11.10.2014

Në cilin shekull jetojmë si popull? gazeta SOT

Shtysa për këtë artikull erdhi nga shkrimtari dhe publicisti Xhemal Ahmeti. Në sprovën e tij të fundit tek Tribuna me titull „Profeti” Ibrahim Rugova duke përsiatur për mitizimet tona dhe krahasuar ato me kulturat tjera, shtron një pyetje retorike, që mund të kuptohet edhe si konstatim i gjendjes: “Shqiptarët gjenden në shek. 21 apo jo?”
Dilema madhe enigmatike, misterioze, gjendet pikërisht këtu. Në cilin shekull jemi duke jetuar ? Si mund të lokalizohet mendësia e një njeriu, një populli? Nëse prania fizike merret si fakt për të dëshmuar jetën, atëherë pa asnjë dyshim mund të shkruhet trashë e me shkronja të mëdha, se ne jetojmë dhe gjallojmë në shekullin XXI. Se jetojmë në këtë shekull, si prova ndihmëse mund të merren edhe makinat, kompjuteri, avionët, librat, letra, celulari prekor (po e quaj prekor, sepse funksionon me prekje, e jo i mençur siç quhet nëpër media, sepse një gjësend, nuk mund të jetë as i mençur, as budalla).

Për të gjetur shekullin dhe  vitin tonë duhet shqyrtuar të menduarit divergjent në mes nesh dhe popujve tjerë. Nëse ekziston një koherencë dhe simbiozë vlerash, normash morale, atëherë jemi në këtë shekull, nëse jo, atëherë nuk jemi. Stacionimi i plotë është i pamundur apo shumë i vështirë, por në vija të trasha, simbolikisht, mund të vizatohet.
Për të pasur një pasqyrë më të qartë, atëherë duhet pikësëpari të krijojmë diferenca në mes trupit dhe mendjes, në mes fizikes dhe mendësisë për të ardhur deri tek personaliteti i një njeriu: edukata e tij, formimi, bindjet, reagimet e tij në situata të veçanta për t' iu afruar identitetit të tij kulturor dhe integritetit. Po cek disa fragmente të mendësisë shqiptare që i njeh shumica dhe që na përjashtojnë nga ky shekull dhe nga viti 2014:

Nëse Kushtetutat tona në këtë shekull ndalojnë rrahjen e grave, por 60 për qind e burrave rrahin, atëherë kjo masë nuk jeton sipas të arriturave mendore të këtij shekulli, e as të kësaj dekade. Kjo hordhi agresive mund të hidhet në shekullin XX dhe rrokulliset prej shekulli në shekull deri tek ndarja e njeriut nga shimpanza, diku para pesë apo shtatë milionë vjetëve.
Nëse 60 për qind e burrave mund të zhvendoset nga ky shekull për shkak shkeljes së ligjeve, sa për qind tjerë mund të transferohen në shekujt e kaluar pse nuk lejojnë bijat e tyre të lira? Sa për qind e tyre nuk lejojnë bijat të zgjedhin të dashurin apo burrin? Sa për qind diskriminojnë bijat në ndarjen e trashëgimisë? Sa për qind janë racistë dhe njerëzit e besimeve tjera i quajnë gjaur e kaur? Sa për qind e shqiptarëve nuk do të denonconte dhunën e ushtruar ndaj tij, ose ofendimin, por do të merrte vet rolin e prokurorit dhe gjykatësit?

Qytetërimi perëndimor numërimin e viteve ka nisur me lindjen e Krishtit. Viti 2014 nuk vlen për shumë popuj tjerë, sepse ata kanë vitet e tyre: tani për hebrenjt është viti 5775, sipas krijimit biblik të botës. Tek arabët  viti 1435, tek budistët 2558. Viti 2014 është rezultat i popujve që kanë kaluar dhe kanë lënë pas vete, renesansen, iluminizmin dhe shumë lëvizje tjera në art, filozofi, shkencë dhe politikë. Ballkani nuk ka ditur për këto rryma të reja. Dhe, ky iluminizëm, solli edhe demokracinë, ndarjen e pushteteve dhe në fund, në shekullin e kaluar, edhe revolucionin seksual. Tani në fund në mes të tjerash, ndaloi edhe homofobinë.

Për të vërtetuar se populli jonë gjendet diku në shekullin e kaluar, me disa ide edhe më heret, ja edhe një shembull që ilustron gjendjen tonë:
Qosja kritikoi një zyrë katolike që qenka hapur për konvertime. Citat: „E dënoj shkuarjen dhe përkrahjen në çfarëdo mënyre të pjesëmarrjes së shqiptarëve në terrorizmin e ISIS-it, por nuk e pranoj as Zyrën, në të vërtetë Qendrën që ka hapur Dom Lush Gjergji për konvertimin e shqiptarëve të besimit mysliman në Kosovë.”
Një zyrë që hapet për konvertime, nuk hapet për të marrë musliman, por për të përfituar ata që kanë braktisur religjion e vet. Konvertimi i besimtarit është i pamundur. Në vendin demokratik qytetari i moshës madhore mund të vendosë vet. Derisa bëhet në mënyrë paqësore, nuk mund ta ndalojë demokracia. Kushtetuta në demokraci lejon konvertimin. 

Në Gjermani nga mosha 14 vjeçare. Apeli Qosjes është kundërkushtetues dhe sjellje prej tutori. Thirrja e tij nuk dallon nga thirrja e një hoxhe. Misionarizëm bëjnë edhe turqit dhe arabët në Gjermani dhe askush nuk irritohet. Qosja në vend se të pezmatohet që shoqatat arabe po sulmojnë islamin tradicional shqiptar, identitetin shqiptar, ai desh pëlcet nga inati, pse një prift shqiptar, mundëson konvertimin. Siç lexuat më lartë për R. Qosjen rrezikun nga ISIS dhe rreziku nga Dom Lush Gjergji, qenka i barabartë. Ai nuk shqetësohet për popin grek që po greqizon jugun, por i pengon një prift shqiptar në Prishtinë. Reagimi tij është i denjë për teokracinë...Sidoqoftë, nëse Rexhep Qosja nuk jeton në shekullin tonë, nëse Rexhep Qosja bën apele në kundërshtim me ligjin, nëse ai nuk ka fuqi për ta perceptuar demokracinë, atëherë sa është objektive pritshmëria se pjesa dërmuese e popullit jeton në këtë shekull, në vitin 2014?

Pra, një popull mund të kuptojë shekullin e vet vetëm duke u bazuar në mendësinë e tij dhe rryma e reja që kanë depërtuar në gjirin e tij. Një popull mund të quhet popull i këtij shekulli, kur ai jeton në bazë të normave të këtij shekulli dhe respekton ligjet e këtij shekulli. Ai që jeton duke respektuar ligjet, zakonet, bindjet e shekujve të kaluar, ai njeri fizikisht është i pranishëm sot, por mendërisht i syrgjynosur në shekujt e kaluar. Ai është kompatibël me popujt e vdekur, jo me të gjallët. Kjo gjendje, rezistenca ndaj kushtetutës, jo vetëm se është vepër penale, por krijon iluzione tek njeriu se gjoja ai me konzervatizmin e vet, ka vlera më të mëdha njerëzore. E në fakt, ai nuk jeton jetën e vet, por jeton jetën e atij që ka shpikur atë mendim.

Po si mund t' i përgjigjemi pyetjes së Xh. Ahmetit? A jemi në shekullin XXI? Në shekullin XXI jetojnë vetëm ata që edhe në shtëpi jetojnë duke respektuar ligjet që kanë votuar Kuvendet shqiptare. Një pjesë jeton e gjallon në shekujt e kaluar dhe atje mund të gjenden ulur galuc. Një pjesë herë atje, herë këtu. Një pjesë shumë atje, e pak këtu. Një shtresë tek Lekë Dukagjini e kështu me radhë. Vetëm kur shumica e një populli jeton konform kushtetutës, vetëm atëherë mund të thuhet se jemi në shekullin tonë dhe në vitin 2014. Të tashmen dhe të ardhmen e fitojnë vetëm ata që jetojnë epokën e vet. Ecja para mund të pengohet por koha dhe ndryshimi, nuk mund kurrë të ndalet. Sikur ta kishin pasur ata këtë fuqi penguese, do të kishim ngelur akoma mbi gomar. Kjo do t' ishte në kundërshtim me evolucionin...

Gazeta Sot


Keine Kommentare: