Për domosdoshmërinë e
shkapjes së shqiptarëve nga Perandoria Osmane dhe nga veset që na la ajo, dikur
flisnin e shkruanin korifenjtë e kulturës shqiptare, ata që punonin dhe
vepronin në periudhën e ndritshme të Rilindjes, si dhe në dekadat e para të
pavarësisë kombëtare. Për këtë domosdoshmëri flisnin e shkruanin mendjet e
ndritura, pa dallim feje, krahine e ideje. Për këtë flisnin e shkruanin ata që
e donin një komb unik dhe të emancipuar. Për këtë flisnin e shkruanin ata që
donin, që shqiptarët të përmbyllin periudhën e klithmave e të vajtimeve dhe të
hynin ne periudhën e lartësimit kombëtar.
Po ashtu, për pasojat
e rënda që na shkaktoi pushtimi osman, për plagët kombëtare, flisnin dhe
shkruanin korifenjtë më të mëdhenj të kulturës shqiptare, ata idealistë e
heronj të vërtetë, që me punë dhe sakrificë të madhe bënë që të bëhej
Shqipëria. Pas më shumë se një shekulli lirie e pavarësie kombëtare, ne ende
vazhdojnë të jemi në kurthin e këtij debati.
Një pjesë rropatët të
arsyetojë, pa një rrjedhë logjike sundimin osman mbi shqiptarët, duke
proklamuar madje një marrëzi ahistorike, për gjoja një bashkëjetesë e
bashkëqeverisje ndërmjet shqiptarëve dhe popujve tjerë të kësaj perandori. Ky
është vlerësim infantil dhe pa kurrfarë baze historike. Por, ky debat si i
tillë na ka trullosë jo pak. Pas më shumë se një shekulli lirie e pavarësie
kombëtare, debatet më të ashpra ndërmjet nesh, vazhdojnë të jenë ato që lidhen
me raportin tonë historik me këtë perandori. Sa herë që shkruhet e flitet për
këtë periudhë të gjatë e dramatike historike, shpërthen pezmi e mosdurimi i
madh ndërmjet nesh. Mbrehën shpatat dhe nxehen gjakrat.
Një pjesë e
apologjetëve të kësaj perandorie- që mund të jenë të përkrahur edhe nga shteti
turk- kërkojnë që të shkruhet një histori pa të vërteta, një histori e re, e
cila, për hir të një “vëllazërie” politike, Gjergj Kastriotin- Skënderbeun
tenton tinëzisht ta paketojë dhe ta shpallë mit historik; mit që ka prishë Pax
Otomania. E në vazhdën e kësaj historie pa të vërteta, natyrisht se kërkohet të
zhvleftësohen edhe figurat tjera shembullore të Rilindjes Kombëtare dhe një
varg patriotësh e dishepujsh që punuan për një komb shqiptar europian. E
çmenduria ka shkuar aq larg, saqë, në emër të kësaj vëllazërie, “mbetjeve
osmane” u është kërkuar që ta ndryshojnë dhe të retushojnë historinë. Dhe në
këtë grackë, me vetëdije a pa të, ranë jo pak shqiptarë.
Pas një shekulli,
këto raporte, do të duhej të ishin dhe të vlerësoheshin më shumë si punë e
historianëve, e atyre që mbi fakte, dokumente, arkiva e të dhëna arkeologjike,
do të mund të bënin analiza e shpjegime shkencore për të njohur më mirë
kontekstin historik e politik të kohës. Por, këto raporte, qëmoti kanë
tejkaluar punën e historianëve dhe janë bërë çështje e gjithë shoqërisë
shqiptare.
Meqë debati për këtë
periudhë nuk pushon dhe përcillet me gjithfarë sajimesh e marrinash, atëherë
është e udhës që të thuhet se, për të kuptuar dhe njohur sipërfaqësisht
gjendjen e shqiptarëve në atë perandori dhe “bashkëjetesën” për të cilën
trumbetojnë disa trutharë, ka pak nevojë për analiza, stërhollime, interpretime
e dokumente. Sepse, mjafton të kthehemi në vitin 1912, kur tokat shqiptare u
çliruan. Të analizohet panorama e atëhershme e jetës shqiptare: qytetet,
rrugët, sheshet, jeta arsimore, kulturore e shëndetësore, e pastaj, qetësisht e
pa ngarkesë, mund të pyesim: cili ishte realiteti atëkohë dhe çfarë trashëguam
nga perandoria në të cilën “bashkëjetuam” dhe “bashkëqeverisëm”? Pa dyshim,
secili që gjykon me ndërgjegje e liri kombëtare, e di fare mirë se pamja e
jetës shqiptare atëbotë ishte e mjerë- tej mase e mjerë.
Perandoria Osmane,
një nga më të fuqishmet që njohu historia, shqiptarëve s’u la libra, shkolla,
rrugë, biblioteka, qendra administrative- s’ u la asnjë universitet, asnjë
teatër, asnjë objekt opere, as një qendër sportive. Por u la mjerim,
shkatërrime e viktima të panumërta, analfabetizëm e prapambeturi, arkitekturë
të shkatërruar dhe skamje të tmerrshme. Pra, shqiptarët nga ajo perandori nuk
trashëguam asgjë madhështore, që do të mund t’i frymëzonte atë të
madhështoheshin dhe të bënin vepra madhështore. Pra, shqiptarët nuk
bashkëjetuan dhe as nuk e bashkëqeverisën atë perandori, por ishin të shtypur e
të sunduar se është më zi.
Ne mund të vazhdojmë
të çirremi këtu e deri në Stamboll, të bërtasim dhe ta lartësojmë zërin kundër
kësaj të vërtete historike, të bëjmë lojëra djallëzore: të tentojmë të shpifim
e të trillojmë çfarë të na bjerë në mend, ta mbulojmë Skënderbeun, të përbuzim
rilindësit, por të vërtetën historike nuk mund ta zhbëjmë. Kështu që, sa herë
tentohet të justifikohet pa sens logjik “bashkëjetesa” në këtë perandori, ne më
së shumti përrallisim veten, sepse, na përgënjeshtron e vërteta historike:
shkrimi shqip, gjuha, shkolla, libri, kultura, politika, arkitektura, dhe kush jo
tjetër!
Si rezultat i këtij
debati pa sens e në thelb ahistorik, ne sot ballafaqohemi me një krizë të
thellë identitare. Dhe si pasojë e kësaj krize, sa herë na dalin përpara tema
të natyrës fetare, pa menduar mirë dhe me një ngarendje dalldie pohojmë: "Shqiptarët
kanë orientim properëndimor, shoqëria jonë është properëndimore.
E ardhmja jonë është
Europa." Kjo i bie se shqiptarët nuk janë perëndimore, shoqëria e saj nuk
është perëndimore dhe se ajo nuk i takon Europës, por e aspiron atë. Ky
shpjegim është gabim i madh. Është formulim pa sens dhe pa logjikë. Sepse,
aspirata properëndimore, kanë edhe shumë vende tjera, që jetojnë sipas stilit
dhe modelit perëndimor të vlerave dhe demokracisë. Ky debat na sillet si
fantazmë në çdo stinë dhe bëhet temë e mosmarrëveshjeve konstante ndërmjet
nesh, sepse nuk e kemi qartësuar raportin tonë me të kaluarën, pra nuk jemi
shkapë nga fantazma osmane.
Por, përvoja ka
dëshmuar se betejat kundër kujtesës dhe ndërgjegjes janë të destinuara që të
mos kenë sukses. Përgjatë këtij sundimi, ne kemi pësuar aksident historik, por
e kemi ruajtë autoktoninë tonë. Pikërisht për këtë arsye, mendjendriturit ndër
shekuj, kërkonin dhe këshillon shkapjen nga fantazma osmane; shkapje kjo për të
cilën kemi nevojë të flasim edhe sot. Sepse kjo detyrë nuk ka mbaruar dhe duhet
ta bëjmë, që të mund të ecim nesër me vetëdije ka një e ardhme progresive.
Librat nga Lis Bukuroca mund të porositet këtu:
Romani, Ngjyrat e dashurisë, Poezi, Hijedritat e jetës
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen