(Ngrit dorën në ajër, të pranishmit brofin në këmbë): Unë Filani, biri i Fistekut, nga fisi i … në çastin kur po marrë këtë detyrë udhëheqëse, me mundësi më të mëdha për të marrë, për të fshehur, për të vjedhur, për të mashtruar, për të krijuar iluzione, për të gënjyer dhe për t' u pasuruar për një kohë relativisht të shkurtër, betohem solemnisht, se do t' i mbrojë interesat e mia në të gjitha mënyrat, në të gjitha nivelet, në të gjitha fushat dhe luftoj për to deri në ditën e fundit të ushtrimit të kësaj detyre: fisnike, diskrete dhe jotransparente.
Premtoj
gjithashtu, se do të bëjë çdo gjë që është e nevojshme, e
mundshme dhe e pamundshme, për të punësuar krejt anëtarët e
familjes, fisit dhe miqtë e mi. Do të mbrojë me të gjitha forcat
e Shërbimit Sekret, nderin e Makiavelit, mësuesit tonë të madh
dhe traditën fisnike të profesionit të politikanit. Do
të mënjanoj nga rrethi të
gjithë ata, që shfaqin dobësi konkrete
shëndeti, si patologji
të ndërgjegjes, dinjitetit apo të
nacionalizmit.
Mirëqenia
e fisit, pasurimi i miqve, do të jenë brenga ime kryesore deri në
mënjanimin e pengesave që kanë dëmtuar ata në të kaluarën.
Dëmtimi i kundërshtarëve do të jetë
parim. Ju garantoj se bakshishi si degë e
veçantë e ekonomisë, marrja pa njoftim,
tregtia ambulante, diplomimi dhe doktoraturat cash, si lëmi të
liruara nga tatimet, do të mbrohen nga shteti dhe zhvillohen tutje.
Përkulem përulësisht dhe
falënderoj duke ju garantuar se nga ndërmarrjet që do të shiten,
një pjesë e atyre parave, do të shkojnë në vendin e duhur me
një gravitacion permanent të determinuar
gjatë ushtrimit të detyrës.
Gjatë
ushtrimit të kësaj detyre fisnike dhe fisnore, nuk do të bëjë
dallim në mes njerëzve, përkatësisë etnike, religjionit,
bindjeve politike, orientimit seksual,
nivelit arsimor dhe shtresës sociale, por
do t' i mashtrojë të gjithë, pa diskrimim dhe do të marrë nga të
gjithë, aq sa më shumë që është e mundur, për të mbrojtur dhe
përforcuar materialisht profesionin e politikanit vizionar.
Premtoj
publikisht dhe ju garantoj se deri në zgjedhjet e ardhshme, fisi
jonë, do të bëhet më i lumtur, me këtë edhe populli, sepse fisi
im, është pjesë e këtij populli. Ju garantoj, unë do të bëj
çdo gjë që është e mundur për të larguar,
për ta shmangur dhe për të parandaluar çdo rrezik që i kanoset
fisit tonë nga Prokuroria apo policia.
Kujdesi
personal për të mos arritur asnjë dosje në tryezën e gjykatës
do të jetë permanent dhe
këmbëngulës, kështu
shkarkohet administrata nga thashethemnajat
e pabaza dhe puna
e panevojshme.
Bashkëpunimi
do të rritet me ato parti dhe shtete,
që kanë respekt për rregullat sipërore morale të Makiavelit, që
kultivojnë ato norma dhe kuptojnë tregun e lirë të punës,
veprimit dhe kapitalit të përqëndruar
me itinerar të posaçëm subjektiv
funksional.
I
vetëdijshëm për rëndësinë e betimit, pohoj se e bëra i
padetyruar nga brenda, i pashtrënguar nga jashtë, solemnisht,
publikisht, me
vullnet të lirë dhe në dobi të shtetit tonë! Rroftë Kosova jonë
trime, legjendare, e pavarme, e panënshtrume
dhe atdhetare! (Betuesi
fut dy duart në
xhep, të pranishmit duatrokasin tre minuna
dhe pastaj disa ulen, disa shtrihen.
Lumuria Ante Portas!)
*Betimi
i Makiavelit
duhet
mësuar përmendsh
në Kosovë nga ata që zaptojnë
funksione udhëheqëse në
qeverinë e ardhshme:
Kryeministri,
ministrat,
deputetët,
por edhe kryetarët
e komunave tashmë
të zgjedhur,
rektori, dekani e prodekani, deri tek drejtoritë nëpër
administratat
komunale,
natyrisht
duke përjashtuar ndonjë paragraf,
që nuk
i përshtatet detyrës
fisnike
gjatë
ushtrimit
tribal.
Gazeta DITA
Gazeta DITA
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen