popull jo i lumtur, por me valixhe në dorë. Me valixhe në dorë për të ikur nga shteti fisnor, nga ky shtet që e deshëm më shumë se jetën dhe e paguam aq shtrenjtë: me burgje, me dhunime të grave, me vrasje edhe të fëmijëve, me dëbime kolektive...me shkatërrimin e jetës, kontakteve sociale dhe me rrënimin e normave kombëtare, që mbajnë një shoqëri të ndërlidhur.

Kemi një shtet që është i organizuar më keq se krimi. Kemi një shtet, ku krimi është më i organizuar se shteti. Kemi një shtet, ku mund shitet dhe blihet çdo gjë. Jo vetëm profesioni, por edhe nderi, sedra dhe patriotizmi. Kemi një shtet vështrues, që nuk ndjehet përgjegjëse për asgjë. As të luftojë racizmin, as të luftojë ekstremizmin, as të luftojë idetë fashiste. Kemi një shtet, ku demokracia kuptohet si sallamadi - sistem. Kemi një shtet që nuk kupton dhe nuk zbaton ligjet e veta. Një shtet, që nuk kupton se liria e mendimit përfundon aty, ku mund të ofendohet tjetri dhe ku mund të cenohet paqja publike.

Çdo qytet i Kosovës ka një prokuror, që duhet përjashtuar nga puna, sepse nuk njeh, as nuk respekton ligjet që ka aprovuar Kuvendi. Krejt populli din se politikanët po vjedhin me të madhe, vetëm prokuroria nuk din gjë. Ata durojnë shkeljen e ligjit dhe rrezikimin e rendit kushtetues. Në çdo qytet kemi gjyqtarë, gjyqtarë që nuk kryejnë detyrën e vetë dhe që duhet larguar nga puna. Në çdo fakultet kemi doktorë piratë që kanë vjedhur doktoratura, asnjëri prej tyre nuk përjashtohet. Çdo qytet i Kosovës ka Gjendje Civile, pak prej tyre kanë njohuri elementare se si funksionon administrata, e për drejtshkrimin, as të mos flasim. Shumë fakultete të Prishtinës kanë shitur diploma pas luftës. Askush nuk është larguar nga puna, askush nuk është arrestuar.

Të abuzohet me detyrën, të mos respektohet, të mos zbatohet ligji në Kosovë, është bërë kod dhe normë. Çudi e llojit të veçan do t' ishte, kur prokuroria dhe gjykata kryejnë detyrën ashtu si urdhëron kushtetuta. Çudi do t' ishte ngritja e komisioneve dhe shqyrtimi i titujve të doktoraturës.
Çudi do t' ishte funksionimi i shteti ligjor. Do t' ishte çudi sepse pengojnë lidhjet fisnore nëpër administratë. Nëse jo lidhja fisnore, atëherë pagesa e pozitës, e vendit të punës. Ai që ka blerë vendin e punës, nuk mund të largohet, edhe nëse është profesor i shqipes që shkruan “Thaqi.”

Të ndërtosh shtet ligjor domethënë të merresh seriozisht me aplikacionet e kandidatëve dhe të zgjidhen vetëm ata që e meritojnë, pa marrë parasysh lidhjen familjare e miqësore me politikanët. Të synosh shtetin ligjor domethënë gradualisht të zëvendësosh amatorët me profesionalistë përkatës. Kosova nuk mund të ndërtojë shtet ligjor edhe për shkak të numrit të madh të partive. Të gjitha partitë së bashku, nuk do të jenë në gjendje të krijojnë një Qeveri kompetente, e aq më pak një apo dy e tri prej tyre. Kjo është arsyeja pse mund të kemi edhe ministra sharlatan. Kjo është arsyeja pse i miri mund të mbetet pa pozitë, por zvarraniku të profilizohet. Kjo është arsyeja pse shumë shqiptarë nga Perëndimi as që dëshirojnë të kthehen atje dhe as që ndjehen krenar me shtetin e Kosovës. Shkurt e shqip, shteti i Hashimit len përshtypejn e një klubi, shoqate ndërtuar për subkulturën. Profesori i fizikës eksperimental Georg Christoph Lichtenberg, që hodhi themelet e aforizmave në hapsirën gjuhësore gjermane thotë:„Unë nuk di a do të bëhet më mirë nëse bëhet ndryshe. Mirëpo duhet doemos bërë ndryshe, nëse duam të bëhet më mirë.“ Ky mendim përshkruan përkryeshëm domosdoshmërinë për ikjen e Hashimit dhe nevojën për ardhjen e Haradinajt.


Keine Kommentare: