Unë Sadeddine al Ottmani deklaroj me shkrim dhe në prani të
dëshmitarëve, se një zavrak dhe shumë teveqel, me emrin Bekset Pakolli, u përplas
pa leje në ndejën tonë pushuese. Ai zotëri, paska qenë Zëvendëskryeministër i
parë i një Qeverie, që ne nuk e njohim si legjitime, sepse ne, me forcë pohojmë
e ritheksojmë, se Kosova është tokë serbe, edhe atë, me godinat e shenjta serbe
dhe qëndrimi jonë, nuk do të ndryshojë kurrë. Ne nuk lejojmë të cenohet
integritetit territorial i kombit vëlla serb dhe, nuk do të njohim kurrë një
shtet, që kanë krijuar amerikanët duke dhunuar integritetin territorial të Serbisë
humane, e cila tok me ne, respekton të drejtën ndërkombëtare!
Të dashur qytetarë, nuk ishte pezmatuese vetëm turfullima e tij pa leje paraprake gjatë këndelljes tonë, por mora edhe veshë, se ky ishte Zëvendëskryeministri i Parë i Kosovës dhe Metohisë, e cila i paska pesë zëvendëskryeministra, aq sa i kanë pesë shtete normale në Afrikë. Unë, të dashur maroken, dua të përgënjeshtroj krekosjen e tij në internet, se unë, Mbreti juaj me lejen e zotit, e paskam takuar dhe se paskemi thelluar bashkëpunimin. Ai më çakërdisi mendjen me prezantimin e tij si milioner dhe Zëvendësministër i Parë i një Qeverie ilegale, tej për tej pro amerikane dhe, me atë titull të pafytyrë, më quajti mua Ekselencë Muhammedi i Gjashtë, çfarë edhe jam unë Saadeddine Othmani, por, kur ai tha se ishte i Zëvendëskryeministri i Parë, natyrisht se nuk munda të duroj këtë poshtërim të Marokos dhe e përzura jashtë atë laper penetrues!
Ne, i dërgojmë selame vëllait tonë Vuçiqit dhe Daçiqit, se takimi ka
qenë dhunë e pastër dhe nuk dinim se kush ishte ai insan. Sapo morëm vesh, ne
varëm turinjtë, disa prej nesh vështruan këpucët, ndërsa disa tjerë, kthyen
kokat anash. Ai kërkonte vetëm politikanë për t’u fotografuar, por ne, të dashur
qeveritarë të Serbisë vëllazërore, nuk kemi qenë kurrë në një gazep më të madh,
që kur merremi me politikë. Ne, atë çast dramatik përjetuam, mu si ju, kur
befasisht keni parë raketat e të pafeve, që u plandosën në vitin 1999 nëpër
Serbinë zemërmadhe dhe të mëshirshme.
Pra, unë Muhamedi i Gjashtë, mbret i Marokos, pronar i pallateve në
Kazablanka, në Fes, në Marakesh, Meknes, Agadir, Irfan, Ujda dhe Tetuan, por
edhe posedues i patundshmërisë në Francë, si Château de Betz, Hôtel de Broglie dhe Hôtel
particulier në Paris, e ndjej si degradim të flasë me një insan, i cili deklaron
se nuk ka probleme me popullin vëlla serb, gjersa me ndihmën e amerikanëve, i
ka zaptuar një pjesë të shenjtë popullit më human në Ballkan, i cili kurrë nuk
ka dëmtuar një milet tjetër dhe kurrë nuk ka pushtuar territore të huaja.
Unë harxhoj për një vit për oborrin tim mbretëror 230 milionë euro, sa
mund të ketë ai zhaveli i Metohisë dhe, nuk mund t’i lejojë vetes të flasë me
një varfanjak si ai, që nuk posedon asnjë kështjellë. Sapo u largua ai, pash se
ata, për kokë banori paskan 3888 dollarë, kurse ne, 3151. Këto para, të dashur
qytetarë, ata i vjedhin nga Serbia tolerante dhe shumë e qytetëruar. Rroftë
miqësia marokene serbe! Poshtë imperializmi amerikan!
I pezmatuar, i tmerruar dhe i shqetësuar teje mase, mbret me dëshirën e
zotit, refuzues i pavarësisë së Metohisë me vullnetin e perëndisë, unë Muhamedi i Gjashtë, Sadeddine al Ottmani!
Në fotografinë e dytë Pacolli duke braktisur ngadalë takimin.
------------------------------------------------------------------------
Letër burrave (I)
Ngjyrat e dashurisë, (roman me Kanunin erotik, vetëm për të rritur)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen