Ka
disa vite që shtypi gjerman akuzon Erdoganin për rrënimin e
demokracisë, për diskriminimin e kurdëve, për prishjen e
armëpushimit me ta, për burgosjen e gazetarëve, për ligjin mbi
terrorizmin, për lejimin e kalimit të kufirit nga terroristët, ose
për tregtinë me Kalifatin. Herë e quajnë despot, herë sulltan,
herë diktator, herë Putin. Jo pak herë është kritikuar për
bombardimin e kurdëve, të cilët luftojnë terrorizmin dhe janë
armatosur nga Perëndimi.
Me poezinë satirike në Gjermani, u
arrit kulmi, sa Erdogani, deponoi ankesë në gjykatë. Shumë
publicistë vlerësuan reagimin e tij si përpjekje për ta kufizuar
mendimin e lirë në Gjermani. Qeveria premtoi se atë ligj, i cili
sanksionon denigrimin e personaliteteve politike të jashtme, do ta
abrogojë. Marrëdhëniet u acaruan akoma më shumë kur Bundestagu
aprovoi një rezolutë, e cila pranon se Perandoria Osmane, kishte
bërë gjenocid ndaj armenëve. Duket se ajo rezolutë, ëishte më
tepër instrumentalizim dhe një 'kryengritje' kundër kancelares
Merkel, e cila sipas Erdoganit, paska premtuar pengimin, se sa kundër
Erdoganit. Ajo në Bundestag nuk mori pjesë, si edhe zëvendësi i
kancelares Sigmar Gabriel dhe Ministri i Punëve të Jashtme
Steinmeier.
Gjermania pat shpërfillur thirrjet greke dhe
italiane, që kërkonin ndihmë për t'u përballur me refugjatët
para tre viteve. Shteti i qasej atëherë marrëveshjes së Dublinit
dhe ngulte këmbë se azilkërkuesi, duhet të strehohej në vendin e
parë të BE-së, ku ai ka hyrë. Deri në verën e kaluar, kishte më
shumë refugjat nga Ballkani se sa nga Lindja. Mundësia për të
gjetur punë, ishte relativisht e mirë. Me rritjen e numrit të
refugjatëve nga Lindja si dhe shpallja e vendeve ballkanike si vende
të sigurta, nisi kthimi i nxituar i tyre.
Erdogani ndjehej i
braktisur nga Perëndimi. Në fillim provoi miqësinë edhe me Rusinë
dhe u përpoq për një treg aziatik. Nuk gjeti mbështetje. Në fund
i lindi një ide 'gjeniale' dhe hapi kufirin, ku dhjetëra mijëra
refugjatë në ditë, kalonin diku kufijtë e Europës. Vetëm në
Gjermani më shumë se një milion. Kjo gjendje faktorizoi përsëri
atë dhe ndikoi në pezullimin e Marrëveshja së Dublinit, sa
Gjermania, pranonte refugjatët edhe nga Austria. Merkel mirëpo
shpresonte se do të merrnin mijëra refugjatë edhe vendet tjera,
por edhe pse premtuan, praktikisht, nuk e bëri asnjëri. Ndërkohë
Erdogani i bëri me dije Perëndimit se Turqia do të ndjekë rrugën
e vet. Në fakt, pranimi i vlerave europiane, mund edhe ta
çrregullonte shtetin turk, ndoshta edhe jo nëse ka barazi, por me
diskriminim e kurdëve, ndarja do të jetë e sigurt, por jo viti.
Nuk ka asnjë dyshim se pas rrëzimit të avionit rus, Putini do të
veprojë në prapaskenë dhe mbështesë kurdët.
Davutoglu u
tërhoq i pa dinjitet dhe për keqardhje, me një deklaratë gati si
e Kadri Hazbiut. Ai disa ditë para, kundërshtoi kushtetutën
islamike. A ishte kjo arsyeja e dorëheqjes së imponuar, - edhe pse
sipas kushtetutës së sotshme turke, ai kishte më shumë pushtet se
Erdogani - nuk dihet, por shkaktare mund të jetë edhe marrëveshja
me BE-në, ose mospajtime tjera, sidoqoftë largimi tij me lepe e me
peqe, ishte i çuditshëm për një vend demokratik, shoqëruar me
një servilizëm tragjikomik.
Me refugjatët Erdogani përfitoi
6 miliard euro. Pas miliardave, u mbyll edhe kufiri. Marrëveshja me
të u konsiderua edhe si nënshtrim, por Merkel, mundësi tjetër nuk
kishte, sepse vazhdimi i ardhjes së refugjatëve, përforconte akoma
më shumë të djathtën ekstreme gjermane dhe përçante shoqërinë.
Në Austri për herë të parë pas LDB, gati fitoi postin e
kryetarit një ekstremist i djathtë.
Shkurt e shqip, Europa
po shtiret se është çdo gjë në rregull, por në fakt, pak gjëra
funksionojnë si duhet. Hungaria dhe Polonia janë hapur kundër
politikës së kancelares. Vendet tjera nuk treguan solidaritet me
të. Erdogani në anën tjetër, duket se ka ndërmend të islamizojë
shtetin dhe përmbushë një premtim të bërë para se të burgosej
në fund të viteve të 90-ta.
Pse u konvenon partive
nacionaliste në BE rruga turke e Erdoganit? Sepse ai do të
ndryshojë legjislaturën, do të mbështetet në traditën osmane
dhe islame dhe ajo rrugë, do të pamundësonte integrimin e Turqisë
në BE. Ardhja e refugjatëve ndikoi në rritjen e partive radikale.
Se Europa do krijojë një front antiturk, nëse fitojnë ato parti,
nuk ka asnjë dyshim, por se edhe do të rrezikohet ky projekt
humanist europian, edhe këtu nuk ka dyshime. Radikalizmi në Europë
mund të rritet në mënyrë teatrale, nëse fiton Trump në SHBA.
Pas fitores së tij, nëse mbetet me qëndrimet e tanishme, do të
prishen edhe shumë aleanca dhe ndërtohen të reja..
Perëndimi
duket se po bëhet pragmatik dhe kupton se demokracia, nuk është
vetëm çështje ligjesh, por shumë më tepër botëkuptimi dhe
iluminizmi. Vendet e Lindjes kanë pasur rrugëtim tjetër dhe akoma
nuk kanë Descartin e tyre, nuk kanë Galilein, Kopernikun e Giordano
Brunon. Nuk kanë Voltairein, Montesqieu dhe Rousseau. Nuk kanë një
Diderot, një David Hume, një Immanuel Kant, një Danone, një Marx,
më vonë një Proust, një Camus, një Satre...dhe mendimin e lirë,
e luftojnë me aq barbari dhe pasion, si e kishte bërë edhe Europa
gjatë shkëputjes nga obskurantizmit. Duke parë presionin e
refugjatëve, duket se Europa do ta kishte ridëshiruar Gadafin,
Mubarakun dhe diktatorët tjerë, edhe pse akoma sa për kurtuazi,
përmend liritë dhe të drejtat e njeriut, çfarë Lindja, i refuzon
si kulturë të huaj apo të krishterë. Perëndimi duhet të kuptojë
se civilizimet dhe botëkuptimet, nuk mund të imponohen pa pushtime
të gjata. Paqja dhe bashkëpunimi, kontribuojnë më shumë se sa
nënshkrimi formal i vlerave, që popujt e lindjes nuk i pranojnë.
Se si do të zhvillohen proceset në të ardhmen, vështirë të parashikohet tani, por nëse vështrohet dinamizmi i shfaqur, atëherë mund të konstatohet kjo: Lindja e Afërt është destabilizuar dhe në zjarr. Erdogani ndërton një shtet sipas pikëpamjeve të tija. Patriotizmi osam i tij është aq i madh, sa ai nuk do të pranonte kurrë atë çfarë kërkon BE prej tij. Në anën tjetër, Europa kërcënohet nga e djathta ekstreme. SHBA gjendet para një sprove të madhe. Rusia ekonomikisht e dobësuar, por me qëndrime hegjemoniste dhe gatishmëri për përplasje. Nëse nuk mund të sistemohet dhe kanalizohen si duhet ato mosdurime polivalente, do të vazhdojë konsolidimi i ekstremizmit, që mund të rrezikonte vlerat e sotshme me të cilat mburret Perëndimi. Se projekti Europë është luhatur, dëshmon shtyrja e liberalizimit të vizave për Kosovën për diku një milion banorë.
ZËRI
Se si do të zhvillohen proceset në të ardhmen, vështirë të parashikohet tani, por nëse vështrohet dinamizmi i shfaqur, atëherë mund të konstatohet kjo: Lindja e Afërt është destabilizuar dhe në zjarr. Erdogani ndërton një shtet sipas pikëpamjeve të tija. Patriotizmi osam i tij është aq i madh, sa ai nuk do të pranonte kurrë atë çfarë kërkon BE prej tij. Në anën tjetër, Europa kërcënohet nga e djathta ekstreme. SHBA gjendet para një sprove të madhe. Rusia ekonomikisht e dobësuar, por me qëndrime hegjemoniste dhe gatishmëri për përplasje. Nëse nuk mund të sistemohet dhe kanalizohen si duhet ato mosdurime polivalente, do të vazhdojë konsolidimi i ekstremizmit, që mund të rrezikonte vlerat e sotshme me të cilat mburret Perëndimi. Se projekti Europë është luhatur, dëshmon shtyrja e liberalizimit të vizave për Kosovën për diku një milion banorë.
ZËRI
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen