27.07.2014

Shkurt e qartë, GAZETA SOT

Në trojet shqiptare ka aq shumë lopë, aq shumë lopë politike, sa njeriu mendon se jemi hindus. Për hindusët lopa është e shenjtë. Për shqiptarët lopa politike është e shenjtë. Në Indi lopët mund të pëllasin në mes të rrugës. Këtë e bëjnë edhe lopët politike shqiptare. Madje edhe në facebook.
Hindusët nderojnë dhe respektojnë lopën, sepse zoti Krishna qe rritur dhe ushqyer nga lopët. Jo nga lopët politike, por nga ato të vërteta.

Populli shqiptarët nuk ushqehet nga lopët e veta politike, por lopa politike ushqehet nga populli. Në Indi nuk guxon të shahet lopa apo të keqtrajtohet edhe nëse është e shtrirë në mes të rrugës. Nëse bëhet kjo, mund të rrezikohet jeta. Pra, në Indi, lopa nuk guxon të shqetësohet.

Lopët tona politike mund të flasin çfarë të dojnë, të vjedhin sa të dojnë dhe nuk ka gjykatë apo prokurori, që do të merrte guximin për t' i shqetësuar. Meqenëse lopët në Indi janë të shenjta, nuk mund të trajtohen si një lopë shqiptare. Mirëpo, lopët politike shqiptare respektohen si lopët e shenjta në Indi, që kishin rritur zotin Krishna.

Lopët e shenjta në Indi u sjellin njerëzve fat, qumsht dhe fuqi pune. Lopët politike shqiptare të sjellin fatkeqësi, mërgim, t' i marrin paratë dhe ta zhdukinë fuqinë. Në jetën e përditshme lopa e shenjtë në Indi mund të takohet kudo. Lopët politike shqiptare janë të strukura nëpër zyra nga bëjnë pazarllëqet e veta të pista dhe çdo katër vite shihen rrugëve dhe rrugicave: arave dhe ledinave.

Me qumshtin e lopës indianët përziejnë çajin dhe e quajnë “çaj” në gjuhën e tyre. Nga qumshti i lopës ata prodhojnë edhe „lashi”, një lloj jogurti. Nga lopa politike shqiptare nuk bëhet as çaj, e as kafe. As mund të ushqehet si duhet familja.
Në Indi të gjitha lopët janë të shenjta. Në trojet shqiptare të gjitha lopët politike janë të shenjta. Nga lopët politike shqiptare tani për tani mund të përjashtohet pak politikan shqiptarë. Meritojnë të përjashtohen pak veta...

Në Indi pra lopët respektohen pse japin qumsht, ndihmojnë në punë dhe janë të sinqerta. Tek ne lopët politike respektohen pse vjedhin, gënjejnë dhe mashtrojnë. Lopët politike shqiptare janë edhe ato lopë që janë pasuruar padrejtësisht, por hindusi shqiptar, ka shenjtëruar edhe ato dhe duhet respektuar, edhe nëse janë të shtrira në mes të rrugës.

Tani për tani mund të thuhet se kemi dy zotëra Krishna, që janë ushqyer mirë nga lopët dhe vazhdojnë të ushqehen. Zoti parë është Sali Berisha, i dyti Hashim Thaçi. Nëse arrijnë të vihen në piedestal hyjnor edhe disa tjerë, atëherë nuk mbetet gjë tjetër, pos të konstatohet se jemi bërë politeist.

Përgjithësisht mund të thuhet se lopët në Indi janë shumë të lumtura. Shumë të lumtura janë edhe lopët politike shqiptare. Si në Indi lopët e shenjta, ashtu edhe në trojet shqiptare, lopët politike kanë imunitet të përjetshëm...

Libra fizikë nga Lis Bukuroca te amazon
Libra elektronikë


Keine Kommentare: