28.05.2016

Isa Mustafa kundër Donika Gërvallës

ose Sërbia kundër Kosovës,
ose, Patrioti kundër tradhtares


Kryetari Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës sipas bindjeve të mëhershme, ndaloi edhe një herë hyrjen në kuvend të Donika Gërvallës. Natyrisht se me këtë brutalitet përmbaroi një detyrim të vetin. Isa Mustafa nuk mund të durojë hyrjen e një pasardhëse të një irredentisti dhe armiku të vendit. Ai nuk mund të lejojë që tradhtarët të futen brenda LDK-ës.

Pasdite mediat raportonin se Donika Gërvalla gjendej në korridor: se ishte mirë, se ishte akoma gjallë, se nuk e kishin zvarritur dhe akoma UDBA nuk e kishte burgosur. Ky ishte i vetmi lajm, që nuk mund të interpretohej dhe shpjegohej.
Mustafa tha para mikrofonave „se është befasuar me praninë e Donikës aty...”. Kjo befasi mund të kuptohet. E para, është e kaluara e saj irredentiste, e dyta, nuk i ka shërbyer kurrë Serbisë. E treta, vjen nga një familje tradhtare. E katërta, si të kuptohet ardhja e saj, si mos të jetë befasuese, kur qe tërhequr zvarrë, qe denigruar dhe tani tregohet e pafytyrë dhe vjen përsëri. E pesta, kemi krejtësisht biografi tjera, bindje dhe ideologji të ndryshme. E gjashta, ka emrin Donika. Nuk mundet. E shtata, dua t'i tregoj edhe Rexhep Qosjes pushtetin tim dhe paralajmëroj çfarë mund t'i ndodhë nëse vazhdon të merret me biografinë time.

Kryetari i LDK-ës dhe kryeministri i Kosovës, ish bashkëpunëtor i patriotit Rrahman Morina në fjalimin e tij nënvizoi se, “koha e tradhtarëve ka përfunduar” dhe se tani, mund të futen në tubimet e LDK-ës, vetëm patriotët e dëshmuar, jo armiqtë apo pinjollët e irredentistëve shqiptarë, çfarë ai ka luftuar me pasion në kohën kur duhej. Gjithashtu, në rend të ditës ishte edhe leksioni bazë për “strategjinë e komunikimit të LDK-së.” Domethënë, si mund t'i drejtohet anëtarësia shkëlqesisë së tij, kryeatdhetarit të Kosovës dhe a mund të shfaqen me kurriz.

Tradhtarja tjetër,Vjosa Osmani, e cila nuk është zvarritur akoma, por një ditë do ta përjetojë këtë akt patriotik të partisë, kërkoi të ndryshohet rendi i ditës dhe të bëhet distancimi nga zvarritja e Donikës. Nuk është punë që bëhet brenda LDK-ës, sepse kemi të bëjmë me një familje me qëndrim të dëshmuar armiqësor ndaj Serbisë. Nga zvarritja, nuk mund të distancohet askush, sepse është bërë me urdhër të atdhetarit dhe bashkëpunëtorit të Millosheviqit. As rendi i ditës nuk mund të ndryshohej sepse Vuçiqi ishte i zënë duke ndërtuar pallate në veri të Kosovës.

Gjersa në Kuvend fliste kryeministri i Krahinës Autonome, irridentistët shqiptarë protestonin në Mitorvicë kundër kolonizimit të veriut, çfarë në sytë e Mustafës, është vetëm përforcim i vëllazërim - bashkimit në mes kombeve dhe kombësive sovrane në Kosovë.

Në fund Mustafa deklaroi se ishte mjaft i zemërmirë dhe se kishte “dhënë mundësinë që edhe Vjosa Osmani edhe Fatmir Sejdiu ta thonë mendimin e tyre.”, çfarë ai në kohën e diktatorit serb, nuk kishte mundur ta bëjë, edhe pse me pozitë të lartë.

Kemi përkrahur deputetët tanë dhe kemi inkurajuar që të votojnë demarkacionin me Malin e Zi...”, tha ai, por nuk mund të lejojmë hyrjen në sallë të një zonje që vjen nga Gjermania duke ditur ne të gjithë, se është armike e përbetuar e vëllazërim - bashkimit dhe LKJ-ës.

Themelimi Asociacionit të Komunave Serbe është obligim...”, por e bija e Jusuf Gërvallës nuk ka çfarë kërkon në një Kosovë si kjo që kemi sot. “Ka kaluar koha e tradhtarëve.” dhe nuk do të lejoj kurrë hyrjen e saj. Përveç kësaj, ajo nuk është zgjedhur në mënyrë të rregullt, sepse ka shantazhuar atdhetarët e vërtetë dhe kështu ka bërë puç në degën e LDK-ës në Gjermani, siç është bërë edhe në Zvicër. Shumica prej tyre, nga tuta e madhe, kanë bërë kërkesë për azil dhe ajo zonjë, ka ndikuar në dëmtimin e imazhit të Kosovës. Të pranishmit duartrokitën.

Reaksionarja Vjosa Osmani, tradhtare edhe kjo, gjatë këtyre spunimeve deklaroi se njerëzit të cilët u përjashtuan nga ky kuvend sp(i)unues, si Donika Gërvalla dhe Shefqet Dibrani, do të duhej të kishin një ulëse nderi në këtë kuvend.
Kjo mirëpo nuk mund të merret parasysh, sepse Isa Mustafa, mund të përjashtojë edhe bijtë e Gërvallës dhe kushdo që i afrohet nga ata, që ai me kohë i ka luftuar si nacionalistë, irridentistë, dmth. si njerëz që rrënonin vëllazërim -bashkimin e kombeve dhe kombësive të Kosovës. Megjithatë, Mustafa u tregua tolerant, i butë dhe tha se atareaksionarë, le të kthehen nga kanë ardhur, le të kandidohen dhe nëse kanë shanse të fitojnë, le të kthehen, mirëpo, nuk mund të vijnë në Kuvend të LKJ-ës pa qenë ftuar dhe pa lutje. Këtu ka rregull!

Nuk është aspak befasuese pse Donika Gërvalla dhe Shefqet Dibrani dëbohen nga Kuvendi, gjersa serbet e armatosurparakalonin para policisë kosovare. Befasuese është vetëm kjo: Si është e mundur që akoma nuk është burgosur Adem Demaçi, Rexhep Qosja dhe të mbijetuarit e familjes Jashari?! Me qeverinë dhe presidencën që kemi, vërtetë është befasi e llojit të veçantë.

Ec e mos e puth këtë Kosovë në lule të ballit për tolerancën ndërtradhtare, që nuk e posedon asnjë komb në ftyrë të kësaj bote. Kryetari me akuzë në Hagë: mik i ngushtë i agjentit francez, martuar me një serbe. Isa Mustafa, patriot i madh, bashkëpunëtor i atdhetarit më të madh të Kosovës, Rrahman Morina. Rroftë vasalizmi i elitës politike dhe oportunizmi i popullit!!!

Libra fizikë nga Lis Bukuroca te amazon
Ribotime, plotësime dhe redaktime si libra elektronikë




Keine Kommentare: