Shtypi
gjerman bënte të ditur se Greqia kishte pasur më shumë se 767.000
nëpunës në administratë, por pak më shumë se 250 punonjës si
inspektorë të financave, që merren me mospaguesit
e taksave. Gjithashtu njoftohet se iu falën Greqisë vitin e kaluar
190 milion euro për ta ndërtuar administratën e kadastrës, që
Greqia nuk e poseduaka. Paratë janë vjedhur u tha në televizionin
publik në një debat, por administrata nuk është krijuar.
Borxhet
greke kapin shumën marramendëse
prej 317 miliardave. Kjo shumë nga ekonomia greke nuk mund të
kthehet kurrë. Këtë dinë edhe huadhënësit, por sigurisht
qëllimi tyre nuk do të jetë të shlyhen borxhet dhe ndihmohet
Cipras me aleancën e tij të çuditshme nga dy spektre ekstreme
zakonisht të pappajtueshëm në mes vete.
Vendet
e Europës perëndimore besojnë se ajo që firmoset, edhe zbatohet.
Kështu mirëpo shpesh nuk funksionon
fiqiri i Ballkanit. Dihen mirë nënshkrimet e Millosheviqit,
që akoma pa u tharë boja në letër, shkelej marrëveshja. Një
popull me diku njëmbëdhjetë milion banorë, ndoshta me dy milion
banorë të rinj dhe të papunë dhe ndoshta diku me dy milion
pensionistë, ka apo kishte gati 800.000 nëpunës në administratë.
Nëse supozimi prej katër milionëve të rinj dhe pleq mund të
merret si përafërsisht i vërtetë,
atëherë në administratë punon diku çdo i nënti grek, pra që
nuk prodhon, që nuk shet gjë, por duhet paguar
nga taksapaguesi, që detyrimin ndaj shtetit nuk e merr aq
seriozisht.
Populli
grek i ka borxhe shtetit 76 miliardë euro. Nëse i shtohet atij
numri edhe numri i pensionistëve të parakohshëm, atëherë borxhi
mund të kapet me shqisa. Nëse asaj armate burokratësh i shtojmë
edhe kishën greke të privilegjuar, që nuk paguan taksa dhe nuk jep
asnjë kontribut material për shtetin grek, atëherë mund të
merret deri diku me mend arsyeja e fundosjes, por kjo nuk është
krejt, qe raportuar më herët edhe për diku 10.000 pensionistë të
vdekur, por pasardhësit e tyre merrni pension e të ndjerëve.
Pastaj duhet shtuar edhe privilegjin e ujdhesave dhe investimet në
armatën greke me përqindje më të madhe se të Gjermanisë.
Kjo
domethënë se populli grek me vite u mësua të jetojë, jo nga puna
e vet, por nga borxhet. Kryesisht nga viti 2010 e këtej. Në kohën
e drahmës problemi i mungesës së parasë mbulohej me shtypjen e
kartëmonedhave, siç bënte edhe Italia, Spanja, Portugalia...Tani
banka gjendet në Frankfurt dhe nuk mund më shtypen si dikur.
Praktikisht euro ishte dëmtues për ekonomitë me administratë jo
solide dhe jo efektive, ku shtetin përjetojnë si vetëshërbim. Kjo
kryesisht në vendet e Europës juglindore. Mund të thuhet se në
vendet veriore të Europës, shteti konsiderohet si baba i dytë, që
ka për detyrë mirëqenien kolektive, ndërkaq në Ballkan shteti
përjetohet si lopë apo si buallicë që duhet mjelë: aq sa më
afër lopës, aq edhe më të pasur dhe aq më shumë të mbushur
kavanozët.
Euro jo
vetëm se ka dëmtuar ekonomitë të tilla, por edhe ka ndikuar në
rritjen e çmimeve, pra ka dobësuar standardin e jetës. Gabimi
tragjik ishte pranimi i euros nga ekonomitë, që nuk janë
rregulluar si ato të Europës veriore. Europa juglindore nuk është
mësuar si ajo veriore të zbatojë ligjin. Euro nuk ishte vendim
ekonomik, por thjesht politik i parahedhur dhe imponuar nga
ndërmarrjet e mëdha. Edhe në Gjermani euro ka ndikuar në rritjen
e çmimeve. Sot kushton gati 11 DM një paketë cigare dhe benzina 3
DM apo më shumë. Me DM kjo do të kishte qenë e pamundur.
Greqia
vështirë të shpëtohet. Do të marrë akoma kredi dhe një ditë
duhet t' ia falin të gjitha dhe mjaft që të mos kërkojë më, por
sigurisht kjo qeveri nuk do të jetë. Populli grek gjendet para një
beteje të madhe për të mësuar shtetin modern. Dhe, kjo nuk bëhet
brenda një viti apo dekade. Iu bashkëngjitën euros me manipulime,
duke menduar se do të braktisin mendësinë ballkanase, por siç
mund të pranohet apo vidhet monedha, nuk mund të përvetësohet dhe
mendësia.
Dikur
Greqia kërcënohej me daljen nga euro, kur ministri i financave
gjermane kërkoi, ata u barrikaduan për mbetje. Cipras mbajti
referendum për të refuzuar kërkesa më pak të ashpra, tani
firmosi urdhra më të rënda dhe, edhe pse e votuar në Kuvend,
nuk do të zbatohet as kjo marrëveshje. Ai bindi popullin të mos
pranoheshin kushtet, tani përjashtoi funksionarët që ishin kundër
marrëveshjes së parë dhe të dytë. Mbajtja e referendumit ishte
një reaksion populist majtist. Nuk është logjike të mbahet
referendum për paratë e huaja. Edhe ata që garantojnë apo
ndihmojnë Greqinë, edhe ata kanë popull pas vete dhe nëse do të
pyeteshin, Greqia do të përjashtohej jo vetëm nga monedha e
përbashkët. Marrëveshja mirëpo nuk do të zbatohet për mijëra
arsye, por edhe për arsyen e thjeshtë se kanë firmosur të
detyruar, jo pse kanë dëshirë vërtetë të ndryshojnë diçka.
Derisa Greqia nuk kërkon fajet brenda vetes dhe akuzon të tjerët,
nuk do të jetë në gjendje ta ndryshojë zakonin.
Për
Ballkanin dhe veçanërisht për Shqipërinë shpëtimi i Greqisë
është pjesë e interesit nacional. Falimentimi grek nëse nuk sjell
një çrregullim më të madh, mund të ndikojë edhe në dobësimin
e ekonomisë shqiptare dhe rritjen e papunësisë.
Gati
317 miliard euro borxhe. Për kokë banori Greqia ka 28.836,52, ose
173 % të bruto prodhimit . Të ardhurat për kokë banori
janë 16.578. Italia ka më shumë
se 2.000 miliarda borxhe. Borxhet e shtetit në përqindje të bruto
prodhimit: 132%. Të ardhurat
vjetore për banor 26.793. Franca ka
gjithashtu më shumë se 2.000 miliarda borxhe. Përqindja e borxheve
95 % e bruto prodhimit. Të ardhurat vjetore
për banor 32.917.
Spanja më shumë se 1.000 miliarda. Borxhet e shtetit në
përqindje të bruto prodhimit 98 %. Të ardhurat për kokë 23.091
euro. Austria 285 miliarda. Përqindja e borxheve sipas bruto
prodhimit 85 %: Të ardhurat vjetore për
kokë banori 39.076. Gjermania ka mbi 2.000
miliardë. Në përqindje të bruto prodhimit 72 %. Të ardhurat për
kokë 36.695. Portugalia ka më shumë se 224 miliardë. Borxhi
shtetëror në përqindje të bruto prodhimit 127 %.
Të ardhurat vjetore për banor: 16.868. Borxhet e SHBA-ve: më shumë
se 18.000 miliardë...
Në
portalin
e buxheteve mund të vërehet se gjitha
shtetet e Europës notojnë mbi borxhe.
Ekonomistët shpesh në debate përsërisin se pa kredi,
ekonomia nuk ecën para. Madje një
profesor gjerman, që punon në Francë, qortoi qeverinë gjerman pse
nuk merr hua 200 miliarda në vit për investime. Kur
shikohen ata numra, që ndryshojnë me qindra apo mijëra euro për
sekondë, dhe kur shikohet se gati gjitha
shtetet e botës kanë borxhe të mëdha, atëherë
mund të thuhet se po jetohet duke rrezikuar
ardhmërinë dhe duke luhatur
stabilitetin dhe paqen.
Greqinë
mund ta shpëtojë disciplina, pagimi i taksave, puna dhe respekti
ndaj shtetit, por me këto cilësi, për fat të keq, patriotët e
Ballkanit, nuk janë të stolisur. Qeveria
greke sillet si edhe lypsi tek një
anekdotë e Voltaireit. Ata nuk duan këshilla e rekomandime, por
lekë, përndryshe mbajnë referendum dhe
refuzojnë kushtet, por jo paratë.
Mbetet të shihet në tre vitet e ardhshme
a do të mësojnë vallzimin e valsin
grekët, apo do të vazhdojnë me sirtakin...
Gazeta Sot
Zëri
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen