27.09.2015

Haradinaj ka të drejtë, Bota Sot

Kudo në Europë kleri paguhet nga shteti. E kanë bërë të gjithë edhe në kohën komuniste, përjashtim bënte Shqipëria. Përjashtim bën sot Franca, kur për shkak të historisë, laicizmit, shteti ka vijëzuar një ndarje më të rreptë me religjionin. Aty ata financohen nga besimtarët. Një kler që nuk financohet nga populli i vet, financohet zakonisht nga jashtë. Nëse financohet nga jashtë, atëherë populli shumë herë mund të trishtohet me mendimet e tyre, me botëkuptimet e tyre sepse ata do të jenë të detyruar të shprehin mirënjohjen dhe përkulshmëri ndaj financuesve dhe bazuar në rrogë, do të konsiderojnë shefa të vet paradhënësit. Nuk do të jetë vetëm kleri i financuar, por ajo mënyrë nëpërmjet tyre vazhdon edhe tek njerëz tjerë, që nga ateistë të rreptë, shndërrohen në besimtarë të devotshëm, derisa nuk shfaqet paguesi tjetër. Nëse ata luftojnë interesat nacionale, bëjnë këtë sepse mbijetesa e tyre dhe jeta nuk financohet nga populli dhe vendi ku jetojnë, por kundër popullit, mund të pozicionohen shumë lehtë. Kosovës i duhet një ligj, që ndalon financimin nga jashtë. I duhet një ligj që obligon klerin për respektimin e Kushtetutës, ashtu si në Europë, ku nuk lejohet predikimi kundër rendit kushtetues, çfarë në Kosovë e bëjnë: me ide, me ligjërime, me shkrime dhe me vepra.

Kosovës i duhet një ligj, ku fetarët regjistrohen dhe paguajnë çdo muaj një shumë të caktuar, me të cilat pastaj ata dëmshpërblehen dhe të gjitha ceremonitë tjera fetare për paguesit e rregullt, do të jenë falas, siç është edhe në Gjermani. Ashtu luftohet edhe korrupsioni dhe futja e parave në xhep dhe pengohet mosdeklarimi i të ardhurave dhe pagimi i tatimeve në fitim.

Kosova duhet domosdoshmërish ta ketë atë ligj, sepse një institucion fetar nuk mund të jetë organizatë e pavarur, një OJQ, shtet në vete, kur dihet se është në shërbim të besimtarëve vendas. Kosova nuk duhet të rregullojë me ligj vetëm rrogat e klerit myslimanë, por edhe të atij katolik dhe ortodoks. Tani për tani kemi pjesëtarë të klerit mysliman dhe ortodoks që predikojnë hapur kundër interesave nacionale. Kundër bashkëjetesës. Kundër rendit kushtetues, kundër lirive dhe të drejtave të njeriut, kundër barazisë gjinore. Ata predikojnë edhe racizmin. Në shtetet ligjore kjo është e palejueshme dhe e pamundur. Në fakt nuk është çudi pse ndodhë në Kosovë, kur shteti nuk dinë nga kush financohet kleri saj. Kur shteti lejon që shef i tyre të bëhet dikush jashtë - fakt që mund të kuptohet nga ligjëratat e tyre dhe madhërimin i shefave të jashtëm – atëherë do të durojë edhe përzierje flagrante brenda.

Në kohën e Jugosllavisë janë paguar të gjithë nga “shoku” Tito” (Fran Buzhala) dhe gati të gjithë kopeisht, i shërbenin vetëqeverisjes, komunizmit jugosllav dhe të gjithë, patën qarë për vdekjen e ateistit dhe komunistit Tito, prandaj qenë radhitur në rreshtin e parë gjatë varrimit të tij. Nëse Kosova nuk zgjidhë këtë çështje si vendet tjera europiane, atëherë jo vetëm se do të ketë njerëz që madhërojnë dhe idealizojnë dhe hyjnizojnë diktatura teokratike, por do të vazhdojnë dhe me shpëlarjen e trurit tek të rinjtë, si dhe me indoktrinimin e tyre kundër demokracisë.

Çdo religjion mund të ketë mendime që nuk i përshtaten moralit tonët të sotshëm. Ato mendime nuk guxon të predikohen sepse i ndalon Kushtetuta. I ndalon në Perëndim. Në Kosovë vetëm në letër. Në Ballkan vetëm në letër. Kosova nuk ka akoma shtet, por është thjesht një improvizim i shtetit, por ai ligj i duhet. I duhet për t'ia vizatuar së paku brezit të ardhshëm shtetin e vërtetë. Pra jo vetëm se duhet të paguhen nga shteti, por shteti duke financuar ata, cakton edhe normat se kush nuk mund të bëhet drejtues i besimtarëve.

Meqenëse as Enver Hoxha nuk arriti të zhdukë religjionin, atëherë bashkëjetesa duhet vazhduar në korniza ligjore. Besimtarët janë aty, kleri është aty dhe të gjithë duhet t'i binden Kushtetutës në fuqi, jo të propagandojnë ide antikushtetuese. Kjo mund të arrihet vetëm nëse obligohen ta respektojnë rendin dhe popullin nga i cili do të jetojnë. Në Perëndim nuk do t'i lejohej një prifti të thotë se Filanes nuk i lejohet të martohet me myslimanin, ose me budistin. Nuk mund të predikojë në kishë racizmin apo nxisë urrejtje fetare ndaj besimeve tjera, nuk guxon të flasë kundër orientimit seksual, nuk mund të flasë kundër kombeve tjera, nuk guxon të flasë kundër barazisë gjinore para besimtarëve dhe natyrisht, nuk i lejohet të gërmojë në themelet e demokracisë. Ky rregull ndërtohet vetëm, kur kleri paguhet nga besimtarët e vet. Ka disa modele në Europë, që mund të merren si bazë: ai francez, ai italian, ai gjerman etj. Kur paguan dikë shteti, mund t'i japë edhe urdhra, kur nuk i paguan, atëherë ata i japin urdhra politikës. Duke pasur këtë gjendje që kemi dhe pavarësinë tërësore të klerit nga shteti, politikanët janë shndërruar në zvarranikë të klerit, sa për çdo festë, ata me krejt pushtetin e veshur nga populli dhe të votuar me vota, pra përfaqësuesit e shtetit laik, shkojnë dhe zvarriten para klerit të pa votuar, çfarë nuk bën asnjë politikanë në Perëndim. Pra, Haradinaj ka të drejtë dhe në të ardhmen, mund t'i kthehet dinjiteti edhe politikanit. Nëse në këtë brez jo, së paku të normëzohet për brezin e ardhshëm.

Bota Sot

Keine Kommentare: