Dhjetëra
herë kam lexuar këtyre viteve deponime poetësh dhe shkrimtarësh,
që shkruajnë kundër “poetëve” dhe “shkrimtarëve” të
facebookut. Para nja dy javëve lexova edhe një artikull tek “Zëri” me titull: “Një popull shkrimtar.” Nuk kuptohet
frika. Nuk arsyetohet alarmi. Nuk merret vesh qëndrimi ironik dhe
sarkazmi.
Më
habisin këto revolta në një rend demokratik. A është në pyetje
një shpërthim mallëngjimi ndaj metodave komuniste të mbikëqyrjes,
të avangardës dhe disiplinimit, apo bindje të vjetra të mbetura
pezull dhe bartura pavetëdijshëm në demokraci? A thua po na mungon
partia, që priste me sëpatë artin e vërtetë nga ai reaksionar? A
thua po na mungon autoriteti absolut, sepse demokracia po na duket e
keqe dhe në këtë rend po përdor lirinë çdo njeri, edhe ai që
sipas aftësive tona nuk ka një koncept të qartë mbi lirinë dhe
nuk e meriton atë?
Kush ka
të drejtë t' i tregojë tjetrit se çfarë duhet të bëjë, çfarë
të shkruajë? Kush ka të drejtën e tutorizmit? Kush ka këto
atribute? Partia?
Shkrimtari
dhe poeti i vërtetë nuk mund të ketë frikë nga një poet apo
shkrimtar i facebook-ut, ashtu si një filozof që nuk ka frikë, kur
një njeri anonim thotë një mendim të mirë apo të keq. Ne
dëshiruam lirinë e të menduarit dhe të shprehurit, nëse kërkojmë
t' ia anulojmë dikujt tjetër sepse ne jemi të bindur se ai nuk
di të shkruajë, atëherë shfaqet tjetri dhe përpiqet t' ia
pezullojë edhe atij që din, sepse tek ne gjithmonë gjendet dikush,
që din dhe kupton më mirë dhe më shumë se tjetri.
Është
koha kur njerëzit kanë zvogëluar të folurit, por rritur të
shkruarit. Askush nuk dëmtohet nëse të gjithë shkruajnë poezi
apo të gjithë bëhen shkrimtarë. Aq sa më shumë të rinjtë
përpiqen të shkruajnë poezi, aq më shumë lexohen poetët e
suksesshëm. Në fb nuk shkruajnë vetëm shqiptarët, por të gjitha
kombet. Dhe fundi i fundit, me domestikimin e kafshëve të egra në të
kaluarën, nuk janë bërë të gjithë çoban, as sot nuk do të
bëhen të gjithë shkrimtarë. As droja, as tallja nuk mund të
përligjet.
Poetët
dhe shkrimtarët e fb përpiqen të mësojnë nga poetët dhe
shkrimtarët e vërtetë. Këta poet të vegjël lexojnë poetët e
mëdhenj. Nëse ata shajnë dhe qortojnë këta shkrimtarë online,
atëherë këta të fundit mendojnë se po shkruajnë mirë dhe po
smirohen prej tyre dhe fundit i fundit, për vlerën e vërtetë të
një poeti apo shkrimtari, flet shitja e librave, jo cilësori poet
pas emrit apo para tij. Nëse ata qortohen, atëherë poeti qorton
lexuesit e vet. Ky është bumerang.
Tek ne
për fat të keq as kritika nuk flet për vlerat e librit, por është
tregues i raporteve të shkëlqyeshme në mes shkrimtarit dhe atij që
shkruan një kritikë letrare. Ndoshta kjo është arsyeja pse njeriu
ka frikë të blejë një libër bazuar në kritikë. Ndoshta kjo
është arsyeja pse shumë shkruajnë. Çdonjëri ka një mik.
“Liket” e pasinqerta nuk u mungojnë as shkrimtarëve të
facebookut as atyre të vërtetëve. Shkurt e shqip: askujt.
E. L.
James u bë shkrimtare e njohur në botë duke shkruar në internet.
Ata që përpiqen të shkruajnë, ata edhe lexojnë, ata që nuk
shkruajnë kurrë, ata nuk lexojnë kurrë: nuk i lexojnë as
shkrimtarët e facebookut, e as ata të jashtmit. Nëse edhe nga fb
nxirret një shkrimtar apo një poet, atëherë ia vlen të
shkruajnë. Ai që shkruan përdor vetëm lirinë e vet, të
garantuar me kushtetutë dhe nuk dëmton njeri. Askush nuk ka të
drejtë të qortojë lirinë e tjetrit e as të përpiqet ta
pezullojë atë. E as t' i konsiderojë si debil dhe t' u tregojë se
çfarë duhet të bëjnë me jetën e e tyre.
Në
facebook gjendet çdo gjë dhe gati është zhdukur sfera private. Ka
poetë që shkruajnë për familjen e vet, tjetri për miqtë e vet,
tjetri për vete, mirëpo në facebook ka vend për të gjithë si
për poetët e vetëshpallur, për ata që mendojnë se janë, por nuk janë, ashtu edhe për ata që ekziston bindja
e përgjithshme se meritojnë të quhen poet. Aq sa më shumë
shkruhet një gjuhë, aq më mirë për atë popull. Aq sa më shumë
shkruajmë, aq më pak kohë do të kemi për djallëzi.
Shkrimtarët
dhe poetët nuk duhet të ndihen të dëmtuar, të rrezikuar nëse
çdo kush shkruan. Tregu kujdeset për filtrim. E mira gjithmonë
mbijeton dhe do të lexohet, pa marrë parasysh kush e shkruan,
shkrimtari i vërtetë apo ai që beson vet në aftësitë e veta.
Shumë herë lexoj mendime më të thella, më filozofike nga njerëz, që ndoshta kanë
mbaruar shkollën e mesme apo filloren, sesa nga të ashtuquajturit intelektual.
Le të
shkruajnë të gjithë. Le ta thonë të gjithë mendimin e vet, me
vargje apo në prozë, kjo nuk ka rëndësi, me rëndësi është më
shumë të lexojnë, më shumë të shkruajnë: të mos shajnë, të mos shtypin, të mos diskriminojnë, të mos rrahin, më pak të
smirojnë, më pak të xhelozojnë dhe, të dashurojnë më shumë
dhe respektojnë lirinë e tjetrit. Lirinë si pasurinë më të
madhe, që ka njeriu në tokë. Lirinë dhe autonominë private, të
çdo njeriu, pa marrë parasysh seksin, orientimin apo bindjet tjera.
Ky është viti 2014.
Facebook
nuk është akademi, nuk është fakultet, nuk është amfiteatër,
nuk është teatër, por vend ku takohen njerëzit, si në rrugë, si
në kafene, si në diskotekë, si në spital, si në ndeja pasdarke,
si në shesh, si në kino apo si para televizorit. Dhe, sjellja e
këtyre njerëzve nuk ndryshon nga sjellja e tyre në shtëpi apo
jashtë, sepse janë po ata njerëz dhe jo diçka tjetër. FB ka
paraparë se mund të ketë njerëz që nuk pajtohen dhe prandaj ka
mundësuar edhe shkyçjen dhe shpërfilljen e kësaj bote virtuale.
Tek ne ka më shumë gjëra për t' u kritikuar se sa lavdëruar, por
është ofendim dhe denigrim të thuhet se jemi "popull dajrexhi e një
popull letrarxhi."
GAZETA DITA
2 Kommentare:
Koment tek DITA:
Cibuku
Nje pene e mrekullueshme si e Naser Aliut, s’duhet te konsumohet me hajvanlliqe te tilla. Kush ua preu te drejten poeteve te FB? Te shkruajne sa te mundin.
Koment tek Dita
gjermani i fundit
shkrim i mire. Ku ta gjesh qe fejsbuku te teproje nga vargjet, sado qe e shumta jane tallash, por sidoqofte me mire se te mbushin lokalet.
Kommentar veröffentlichen