Shkruan Ndue
Ukaj
Shkrimtari Ismail Kadare nuk ka nevojë të mbrohet, sepse ai ka ndërtuar një
perandori të madhe lexuesish, të shtrirë kudo në botë, dhe ata
janë mbrojtja ma e mirë përballë sulmeve tendencioze dhe
mediokre, që i bëhen atij dhe veprës së tij. Prandaj, nuk dua ta
mbroj Kadarenë, por e kam të vështirë të heshti përballë
tendencës, për ta përdhosur një akt kulturore që ndodhi në
Prishtinë, dhe po ashtu, nuk mund të heshti përballë synimit
qyqar, për ta sajuar një gjeneral izolues në veprën e Kadaresë.
Pa
kurrfarë baze, por me qëndrime të forta dhe gjuhë linçuese, të
tipit marksist, ku autori akuzohet si racist e etnocentrik. Një sulm
i tillë ndaj Kadaresë, mund të pritej në Beograd e Stamboll, por
jo në Prishtinë, dhe si i tillë, nuk i përket mendësisë së
Prishtinës, ku Kadare është autor shumë i dashur.
Mbi
bazë të leximeve të parakonceptuara të Halil Matoshit, letërsia
është arena e përshtatshme, për të persekutuar secilin
shkrimtar. Po, secilin. Por, fiksioni, arti dhe të vërtetat e
letërsisë, lexohen dhe interpretohen shumë më ndryshe. Dihet
mirëfilli se Kadare është autori më universal që ka prodhuar
raca shqiptare, dhe këtë fakt e pranojnë njohësit e veprës së
tij: shqiptarë dhe të huaj.
Po
ashtu, dihet që Kadare i dha njohje universale letërsisë shqipe.
Pikërisht për këtë arsye, ai nuk ka nevojë të mbrohet, sepse
atë e mbron aureola e shkrimtari të madhe, një fortifikatë e
sofistikuar, të cilën e ka ndërtuar me talentin e jashtëzakonshëm,
nën thundrën e një regjimi të tmerrshëm, që artin e shihte si
armik të madh. Shkrimtarin Kadare dhe veprën e tij e mbrojnë
çmimet dhe vlerësimet e panumërta, që merr kudo në botë, ku
shija për artin dhe të bukurën, është përtej caqeve egoiste,
shpirtngushtësisë dhe mendësisë rurale.
Po,
Kadarenë e mbrojnë librat dhe tekstet shumë të vlefshme e të
shumta, që shkruhen përditë për veprën e tij anë e kënd botës.
Në fund të fundit, kjo është lavdia e shkrimtarit, për të cilën
aspiron secili që merret me letërsi. Të rrallë janë ata
shkrimtarë që këtë lavdi e fitojnë për së gjalli. Kadare, pati
një fat të tillë. Halil Matoshi, kur shkruan për “Gjeneralin e
ushtrisë së vdekur”, shkruan për një libër që e ka në kokën
e tij, dhe jo për romanin fantastik të Kadaresë, me të cilin ai
ka fituar famë botërore. Sepse, “Gjenerali” i Kadaresë, është
një rrëfim fantastik dhe shpotitës për luftën dhe tmerret që
shkakton ajo, dhe askund nuk ka nuanca raciste.
Përkundrazi,
“Gjenerali” i Kadaresë është një fiksion letrar magjeps dhe i
jashtëzakonshëm, për absurditetin e luftës, dhe tragjeditë që
shkakton ajo, e të cilat, ai di t’i shndërrojë në vlera
kulminante universale. Më tej, gjenerali i Matoshit, mund të
lexohet si një opinion apo pandehmë kundër autorit, dhe jo një
mendim për veprën në fjalë. E më së paku një vlerësim letrar.
Është një trill i turbullt. Është një sajesë fjalësh pa
kurrfarë baze, me të cilën ai tenton të hedh baltë mbi
personalitetin e autorit.
E
gjithë kjo, mund të lidhet me faktin se, Kadare është dishepulli
më besnik i ideve europane të shqiptarëve, ndërkaq vepra e tij,
jehona ma pozitive e vlerave oksidentale të shqiptarëve; vlera këto
që tundojnë dhe hutojnë jo pak shqiptarë. Në kritikën letrare,
shpeshherë thuhet se një lexues i keq, që lexon me paramendime dhe
qëllime tendencioze, mund ta shkretojë secilën vepër.
Madje
edhe kryeveprat e njerëzimit, “Komedinë Hyjnore”, “Hamletin”,
“Fasutin”, “Procesin”, etj. Dhe, nëse doni të dini, shembuj
të tillë kemi edhe përbrenda mendimit letrar shqiptar. Në
kritikën letrare, ekziston një mendim i pranuar gjithandej, se
lexuesit skematikë, të dobët, lexuesit ideologjikë, mund ta
mjegullojnë çdo vepër, por fati i mirë është që këto mendime
dhe interpretime stihike, kanë stinën e tyre të përkohshme,
ndërkaq vepra e mirë letrare, shkruhet për përjetësi, ashtu siç
është shkruar për përjetësi “Gjenerali i ushtrisë së vdekur
“, që autorin e bëri gjeneral të letërsisë shqipe dhe asaj
botërore. Javën e kaluar,
Kadare
u vlerësua në Prishtinë, mirëpo ky akt kulturor, u bë pretekst
që disa figura të hutuara, që ndërrojnë mendime sa herë
ndërrojnë stinët, të fillojnë me avazin e njëjtë: sulme dhe
përbaltje mbi Kadarenë. Këto vërsulje, nuk janë të reja. Ato
dalin sipërfaqe, sa herë i rritet shkëlqimi estetik i veprës së
tij. Dhe si të tilla, nuk ka sesi të shpjegohen ndryshe, përpos
agjenda kundër tij, të injektuara me helm e mllef, që më së paku
mund të jetë letrar.
Pa
dyshi, është mendim infantil që nga Prishtina, t’i kërkohet
autorit disidentizmi, kur kritika botërore qëmoti pohon se Kadare
është autori që e sfidoi socrealizmin, shkruan, John Carey, kritik
i shquar i Britanisë së Madhe. Pra, ata që kërkojnë një gjë të
tillë, duhet të pyeten: pse heshtën në kohën kur në Prishtinë
nuk guxohej të përmendej Fishta, Haxhiademi, Konica, Kuteli, Camaj,
Pipa, dhe shumë autorë të tjerë?
Po,
këta jetonin në një sistem goxha liberal dhe heshtën, sepse u
solidarizuan me sivëllezërit e tyre ideologjikë nga Shqipëria. Pa
dyshim, nga perspektiva e sotme, mund të themi, ma mirë bëri
Kadare që shkroi ashtu siç shkroi kundër Fishtës, sesa shqiptarët
e Kosovës që e heshtën. Apo të tillë, që edhe sot, Fishtën e
konsiderojnë fashist.
Dihet,
Shqipëria komuniste, nëpërmjet deduksioneve socrealiste, për
njeriun e ri, tentoi ta shkatërronte trashëgiminë letrare të
figurave që konsideroheshin hale në sytë e regjimit. Pastaj, ajo e
instrumentalizoi artin, në funksion të ideologjisë utopike, për
krijimin e njeriut të ri socialist, të moralshëm e pa mëkate, ku
partia kujdesej për moralin publik, dhe ku individi, detyrohej t’i
nënshtrohej kodit të përcaktuar ideologjik.
Mirëpo,
në Kosovë, mësime dhe shtrëngime të ngjashme nuk pati. E meqë
nuk pati metoda të tilla, shkrimtarët nuk burgoseshin pse shkruan
vepra letrare. Atëherë pse u heshtën shumë shkrimtarë shqiptarë?
Koha është që të bien maskat dhe të flitet hapur për këtë
temë. Në këtë aspekt, është neveritëse tendenca që çon krye
herë pas herë në Kosovë, kur shkruhet dhe flitet rreth figurës
së Ismail Kadaresë dhe veprës së tij.
Ka
shumë autorë nga Kosova, që e stigmatizojnë dhe akuzojnë rëndë
atë, për gjoja flirte me komunizmin dhe socrealizmin, ndërkohë që
të njëjtit, heshtnin ndaj shumë sivëllezërve të tyre shqiptarë,
që shpalleshin armiq, heshteshin, përbuzeshin dhe anatemoheshin në
Prishtinë. Dhe nga ky mëkat, pak kush mund të amnistohet. Në
zagushinë mbytëse, në të cilën është katandisë shoqëria
jonë, ku lajmet e mira janë të rralla, ardhja e një shkrimtari me
përmasa planetare, siç është Ismail Kadare, është festë dhe
bekim.
Kështu
ngjet kudo në botën normale, dhe kështu ishte edhe në Prishtinë,
ku Kadare, si autoritet i padiskutueshëm letrar, u mirëprit nga
lexues të shumtë, që prisnin me orë të tëra, për ta takuar,
për t’u fotografuar me të dhe për ta marrë një libër me
nënshkrim të tijin. Ndaj, trillet dhe insinuatat me prapavijë, nuk
i bëjnë kurrfarë dëmi autorit, sepse, ai qëmoti është në ato
lartësi, ku pështyma nuk mbërrin. Po, sepse ai qëmoti është
certifikuar nga lexuesi i kultivuar, kudo në botë. Është klishe
të thuhet që ai është shkrimtar i dashur dhe titani i letërsisë,
dhe në hierarkinë e vlerave të përbotshme, është ngritë në
saje të artit të tij dhe jo të ideologjisë a politikës.
Por,
është e udhës ta përsërisim, për t’iu hapë sytë atyre që
janë të verbuar nga urrejtja kundër tij. Unë isha i nderuar që
pata fatin dhe mundësinë të isha pjesë e një ekipi që e
vlerësoi atë. Dhe jam i bindur se të dish ta vlerësosh atë,
domethënë ta dish vlerësosh vetveten, gjuhën dhe kulturën tënde.
Kadare nuk ka nevojë për ne, ne për të po. Edhe një gjë: sulmet
ndaj personalitetit të Kadaresë, kanë stinën e tyre të
përhershme. Janë të pështira dhe neveritëse.
Sa
herë që ai përmendet, dhe për fat të mirë ai përmendet shpesh,
një kontingjent shkruesish, të paktë, por të zhurmshëm,
gërvallën kuturu kundër tij dhe veprës së tij. E kam thënë dhe
po e përsëris: ata që tentojnë ta përbaltin veprën e tij, bëjnë
lojën e trumcakut, që përpiqet ta pështyjë diellin. Sepse
“Ismail Kadare është luani i letërsisë shqipe, me një
reputacion ndërkombëtar", shkruan Rita Tornborg, shkrimtare
dhe kritike suedeze. Përballë një luani, zhurmuesit, s’kanë
ç’të bëjnë tjetër, përveçse të kukurisin.
Për
Kadarenë dhe veprën e tij letrare është shkruar dhe do të
shkruhet shumë. Ai është krahasuar me shkrimtarët ma të mëdhenj
të njerëzimit, me ata që janë të papërsëritshëm. Pa dyshim,
ai meriton vlerësime të pafundme, sepse na ka dhanë një vepër
gjeniale. Më pëlqen shpeshherë t’i veçoj dy vlerësime, atë të
At Zef Pllumit dhe Ibrahim Rugovës, sepse burojnë nga ne, dhe janë
vlerësime të dy personaliteteve me peshë.
I
pari solidarizohet me Kadarenë, sepse ai është sot me i madhi
luftëtar në mbrojtje të kulturës, identitetit dhe integrimit
europian të shqiptarëve, ndërsa Rugova shkruan se Kadare
përgjigjet për çështje më të rëndësishme e të ndërlikuara,
pa komplekse inferioriteti dhe pa imponim autoriteti. Është në
rrjedhën e kohës, i çliruar nga kompleksi i metropoleve, sepse
ekziston nëpër metropole. Por, vargu i vlerësimeve të tilla është
i pafund. Në Prishtinë, Tiranë, Tetovë, Paris, Romë, Berlin,
Londër, Madrid, Stokholm, Uashington, Jerusalem. Kudo ku vlerësohet
e bukura pohohet: Disident apo jo, Kadare është njeri prej më të
mirëve.”
Gjeniu
i letërsisë shqipe, është përfaqësuesi ma i denjë i kulturës
dhe letërsisë shqipe në botë. Nëpërmjet tij, bota na ka kuptuar
më mirë, na ka vlerësuar më drejt dhe na ka çmuar më shumë.
Prandaj, por për çdo ditë, kemi arsye të themi: Kadare është
bekim për kulturën shqiptare.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen