Të shtunën herët në
mëngjes kishte parë në oborrin e vet një pëllumb. Diku pas dy orëve e kishte parë atë përsëri të strukur
pas një rrashti dhe aty nga dreka, pranë shkallëve të shtëpisë. Këtu i
kishin lindur dyshimet dhe ishte përpjekur ta trembë, por pëllumbi
kishte ecur vetëm pak dhe ishte ndalur. Dy fëmijët e tij e kishin parë
nga dritarja dhe kishin dalë edhe ata jashtë. Pas tyre edhe shoqja. Aty
nis debati në mes tyre sesi të veprohet. Fëmijët ngulin këmbë të
thirret mjeku. Ai telefonon një veterinar dhe i rrëfen se pëllumbi nuk
është në gjendje të fluturojë dhe se duhet të jetë i sëmurë...
Veterinari
thotë se do të kishte ardhur menjëherë, por nëse vjen pa njoftim dhe
kërkesë nga administrata, atëherë trajtimin mjekësor duhet ta paguajë
telefonuesi. I kishte treguar se nëse pëllumbi nuk është i tij, atëherë
duhet ta njoftojë policinë dhe kështu zyrtarizohet kërkesa. Policia
ngarkon mjekun e kafshëve me këtë detyrë dhe shteti paguan ardhjen,
marrjen dhe mjekimin e pëllumbit.
Disa
minuta më vonë ai telefonon policinë dhe ata shënojnë adresën e tij dhe
i premtojnë se së shpejti do të dërgohet veterinari. Pas gjysmë ore,
shfaqet ai. E merr pëllumbin dhe e dërgon në Konviktin e Kafshëve. Po e
quaj konvikt sepse në gjermanisht ashtu siç quhet konvikti i studentëve
“Studenteheim”, edhe i kafshëve quhet, “Tierheim”, pra Konvikt i Kafshëve.
Stalla do të tingëllonte përbuzëse dhe degraduese. Aty zakonisht
dërgohen edhe kafshët e egra që kanë pësuar lëndime pas një fatkeqësie
rrugore shkaktuar nga komunikacioni. Aty mjekohen, nëse mbijetojnë,
kthehen përsëri në mal.
Dy
ditë më vonë kolegut i telefonojnë nga Konvikti i Kafshëve dhe i
tregojnë lajmin: “Pëllumbi është shëruar dhe para ca minutave fluturoi
dhe vazhdoi jetën në liri...” Ky lajm i gëzon shumë fëmijët e tij dhe i
bën të mburren me veprën.
Gjesti
nuk tregon vetëm për peshën dhe vlerën e jetës, që ka sot në shoqëri,
por flet edhe për infrastrukturën e krijuar. Kjo flet edhe për nivelin
dhe shkallën e qytetërimit. Në anën tjetër, flet edhe për vjeljen e
tatimeve dhe mekanizmat shtetërore përmbaruese. Shteti kujdeset për
mbledhjen e tatimeve, furnizimin e spitaleve me aparaturë të nevojshme,
ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve, shkollat, fakultetet, armatën,
administratën në përgjithësi dhe pajisjet dhe në mes të tjerash, shteti
garanton paqen brenda dhe është i gatshëm të mbrojë integriteti e vendit
dhe qytetarëve.
Nuk
ka dyshim se ka njerëz që nuk paguajnë me dëshirë tatime, por shteti
duhet të ketë mekanizmat e vet për t' i mbledhur ato. Kur arkëtohen si
duhet, mund t' u garantohet dinjiteti njerëzor jo vetëm të varfërve dhe
sëmurëve, por t' u mundësohet mjekimi, jeta dhe mbijetesa edhe
pëllumbave, lepujve apo derrit të egër goditur nga ndonjë automjet i
komunikacionit.
Aq
herë sa përmendet atdheu dhe patrioti në gazetat e media shqiptare
brenda javës, nuk përmendet brenda dekadave në Gjermani. Zakonisht aty
ku flitet shumë për atdhe, aty vidhet atdheu si askund tjetër. Mu si nga pushtuesi. Shumë
herë aty atdheu shërben si fjalëkalim për ta zbrazur arkën e shtetit. Me
fjalëkalimin "patriot", maskarenjtë e Ballkanit janë bërë milionerë.
Dhe, aty, shteti nuk kujdeset për dinjitetin e njeriut, e për të
kafshëve, as të mos flasim...
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen