Nxënësja
kërkon sqarim për testin e historisë, arsimtari
e rrah brutalisht. Po pasojat, po prokuroria? Nuk ka pasoja në
Kosovë, i është ndërruar vetëm vendi i punës arsimtarit dhe
paska kërkuar falje. Merreni me mend, ta rrahë një arsimtar
fëmijën, një arsimatar që duhet t'ua mësojë mos ushtrimin e
dhunës, dhunon nxënësen dhe kërkon falje. Kaq. Në vend se të
përjashtohet nga arsimi ai dhunues, Drejtoria e Arsimit dërgon atë
mujshar në një shkollë tjetër. E shpërblen. Nxëneset
thonë se nuk ishte hera e parë.
Nuk
është çudi. Kosova është bërë sallamadi republikë e
rrugaçëve. Në kohën e Serbisë ka qenë e ndaluar rrahja në
shkolla, në kohën e patriotëve shqiptarë, qenka e lejuar dhe
arsimtarit dhunues, i falet një vend tjetër i punës, pa dhënë
asnjë sqarim, a ishte ai vend i zbrazët, apo e punësuan pa pasur
nevojë.
Nuk
meriton shkarkimin nga detyra vetëm arsimtari dhunues, por edhe
Drejtori i Arsimit, që fliste në tv, sikur të shpjegonte një
gazmore, jo një rrahje brutale nga një njeri, që paguhet për të
edukuar, jo për t' u sjellë si polic i Millosheviqit. Ai paguhet
edhe për atë orë deri sa ka rrahur nxënësen.
Njeriut
duhet kërkuar falje, kur pa dashje i shkelet këmba, por jo kur e
godet me shqelma vajzën e përplasur në dysheme nga shuplaka. Ky
rast tregoi se fëmija në Kosovë nuk ka të drejta elementare dhe
se rrënimi, poshtërimi i dinjitetit të tij, nuk mbrohet me ligj.
Zhvendosja e arsimtarit nga shkolla në shkollë, nuk është metodë,
që mund të parandalojë dhunën kundër nxënësve, por është
motivim. Kosova ka edhe Ministër të Arsimit sa për sy e faqe. Në
një shtet normal, heshtjen e tij do ta kishte paguar me dorëheqje.
Ai dëshmon në fakt se nuk është Ministër i Arsimit dhe
arsimtarëve, por i rrugaçëve. E kush është Ministër? Arsim
Bajrami dhe tek faqja e Kryeministrisë
nuk ka as dy rreshta biografi, si edhe tek shumë ministra tjerë:
nuk dihet kur dhe ku kanë lindur, në
cilin fakultet kanë studjuar,
çfarë kanë studiuar. Biografitë e
ministrave janë sekret, ashtu si mafiozët
në detyrë, që nuk publikojnë biografitë
e veta para popullit.
Në
Republikën e Rrugaçëve, prokuroria është organ humoristik, që
shkokëlohet së qeshuri me ngjarjet në popull. Zbatimi i ligjit,
konsiderohet shtirje, tradhti, jo atdhetarizëm. Në Republikën e
Rrugaçëve, nuk dihet kush çfarë ka studiuar, kush ka blerë
diplomë, kush ka blerë doktoraturë, kush është vërtetë
edukator, e kush çoban. Në Republikën e Rrugaçëve, nuk jetohet
konform ligjeve, por sipas bindjeve fikse. Aty nuk dinë as sa banorë
kanë brenda, as sa kanë jashtë. Aty ka vetëm fjalë, pallavra dhe
vetpasurim. Në Republikën e Rrugaçëve, nëse nuk je rrugaç, je i
pamoralshëm dhe të han dreqi. Aty përfitohet vetëm me servilizëm.
Vend ideal për puthadorët. Aty nuk duhet dija, por aftësia
zvarritëse dhe lëpirja. Aty politikanë kanë këshilltarë më
idiot, më injorant se vetja.
Rrahja
e asaj nxënëse tregon se sa vlerë ka gjinia femërore në Kosovë.
Si mund ajo të trajtohet edhe në shkollë, edhe në vend të punës,
edhe në shtëpi. Arsimtarët e tillë janë duke shkatërruar
edukatën e fëmijëve dhe krijojnë njerëz, që nesër do t' i
shohim në politikë pa karakter të vetin, pa dinjitet dhe pa sedër.
Rasti i asaj nxënëse tregon se si trajtohet fëmija në Kosovë.
Cilat janë të drejtat e tij dhe cilat janë detyrat e edukatorit,
të cilin e paguan populli për t' i bërë poçavër fëmijët.
Një
vajzë e rrahur në klasën e tetë për tërë jetën ngelet e
traumatizuar: e rrahur dhe rrëzuar për tokë nga arsimtari. Në një
shoqëri ku fëmija rritet me dashuri, ajo vajzë do të dërgohej
tek psikologu për ta përpunuar atë poshtërim shpirtëror publik.
Në Kosovë mirëpo fëmija nuk ka dinjitet njerëzor dhe mund të
trajtohet me të njëjtët metoda, me të cilat ndalohet të
trajtohet kafsha në Perëndim.
Kjo
është Kosova e vitit 2015. Nuk dihet kush ha e kush pi. Nuk merret
vesh asgjë: as kush është i mirë, as kush është i keq. Të
gjithë janë tradhtarë, të gjithë janë patriotë, por kanë
harruar një gjë thelbësore: atdhetari jep çdo gjë atdheut, por
nuk i merr asgjë. Dhe, desh u bënën të gjithë veteranë. Nuk
kuptohet as pse gjykon njëri ashtu, pse tjetri na habit me
mutacionin. Pse brenda natës ndryshojnë qëndrime, programe duke
shpërfillur interesin nacional dhe arsyetuar vetëm atë vetjak.
Sikur Arsim Bajrami të ishte vërtet Ministër i Arsimit, vërtet
burrë, do të jepte dorëheqje, sepse nuk është nder të jesh
ministër i arsimtarëve, i burrave që abuzojnë me vajza, i
arsimtarëve, që janë më rrugaç se rrugaçët: i arsimtarëve, që
sillen ndaj xënësve shqiptarë siç sillej dje policia serbe.
Ashtu
si ka dëmtuar ata arsimtarë policia serbe, ashtu po dëmtojnë
brezin e ri arsimtarët e padijshmëm. Ata po mësojnë nxënësve
ushtrimin e dhunës, jo vetëm në shtëpi, por edhe në vende
publike.
gazeta SOT
gazeta DITA
gazeta BLIC
gazeta BLIC
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen